Lajme Zone
EkonomiBalkanWeb

VIDEO/ Guvernatori Gent Sejko takon anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane: Angazhim për thellimin e integrimit financiar të Shqipërisë me BE


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me Piero Cipollone, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, i cili vizitoi Shqipërinë me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën e 8-të Ndërkombëtare të Skemave Rajonale të Kartave dhe Infrastrukturave të Tregut Financiar për Pagesat me Vlerë të Vogël.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me Piero Cipollone, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, i cili vizitoi Shqipërinë me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën e 8-të Ndërkombëtare të Skemave Rajonale të Kartave dhe Infrastrukturave të Tregut Financiar për Pagesat me Vlerë të Vogël. Guvernatori Sejko e falënderoi z. Cipollone për pjesëmarrjen në këtë aktivitet dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore Evropiane. Ai evidentoi rolin e Bankës Qendrore Evropiane si një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit institucional në nivel evropian dhe si partner i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko theksoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit dhe të kuadrit rregullator në fushat e kompetencës së saj me acquis-në e Bashkimit Evropian. Ai nënvizoi se ky proces përbën një prioritet institucional, që ndërthur përmirësimin e kuadrit ligjor me forcimin e kapaciteteve për zbatimin e tij dhe adoptimin e praktikave më të mira evropiane. Kjo punë synon të mbështesë përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i anëtarësimit dhe të forcojë themelet e një sistemi financiar të qëndrueshëm e gjithnjë e më të integruar me tregun evropian. Guvernatori Sejko i prezantoi z. Cipollone zhvillimet ekonomike në vend, duke theksuar se ekonomia shqiptare ka vijuar të shfaqë qëndrueshmëri dhe performancë pozitive.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik mbështetet nga konsumi, investimet, turizmi dhe një sektor bankar i shëndetshëm, ndërsa inflacioni është rikthyer pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Gjatë takimit, një vëmendje e veçantë iu kushtua modernizimit të infrastrukturës së pagesave në Shqipëri, në funksion të rritjes së efikasitetit, uljes së kostove dhe zgjerimit të aksesit të qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet financiare.

Guvernatori theksoi se pjesëmarrja në Zonën Unike të Pagesave në Euro, SEPA, ka mundësuar tashmë uljen e kostove dhe shkurtimin e kohës së transfertave, duke nxitur përdorimin e kanaleve digjitale dhe të pagesave formale. Në vijim, ai u ndal te zbatimi i projektit TIPS Clone, si një tjetër hap i rëndësishëm që synon krijimin e një platforme kombëtare për pagesa të menjëhershme, në përputhje me standardet evropiane dhe që do të funksionojë në kohë reale, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, duke krijuar njëkohësisht kushte për zhvillimin e mëtejshëm të pagesave ndërkufitare.

Në këtë kuadër, Guvernatori shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Bankës së Italisë, si dhe për angazhimin personal të z. Cipollone si një nismëtar i projektit TIPS Clone, duke dhënë një kontribut të çmuar në avancimin e tij. Guvernatori theksoi se këto nisma janë pjesë e një angazhimi më të gjerë për thellimin e integrimit financiar të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Pjesëmarrja në SEPA dhe zhvillimi i infrastrukturës së pagesave të menjëhershme krijojnë lidhje konkrete ndërmjet tregut financiar shqiptar dhe atij evropian, duke lehtësuar transaksionet, mbështetur shkëmbimet tregtare dhe investimet, si dhe duke afruar shërbimet financiare për qytetarët dhe bizneset me standardet e tregut të përbashkët. Në këtë mënyrë, Banka e Shqipërisë kontribuon në shndërrimin e procesit të integrimit evropian në përfitime të prekshme për ekonominë dhe publikun.

Nga ana e tij, z. Cipollone vlerësoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për modernizimin e tregut të pagesave dhe përafrimin me standardet evropiane. Ai theksoi rëndësinë e zhvillimit të shërbimeve të sigurta, efikase dhe të aksesueshme, si dhe të bashkëpunimit institucional për avancimin e integrimit financiar të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit u trajtua edhe rëndësia e pavarësisë së bankës qendrore për përmbushjen e mandatit të saj, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe forcimin e besimit të publikut. Z. Cipollone theksoi se Bashkimi Evropian ka nevojë për banka qendrore të pavarura dhe se kjo bindje ndahet gjerësisht brenda Sistemit Evropian të Bankave Qendrore.

Ai nënvizoi se banka qendrore është një institucion themelor për ekonominë e një vendi dhe se pavarësia e saj përbën një kusht thelbësor për forcimin e autoritetit, besueshmërisë dhe reputacionit të saj institucional.

Komisioni Evropian ka vlerësuar ligjin e ri të Bankës së Shqipërisë lidhur me përafrimin me standardet evropiane për pavarësinë e bankës qendrore dhe ndalimin e financimit monetar të sektorit publik, duke e evidentuar si një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së standardeve evropiane në fushën e politikës monetare.

Në përfundim, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e vijimit dhe thellimit të bashkëpunimit me Bankën Qendrore Evropiane, në funksion të avancimit të reformave dhe përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: BE Gent Sejko Piero Cipollone