Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po pengon procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke mos garantuar kontrollin parlamentar dhe zbatimin e vendimeve të institucioneve të drejtësisë. Në një deklaratë për mediat, Berisha u ndal te gjetjet e raportit të Komisionit Evropian, duke kritikuar mazhorancën për mungesën e konsultimeve publike, refuzimin e kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe mosparaqitjen e rregullt të ministrave në Kuvend për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Ai e cilësoi veçanërisht shqetësues qëndrimin e mazhorancës lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Sipas Berishës, kjo çështje ngre pikëpyetje serioze për kontrollin dhe balancën mes pushteteve, si dhe për barazinë e qytetarëve para ligjit. Kreu i PD-së akuzoi gjithashtu kryeministrin se po shmang komentet mbi kritikat e raportit të Komisionit Evropian, ndërsa e konsideroi atë përgjegjësin kryesor për situatën politike dhe institucionale në vend. Pjesë nga fjala e Berishës:
Mungesa e konsultimeve publike.
Jeni dëshmitarë se çfarë hipokriti u tregua ky në konsultime që nuk i bën fare. Ose bën konsultime sa për të hedhur hi syve.
Kontrolli mbi parlamentin.
Kërkesa e opozitës për komisione hetimore refuzohet sistematikisht pa debat.
Jo vetëm refuzohet, por nuk lejohet debat sepse nuk duhet të marrin vesh shqiptarët se pse opozita kërkoi komisionin.
Duhet të fshehë me çdo kusht veprat penale për të cilat kërkohet komisioni, vjedhjet monstruoze të tyre.
E kaloi buxhetin e vitit 2025 si një hajdut.
Ministrat nuk paraqiten në mënyrë të rregullt për pyetje.
Dhe më e tmerrshme, më e veçanta, më e pashembullta në historinë e Evropës, Komisioni thotë se pas një vonese të gjatë, Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të një deputeteje, Lubi Ballukut është fjala.
Kjo ngre shqetësime për kontrollin e ndërsjellë mes pushteteve dhe për barazinë para ligjit.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, në rrugën drejt BE, drejt asaj të ardhme që ka qenë dhe është ëndrra më e bukur e shqiptarëve, mur i pakalueshëm bëhet hajdutja më e madhe në historinë e këtij kombi, pas Edi Ramës, Lubi Balluku.
Ajo bëhet.
Dhe del aty para gazetarëve Palloshi dy metra i gjatë dhe nuk i referohet një fjalë këtij denoncimi ndërkombëtare që i bëhet në raportin e KE.
Merrni pak raportet e tjera.
Bllokimi i heqjes së imunitetit dhe arrestimit të ministrave nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë 35-vjeçare të shtetit përveçse me Edi Ramën, me Saimir Tahirin superministrin e drogës, dhe ndodh me Lubi Ballukun.
Sepse edhe tek droga dhe Lubia ky është aksioner kryesor.
Prandaj dhe unë nuk kam dëshirë ta personalizoj një raport ndërkombëtar, por në çdo fjalë lexohet emri i Padrinos.
Vazhdon, shumica vazhdon të rezistojë dhe të vonojë zbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Se nuk është vetëm Olta, Olta është ikona, është simboli i zi, por janë edhe vendime të tjera.
Nuk pyet ky për gjykatën! © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Lubi Balluku PD sali berisha
