Foto ilustruese 7 pyetje të reja mbi SKY ECC: A e rrëzoi Zvicra? Rruga drejt Parisit dhe kufiri mes territorialitetit dhe shtetësisë në rastin “Aruba” Një vendim i publikuar sot i marrë në 5 gushtit 2026 (7B_1429/2025) nga Bundesgericht, pra Gjykata Federale e Zvicrës hapi sërish debatin mbi provat e Sky ECC.
Operacioni “Vanilla” dhe depërtimi në platformën e komunikimeve të koduara Sky ECC përbëjnë një nga operacionet më të rëndësishme të bashkëpunimit policor dhe gjyqësor evropian kundër krimit të organizuar, padyshim edhe më të debatuar mes ne avokatëve.
Kam mbështetur publikisht përdorimin nga SPAK të materialeve të Sky ECC si fillim provash për të shkuar drejt zbulimit të së vërtetës. Krimi i organizuar përdor teknologjinë dhe drejtësia duhet të ketë instrumentet e nevojshme për ta luftuar. Pa SkyECC rekordet e duartrokitura të SPAK do ishin shumë të reduktuara.
Por mbështetja ndaj një instrumenti hetimor nuk nënkupton pranimin pa kontroll të çdo prove që ai prodhon.
Përkundrazi: sa më e fuqishme dhe më invazive të jetë teknologjia e hetimit, aq më rigoroz duhet të jetë kontrolli gjyqësor mbi të.
Kjo u bë veçanërisht e dukshme kur në Shqipëri u ngritën pikëpyetje mbi përgjimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe nxjerrjen po ashtu të tyre në publik. Aty debati nuk ishte më vetëm për efikasitetin e hetimit, por për kufijtë kushtetues të pushtetit për të përgjuar.
Sot, me dosje si “Aruba”, debati mbi Sky ECC po hyn në një fazë të re. Përtej emrave dhe përmbajtjes së mesazheve, janë disa pyetje juridike që meritojnë përgjigje.
1. A mjafton fakti që je shtetas shqiptar që SPAK të ketë juridiksion?
Ky është ndoshta problemi i parë që duhet ndarë qartë.
E drejta penale njeh parimin e territorialitetit dhe parimin e shtetësisë. Janë dy baza të ndryshme juridiksioni dhe nuk duhen ngatërruar.
Territorialiteti lidhet me vendin ku është kryer vepra ose ku janë prodhuar pasojat e saj.
Parimi i shtetësisë, në kushtet e përcaktuara nga ligji, lejon që Shqipëria të ushtrojë juridiksion edhe ndaj shtetasve shqiptarë për vepra të kryera jashtë territorit.
Por ky parim nuk duhet të shndërrohet në një juridiksion universal vetëm sepse personi është shqiptar.
Marrim një situatë tipike që mund të dalë nga komunikimet Sky ECC: një shtetas shqiptar jeton jashtë vendit dhe dyshohet se diskuton për një trafik droge ndërmjet Ekuadorit dhe Holandës. Droga nuk hyn në Shqipëri. Paratë nuk kalojnë këtu. Takimet dhe veprimet materiale zhvillohen jashtë.
A mjafton shtetësia shqiptare për të vendosur automatikisht të gjithë këtë aktivitet nën juridiksionin e SPAK?
Përgjigjja kërkon analizë konkrete të kushteve ligjore për ushtrimin e juridiksionit shqiptar mbi veprat e kryera jashtë vendit. Zbatimi i ligjit në hapësirë dhe në kohë po ashtu është parim që mësohet në vitin e parë të Fakultetit.
Në rastin hipotetik kur paratë e dyshuara investohen në Shqipëri apo kryhen veprime që dyshohet se përbëjnë pastrim të produkteve të veprës penale mund të krijohet një lidhje territoriale konkrete me Shqipërinë.
Prandaj territorialiteti dhe shtetësia duhen analizuar veçmas. Njëri nuk mund të përdoret për të mbuluar automatikisht mungesën e tjetrit. Kjo bëhet edhe me kuptimplote po te shohesh se as 20% e personave të ketyre dosjeve nuk janë kapur dhe ndoshta ata që jane në Ekuador as e dijnë se janë në hetim apo kërkim.
2. Ku është kryer në të vërtetë përgjimi i Sky ECC?
Në pamje të parë përgjigjja duket e thjeshtë: në Francë.
Por pikërisht jurisprudenca e fundit zvicerane tregon se problemi është më kompleks.
Serverët e Sky ECC ndodheshin në Francë. Por nëse operacioni teknik ka ndërhyrë jo vetëm mbi serverët, por edhe mbi pajisjet fre të përdoruesve, atëherë lind pyetja se ku ndodheshin fizikisht këto pajisje.
Telefoni mund të ishte në Zürich, Amsterdam, Tiranë, Dubai apo Ekuador!
Kjo do të thotë se vendndodhja e serverit nuk zgjidh domosdoshmërisht çështjen e territorialitetit të përgjimit.
Pyetja që ngrihet normalisht është:
Ku është realizuar juridikisht ndërhyrja në komunikim: aty ku ndodhej serveri apo aty ku ndodhej pajisja e përgjuar?
Kjo nuk është një çështje teknike. Është një çështje juridiksioni dhe sovraniteti.
Ndaj avokatët por dhe prokurorët/gjyqtarët duhet ta shohin me vemendje
3. Çfarë na mëson rasti i Zvicrës?
Më 5 gusht 2025, Obergericht i kantonit Zürich e konsideroi të papërdorshëm materialin Sky ECC në çështjen që kishte përpara. Por çështja e themelit është ende në shqyrtim. Beteja vijon.
Një nga problemet qendrore ishte pikërisht parimi i territorialitetit.
Gjykata analizoi nëse operacioni teknik francez kishte prodhuar efekte hetimore mbi pajisje që ndodheshin në territorin zviceran dhe nëse kjo ndërhyrje mund të realizohej pa respektuar sovranitetin dhe procedurat zvicerane.
Çështja u kundërshtua nga Prokuroria e Zürich-ut dhe zhvillimet e mëvonshme në Gjykatën Federale nuk kanë dhënë një zgjidhje përfundimtare në themel të debatit.
Por rëndësia e rastit është e madhe.
Ai tregon se në hetimet digjitale ndërkufitare nuk mjafton të thuhet: “serveri ishte në Francë, prandaj gjithçka ishte franceze dhe është super provë"
Nëse ndërhyrja teknike shtrihet mbi pajisje në një shtet tjetër, atëherë territorialiteti rikthehet menjëherë në qendër të analizës.
Dhe kjo pyetje nuk është vetëm zvicerane.
4. A kemi të bëjmë me përgjim individual apo me përgjim masiv?
Ky është një tjetër dallim që nuk duhet anashkaluar.
Në përgjimin klasik ekziston një person i dyshuar, një procedim penal, një kërkesë e individualizuar dhe një autorizim gjyqësor për një objekt konkret përgjimi.
Sky ECC ka një dimension tjetër.
Operacioni prodhoi një volum të jashtëzakonshëm komunikimesh të mijëra përdoruesve në shumë shtete, një pjesë e të cilëve u identifikuan si persona nën hetim vetëm pasi materiali ishte mbledhur dhe analizuar.
Kjo ngre një pyetje themelore:
Deri ku mund të shkojë përgjimi masiv përpara se të cenohet kërkesa për individualizim, proporcionalitet dhe kontroll gjyqësor?
Suksesi teknik i një operacioni policor nuk i jep automatikisht përgjigje kësaj pyetjeje.
Një operacion mund të jetë jashtëzakonisht i suksesshëm kundër krimit të organizuar dhe, njëkohësisht, përdorimi i provës së prodhuar prej tij ndaj një personi konkret duhet t’i nënshtrohet kontrollit të plotë gjyqësor.
5. Çfarë problemi ngre konkretisht rasti “Aruba”?
“Aruba” e bën debatin shqiptar shumë më konkret.
Në këtë dhe në procedime të tjera, komunikimet Sky ECC përdoren për të lidhur persona dhe takime të zhvilluara jashtë Shqipërisë me transaksione, investime apo veprime të dyshuara të kryera në Shqipëri.
Nëse pretendohet se paratë e ardhura nga aktiviteti kriminal janë investuar ose pastruar në Shqipëri, ekziston një element territorial shqiptar që duhet të hetohet dhe provohet.
Por çfarë ndodh me personat për të cilët droga, paratë, takimet dhe veprimet e dyshuara kriminale ndodhen tërësisht jashtë Shqipërisë?
A mjafton shtetësia?
Dhe, më tej, çfarë ndodh kur prova kryesore ndaj tyre është vetëm materiali Sky ECC i prodhuar jashtë vendit?
Këtu çështja “Aruba” nuk është më vetëm një dosje penale. Ajo bëhet një rast interesant për të testuar kufijtë e juridiksionit shqiptar dhe standardin e kontrollit të provës së importuar nga një juridiksion tjetër. Po aq edhe ndërlidhja që bën SPAK me sekuestrime edhe telefonash që ndoshta nuk kanë patur kurrë platforme SkyECC apo të tjera të ngjashme.
6. A mund ta kontrollojë gjykata shqiptare ligjshmërinë e provës franceze?
Këtu qëndron, sipas meje, një nga problemet më të rëndësishme për të cilën e them pa mëdyshje se avokatët kanë dështuar.
Prova Sky ECC që ndodhet sot në dosjet shqiptare nuk është prodhuar nga SPAK.
Ajo është krijuar nëpërmjet një operacioni të autoriteteve të huaja dhe më pas është transferuar në Shqipëri.
Gjykata shqiptare ka padyshim kompetencën të kontrollojë mënyrën se si prova është administruar dhe përdorur në procesin shqiptar.
Por a mundet një gjykatë shqiptare të deklarojë të ligjshëm ose të paligjshëm vetë operacionin teknik francez? A mund të kontrollojë vlefshmërinë e autorizimeve franceze, mënyrën e ekzekutimit të tyre apo proporcionalitetin e ndërhyrjes së autoriteteve franceze?
Këtu lind diskutimi.
Nëse gjykata shqiptare nuk ka juridiksion mbi veprimet e autoriteteve franceze, ndërsa personi ndaj të cilit përdoret prova nuk ka mundësi ta kundërshtojë atë në Francë, atëherë krijohet një boshllëk procedural dhe të drejtat e personit ngelen të kufizuara. Asnjë provë nuk është "super provë" dhe aq më pak kur mbrojtja nuk ka mundësinë ta kundështojë me një mjet juridik efektiv.
Prova udhëton nga një shtet në tjetrin por e drejta për ta kundërshtuar atë nuk mund të humbasë gjatë rrugës.
7. A të çon përfundimisht përballja juridike në Paris?
Kjo është ndoshta pyetja më interesante për fazën që vjen.
Çështja C-625/25, Prudniez, e referuar në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian nga Gjykata e Kasacionit francez, prek pikërisht të drejtën për një mjet juridik efektiv ndaj provës së mbledhur në Francë dhe të përdorur në një proces penal në një shtet tjetër.
Në thelb pyetja është e thjeshtë:
Nëse Franca ka krijuar provën, a duhet personi ndaj të cilit ajo përdoret të ketë mundësi reale ta sfidojë ligjshmërinë e krijimit të saj përpara një gjykate franceze?
Nëse përgjigjja evropiane shkon në këtë drejtim, pasojat mund të jenë të rëndësishme për shumë procese Sky ECC.
Sepse mbrojtja nuk do të duhet të diskutojë vetëm në Tiranë nëse një mesazh është autentik apo nëse lidhet me një person të caktuar.
Ajo do të mund të kërkojë kontrollin te burimi i provës.
Dhe burimi është Franca.
Në konkluzion beteja ligjore po ndryshon: nga “çfarë thonë mesazhet?” te “kush kishte të drejtë t’i merrte dhe a ka mjet efektiv mbrojtja?
Për vite debati mbi Sky ECC është përqendruar kryesisht te përmbajtja e komunikimeve.
Por jurisprudenca evropiane po hap pyetje të tjera, ndoshta edhe më të rëndësishme:
Kush kishte juridiksion për përgjimin?
A ishte ndërhyrja territorialisht e ligjshme?
A mund të zëvendësojë parimi i shtetësisë mungesën e një lidhjeje territoriale me Shqipërinë?
A kemi të bëjmë me përgjim të individualizuar apo me mbledhje masive të komunikimeve?
Dhe ku mund ta kundërshtojë efektivisht mbrojtja ligjshmërinë e provës?
Këto pyetje nuk janë për të vënë në dyshim aspak dosjet e SPAK dhe as nuk shkojnë kundër luftës ndaj krimit të organizuar.
Përkundrazi, janë pikërisht pyetjet që duhet të bëjë një sistem drejtësie që kërkon që rezultatet e luftës kundër krimit të qëndrojnë edhe përballë kontrollit gjyqësor.
Rasti zviceran ka rikthyer në qendër territorialitetin. Dosjet shqiptare, përfshirë “Aruba”, ngrenë problemin e kufijve të parimit të shtetësisë. Ndërsa debati që po zhvillohet në nivel evropian ngre pyetjen e tretë: ku kontrollohet ligjshmëria e provës së prodhuar në Francë?
Këtu mund të jetë edhe faza e ardhshme e betejës juridike mbi Sky ECC.
Sepse edhe prova më e fortë duhet të ketë një gjykatë përpara së cilës mund të sfidohet.
Dhe kur prova është krijuar në Francë, gjithnjë e më shumë duket se një pjesë e kësaj rruge juridike të çon drejt Parisit.sky ecc Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum “Ministrja skllave” dhe loja me 500 milionë eurot e shëndetësisë! 15 Gusht 2026, 20:4520:45Forum Koha për një alternativë tjetër politike! 15 Gusht 2026, 18:2518:25Forum Një ‘qendër’ për Shqipërinë 15 Gusht 2026, 16:3816:38Forum Zjarret djegin Shqipërinë, flakët përvëlojnë edhe propagandën e qeverisë 15 Gusht 2026, 12:2112:21Forum Një hartë probabilitare e rrezikut për zjarre 15 Gusht 2026, 11:3011:30Forum Fjala e Rubio-s dhe mësimi që Shqipëria nuk duhet ta lexojë gabim 14 Gusht 2026, 18:0018:00Forum

