Lajme Zone
Veriu i Shqipërisë, një destinacion i panjohur turistik që rikthen traditën e mikpritjes dhe zbulon bukuritë e fshatrave të harruar
KulturëShqiptarja

Veriu i Shqipërisë, një destinacion i panjohur turistik që rikthen traditën e mikpritjes dhe zbulon bukuritë e fshatrave të harruar

Një projekt i ri turistik në Shqipëri synon të rikthejë në jetë kullat tradicionale prej guri, të cilat për shekuj me radhë kanë qenë pjesë e rëndësishme e historisë dhe jetës së banorëve në veri të vendit.

Kullat tradicionale të veriut të Shqipërisë po marrin një jetë të re përmes një projekti që synon t’i kthejë në bujtina për vizitorët. Shtegu i Kullave, një itinerar mbi 160 kilometra në zonat më pak të vizituara të vendit, ofron mundësinë për të zbuluar historinë, kulturën dhe mikpritjen e lashtë shqiptare, duke krijuar njëkohësisht të ardhura për komunitetet rurale. Një projekt i ri turistik në Shqipëri synon të rikthejë në jetë kullat tradicionale prej guri, të cilat për shekuj me radhë kanë qenë pjesë e rëndësishme e historisë dhe jetës së banorëve në veri të vendit. Bëhet fjalë për një nismë të Shoqatës Shqiptare të Agroturizmit, e cila ka krijuar të ashtuquajturin “Shtegu i Kullave” (Tower Trail), një itinerar turistik që kalon në disa prej zonave më pak të vizituara të Shqipërisë verilindore, duke u ofruar udhëtarëve mundësinë të qëndrojnë në kulla të restauruara dhe të përjetojnë nga afër traditën e mikpritjes shqiptare. LEXO EDHE:Rama flet për projektin ‘Porta e Alpeve’: 100 mln € për zhvillimin e turizmit, synojmë lidhje më të mirë të zonave të veriut me njëra-tjetrën Shtegu është projektuar për t'u përshkuar në këmbë, së bashku me një guidë, përgjatë nëntë ditëve. Ai shtrihet në më shumë se 160 kilometra dhe përshkon rajonet e Mirditës, Matit, Bulqizës dhe Dibrës, duke kaluar nëpër fshatra tradicionale, fusha të larta, pyje dhe lugina lumenjsh. Në të ardhmen, parashikohen edhe itinerare për biçikleta dhe udhëtime me automjete 4x4. Disa prej etapave janë të gjata dhe mund të ndahen në dy ditë ose të shkurtohen përmes transportit me makinë. Gjatë rrugës, vizitorët mund të qëndrojnë në bujtina, ferma dhe kulla tradicionale, duke u njohur me trashëgiminë kulturore të zonave që deri më sot kanë mbetur larg turizmit masiv. Kullat, një trashëgimi shekullore që rrezikon të zhduket Kulla, në format e saj të ndryshme, është elementi kryesor i këtij itinerari. Këto ndërtesa tradicionale prej guri gjenden në Shqipërinë veriore, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Ato ndërtoheshin kryesisht me gur gëlqeror dhe dru të marrë nga malet përreth. Për shekuj me radhë, kullat shërbyen si fortesa për mbrojtjen e familjeve në kohë konfliktesh, por edhe si strehë për udhëtarët që përshkonin rrugët tregtare. Arkitektura e tyre ndiqte një strukturë të caktuar, por njëkohësisht pasqyronte karakterin dhe mundësitë e familjeve që i ndërtonin. Ato realizoheshin nga mjeshtër të specializuar, të cilët kujdeseshin që ndërtesat të përballonin kushtet e vështira atmosferike dhe rreziqet e kohës. Kullat e para u ndërtuan për t'u bërë ballë edhe ngjarjeve të vështira historike, përfshirë pushtimin osman në shekullin XV dhe konfliktet e shpeshta mes fiseve. Shumë prej tyre u ndërtuan gjatë shekujve XVIII dhe XIX. Megjithatë, gjatë regjimit komunist në Shqipëri, nga viti 1944 deri në vitin 1991, shumë familjeve iu konfiskuan kullat. Kur pronarët i rimorën ato pas ndryshimeve politike, një pjesë e madhe gjendej në gjendje të amortizuar. Situata u përkeqësua edhe më shumë gjatë viteve 1990 dhe 2000, kur një numër i madh