Sarandë – Gjashtë persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim pas një konflikti të ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit në një lokal në Sarandë, ku është goditur edhe Shefi i Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Sarandë, Mateo Bakalli.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:20 të 16 gushtit, në rrugën “Butrinti”, në ambientet e jashtme të një lokali. Sipas Policisë, rojet e sigurisë së lokalit ishin përfshirë në një konflikt me disa persona të tjerë dhe nuk kishin njoftuar shërbimet e Policisë.
Në atë moment, Shefi i Hetimit të Krimit në Komisariatin e Sarandës, nënkomisar Mateo Bakalli, po kalonte me automjetin e tij në rrugë. Pasi ka konstatuar konfliktin, ai ka ndaluar, është prezantuar si punonjës policie dhe ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Sipas Policisë, rojet e sigurisë nuk e kanë ndalur konfliktin, por kanë nisur ta godasin me grushte edhe efektivin. Ky i fundit ka kaluar në vetëmbrojtje dhe ka arritur të njoftojë shërbimet e Policisë për të kërkuar ndihmë.
Rreth një minutë më vonë, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, të cilat kanë neutralizuar situatën dhe kanë shoqëruar personat e përfshirë.
Kontrollet kanë vijuar edhe në një banesë në fshatin Gjashtë, ku u lokalizuan dhe u shoqëruan persona të tjerë që dyshohet se ishin pjesë e konfliktit.
Në përfundim të veprimeve hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, janë arrestuar Marjo Katiraj , 35 vjeç, administrator i lokalit, Elgent Ndoj 38 vjeç, Faik Hoxha 35 vjeç, Indrit Cullhaj 34 vjeç, Ardit Kasemi 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr dhe roje sigurie në lokal, si dhe Besnik Sullollari, 29 vjeç, me profesion taksist.
Ndërkohë, Pjetër Doçi, 28 vjeç, roje sigurie në lokalin ku ndodhi konflikti, është shpallur në kërkim.
Por ngjarja ka sjellë edhe masa ndaj dy punonjësve të Policisë së Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Inspektor Armando Shehi, efektiv i Repartit “RESI”, dhe nënkomisar Andon Binaku, efektiv i RENEA-s.
Sipas Policisë, dy efektivët punonin pa leje në lokalin ku ndodhi konflikti dhe nuk kanë njoftuar shërbimet e Policisë për situatën.
“Pavarësisht se ndodheshin jashtë detyre, ata duhej të ndërhynin për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Drejtoria e Standardeve Profesionale ka dërguar një grup pune në Sarandë dhe ka nisur hetimin disiplinor ndaj dy punonjësve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Hetimet vijojnë nga Prokuroria e Sarandës për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të përfshirë. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *Fokus*KryesoreAktualitet policiasarandesherr
