Lady Gaga ka nisur një kapitull të ri në jetën e saj, atë të mëmësisë. Këngëtarja 40-vjeçare dhe i fejuari i saj, Michael Polansky, janë bërë prindër për herë të parë, ndërsa fotografitë e para të artistes me foshnjën tashmë janë publikuar.
Fotot, të siguruara nga “Page Six”, tregojnë Lady Gaga duke mbajtur të porsalindurin pranë gjoksit gjatë një shëtitjeje në Kaliforninë Veriore. Pranë saj ishte edhe Polansky, 42 vjeç, me të cilin këngëtarja është prej disa vitesh në një lidhje.
Gaga u shfaq me një veshje të thjeshtë dhe larg stilit spektakolar me të cilin jemi mësuar ta shohim në skenë. Ajo kishte veshur pantallona të bardha të lirshme, një pallto të gjerë dhe syze dielli, ndërsa e mbante foshnjën të mbështjellë pranë trupit.
Edhe Polansky u shfaq me një pamje casual, teksa ecte pranë partneres së tij gjatë daljes së tyre private.
Çifti ka zgjedhur ta mbajë shumë të rezervuar jetën e tyre familjare dhe deri tani nuk kanë bërë publike emrin, gjininë apo datën e saktë të lindjes së foshnjës. Lajmi për ardhjen në jetë të fëmijës u raportua fillimisht nga “Page Six” dhe më pas u konfirmua edhe nga “People”.
Prej disa muajsh, Lady Gaga kishte qëndruar larg vëmendjes së madhe mediatike, veçanërisht pas përfundimit të turneut të saj “Mayhem Ball” në prill.
Mëmësia ka qenë prej kohësh një dëshirë e shprehur publikisht nga këngëtarja. Në intervista të mëparshme, ajo kishte folur për dëshirën për t’u bërë nënë dhe e kishte përshkruar mëmësinë si një nga rolet që dëshironte më shumë të përjetonte.
Tashmë, “Mother Monster” është bërë nënë edhe në jetën reale, ndërsa fotografitë e para me foshnjën kanë tërhequr menjëherë vëmendjen e fansave në mbarë botën.
Burimi: Page Six BACKGRID BACKGRID BACKGRID