banorësh u larguan nga zonat rurale drejt qyteteve, duke lënë pas shtëpitë dhe kullat e tyre. Sot, shumë prej këtyre ndërtesave qëndrojnë bosh dhe rrezikojnë të humbasin përgjithmonë. Fshatra me pak banorë, por me një traditë të jashtëzakonshme mikpritjeje Në fshatin Lufaj, gjatë etapës së parë të itinerarit mes Perlatit dhe këtij fshati, vizitorët përshkojnë fusha të hapura dhe terrene shkëmbore karstike, deri në një pllajë malore. Nik Nikolli, drejtori i Infokulla-s, një muze dhe qendër kulturore në qytetin e Rubikut, shpjegon se shumë prej fshatrave përgjatë itinerarit kanë mbetur pothuajse të braktisur. Sipas tij, në disa prej tyre kanë mbetur vetëm një ose dy familje. “Po humbasim traditat, sepse njerëzit nuk po qëndrojnë më këtu”, shprehet Nikolli. Infokulla u ofron vizitorëve falas harta për ecje dhe informacion historik mbi rajonin. Ai shpreson që krijimi i shtegut të nxisë banorët të hapin kullat dhe fermat e tyre si bujtina, duke u siguruar të ardhura shtesë familjeve dhe duke ruajtur njëkohësisht traditat. Megjithatë, prezantimi i turizmit në këto zona nuk ka qenë i lehtë. Një prej arsyeve është tradita e fortë e mikpritjes, sipas së cilës pritja e një mysafiri dhe ofrimi i ushqimit e pijeve nuk konsiderohet si një shërbim që duhet të paguhet. Gjatë udhëtimit, gazetari britanik Nick St Oegger tregon se disa prej ndalesave zgjasnin më shumë nga sa ishte planifikuar, pasi banorët e ftonin vazhdimisht për kafe dhe i ofronin rrush, kumbulla dhe arra të sapokorrura. Bujqësia mbetet aktiviteti kryesor i jetës në këto zona. Banorët punojnë në ara që nga agimi deri në perëndim të diellit, por gjithmonë gjejnë kohë për të pritur vizitorët, për t'u ofruar ushqim dhe për të ndarë histori nga e kaluara. Historia e Hajrijes, që u rrit në një kullë ku tryeza nuk kishte kurrë më pak se 10 persona Një prej momenteve më të veçanta të udhëtimit ishte takimi me 91-vjeçaren Hajrija Qerimi, në fshatin Derjan. Ajo është rritur në një kullë të madhe në fshatin Bruç, ku familja e saj njihej për mikpritjen dhe bujarinë. Babai i saj ishte një fermer i suksesshëm dhe shtëpia e tyre priste vazhdimisht udhëtarë. Hajrija kujton se në tryezën e familjes nuk kishte asnjëherë më pak se 10 persona. “Babai më këshilloi që në moshë të vogël se çdo njeriu që vinte në shtëpi duhej t'i ofronim ushqim dhe pije. Ai më mësoi çfarë duhej të shërbeja dhe si duhej ta bëja këtë”, tregon ajo. Për familjen e saj, gjëja më e rëndësishme ishte që askush të mos largohej pa marrë mikpritjen më të mirë të mundshme. Kjo traditë vazhdon të jetë e pranishme në shumë prej fshatrave të zonës dhe është pikërisht ajo që projekti synon të ruajë e t'u përcjellë vizitorëve. Kulla Hupi, nga një shtëpi familjare në një bujtinë që mbështet mbi 10 familje lokale Një prej ndalesave më të rëndësishme të itinerarit është Kulla Hupi, në fshatin kodrinor Dushaj, e cila është kthyer në bujtinë në vitin 2021. Pronari i saj, Luli Hupi, ka punuar për vite me radhë në një minierë pranë zonës, duke kursyer para për të restauruar kullën e familjes së tij, dhomë pas dhome. “Kur vjen këtu, të pret një familje dhe ndihesh si në shtëpinë tënde”, shprehet ai. Për Hupin, kjo nismë nuk është thjesht një biznes, por edhe një mënyrë për të mbështetur komunitetin lokal. Ai bashkëpunon me më shumë se 10 familje të zonës, të cilat furnizojnë restorantin e bujtinës me mish, djathë, mjaltë, bukë dhe produkte të tjera vendase. Banorët përfshihen gjithashtu si guida për ecje në natyrë, shëtitje me kuaj dhe kurse gatimi tradicional. Hupi nuk synon të presë një numër të madh turistësh dhe