41 kg e 350 gramë kokainë janë sekuestruar ditën e sotme në Portin e Durrësit, gjatë kontrollit të një kontejneri me origjinë nga Brazili. Sipas dokumentacionit, kontejneri transportonte mish pule, por gjatë kontrollit të imtësishëm policia zbuloi në kapakët e jashtëm të tij 37 paketime me kokainë.
Operacioni, i koduar “Anchor 3”, u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe strukturat doganore. Sipas Policisë, vlera e kokainës së sekuestruar në treg përllogaritet në rreth 2 milionë euro.
Ky është rasti i tretë brenda një muaji i tentativës për futjen e lëndëve narkotike në Shqipëri përmes Portit të Durrësit. Strukturat hetimore vijojnë punën për përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të drogës, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