nuk dëshiron të ndjekë modelin e turizmit masiv që po përhapet në Shqipëri. “Disa më thonë se jam budalla që nuk kam 50 tavolina në restorant”, tregon ai duke qeshur, ndërsa qëndron pranë zjarrit në odën tradicionale të kullës. “Por unë nuk dua 50 tavolina. Dua 10 dhe dua që njerëzit të duhet të rezervojnë një muaj përpara”. Ushqimi i servirur për vizitorët është i thjeshtë dhe tradicional: bukë e ngrohtë misri, reçel fiku, turshi, djathë dhie dhe gjizë. Turizëm i ngadaltë, natyrë dhe përvoja autentike pranë lumit Drin i Zi Ndikimi i Hupit ndihet edhe në zonat përreth, ku gjithnjë e më shumë kulla po restaurohen dhe banorët po përqafojnë idenë e një turizmi më të qetë dhe të lidhur me traditat. Një tjetër ndalesë e veçantë është Butterfly Camping, një kamping i vogël i vendosur në një kanion, përgjatë brigjeve të lumit Drin i Zi. Pronari, Labinot Murrja, i pret vizitorët pranë zjarrit, u ofron raki rrushi vendase dhe u tregon se si ai dhe babai i tij e pastruan dhe e sistemuan vetë tokën përgjatë lumit. Ata ndërtuan tre kabina të vogla, duke lënë hapësirë edhe për çadra, tavolina dhe një ambient të thjeshtë ku përgatitet ushqimi. Edhe Murrja nuk synon të tërheqë sa më shumë turistë, por kërkon të mirëpresë njerëz që kanë dëshirë për aventura, natyrë dhe përvoja autentike të jetës në fshat. Në fillim, banorët vendas ishin skeptikë dhe pyesnin se përse dikush do të dëshironte të shkonte në një vend kaq të largët. Por, kur panë se vizitorët nisën të mbërrinin, ndryshuan mendim. Sipas Murrjës, tashmë edhe biznese të ngjashme kanë filluar të hapen në rajon. “E dua këtë punë”, shprehet ai me buzëqeshje. “Nuk të bën të pasur, por unë e bëj me pasion”. Shqipëria përballë sfidës së turizmit masiv: A mund të jetë trashëgimia rurale një alternativë? Industria turistike e Shqipërisë ka përjetuar një rritje të ndjeshme vitet e fundit. Megjithatë, zhvillimi i shpejtë i turizmit ka sjellë edhe shqetësime për mënyrën se si po ndërtohen projektet e reja dhe ndikimin e tyre në mjedis e komunitetet lokale. Protestat e vazhdueshme kundër planit për ndërtimin e një resorti luksoz në një zonë të mbrojtur bregdetare kanë rikthyer në vëmendje debatin mbi zhvillimin e qëndrueshëm dhe rrezikun e turizmit masiv. Ndërkohë, një pjesë e madhe e vizitorëve përqendrohet në bregdetin shqiptar dhe në Alpet e veriut, ndërsa zonat rurale të brendshme kanë mbetur jashtë itinerareve kryesore turistike. Pikërisht këtu synon të ndërhyjë projekti i Shtegut të Kullave: të krijojë një model turizmi që nuk mbështetet te ndërtimet masive, por te trashëgimia, mikpritja, natyra dhe përfshirja e banorëve vendas. Duke rikthyer në jetë kullat dhe duke u dhënë atyre një funksion të ri, këto zona mund të krijojnë mundësi ekonomike për familjet, të ruajnë traditat dhe të tërheqin vizitorë të interesuar për një Shqipëri ndryshe. Në fund të fundit, pikërisht te kullat dhe tradita e tyre e jashtëzakonshme e mikpritjes, fshatrat e harruar të veriut mund të kenë gjetur atë që kanë për t'i ofruar botës: një përvojë autentike shqiptare, larg turizmit masiv dhe ritmit të shpejtë të destinacioneve të mbipopulluara./The Guardian A.C / P.J A.C Shqiptarja.com TAG: veriu i Shqiperise kulla agroturizmi Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (1 vlerësim) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

3 Nëntor, 11:50

Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap? Ramën 48% Veliajn 17.1% Asnjërin 35% Vota total: 2202 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 3 Nëntor, 11:50 Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap?