Lajme Zone
Tragjedi në brigjet e Kretës, 20 emigrantë humbin jetën, 2 të zhdukur! Shpëtohen 133 të tjerë
BotëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Tragjedi në brigjet e Kretës, 20 emigrantë humbin jetën, 2 të zhdukur! Shpëtohen 133 të tjerë

Autoritetet greke kanë shpëtuar gjithsej 133 persona nga 4  gomone, ndërsa vijojnë tre operacione kërkim-shpëtimi në zonë. Emigrantët kishin paguar nga 12-16 mijë dinarë libianë për udhëtimin drejt Greqisë, ndërsa dy sudanezë, 28 dhe 16 vjeç, janë arrestuar si të dyshuar për trafikimin e tyre.

20 emigrantë të vdekur është bilanci i dy ngjarjeve në jug të Kretës, ndërsa dy persona rezultojnë ende të zhdukur. Operacionet e Rojës Bregdetare Greke dhe të Frontex-it janë në vijim, ndërsa autoritetet kanë shpëtuar gjithsej 133 persona nga katër gomone. Tragjedia më e fundit u zbulua në orët e para të mëngjesit të së hënës kur në një gomone, e cila u lokalizua rreth 15 milje detare në jug-jugperëndim të Kalon Limenon, u gjetën 12 trupa emigrantësh, ndërsa 18 të tjerë u shpëtuan. LEXO EDHE:Greqi/ Shqiptari gjendet i plagosur me armë zjarri në makinë, dy të arrestuar Gomonia ishte pikasur nga një anije transporti kontejnerësh, me flamur maroken, e cila po lundronte në afërsi. Nën koordinimin e Qendrës së Përbashkët të Koordinimit për Kërkim-Shpëtim, në vendngjarje mbërriti një anije patrulluese e Rojës Bregdetare Greke, e cila mori në bord 18 personat e shpëtuar dhe nxori nga deti 12 trupat. Anija e Rojës Bregdetare po drejtohet për në portin e Agia Galinit. Ndërkohë, në tetë ka shkuar numri i emigrantëve të vdekur nga një tjetër ngjarje, e cila nisi pasditen e së shtunës, kur autoritetet portuale të Kalon Limenon, Agia Galinit, Kokkino Pyrgos dhe Ierapetrës u njoftuan për një gomone me të huaj në bord, e cila ndodhej në vështirësi, rreth gjashtë milje detare në jug-jugperëndim të Kalon Limenon. Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, në zonë mbërriti rimorkiatori “Pyrros”, në bordin e të cilit ndodhej edhe një efektiv i Rojës Bregdetare. Pak pas mesnatës, në orën 00:05 të së dielës, rimorkiatori lokalizoi gomonen 4,5 milje detare në jugperëndim të Kalon Limenon, pranë një anijeje mallrash me flamur panamez. Nga gomonia u shpëtuan 28 shtetas sudanezë, ndërsa u nxor edhe trupi i pajetë i një burri. Sipas informacioneve të Rojës Bregdetare, kishte shenja se brenda gomones ndodheshin edhe persona të tjerë të vdekur. Megjithatë, erërat e forta veriore, me intensitet 6 deri në 7 ballë, e bënin jashtëzakonisht të rrezikshme çdo përpjekje për nxjerrjen e trupave të tjerë apo për tërheqjen e gomones, për pasojë ajo mbeti në det. Gjatë gjithë natës u zhvilluan kërkime në zonën më të gjerë, me pjesëmarrjen e anijeve që lundronin në afërsi dhe të një mjeti ajror të Frontex-it. Të dielën në mëngjes, rimorkiatori mbërriti në portin e Kalon Limenon, ku 28 personat e shpëtuar zbritën në tokë me ndihmën e mjetit të transportit të pasagjerëve “Eleni”. Dy prej tyre u transportuan me ambulancë të EKAB-it në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Heraklionit, ndërsa 26 të tjerët u dërguan në portin e Heraklionit, nën shoqërimin e forcave të Rojës Bregdetare dhe të policisë. Trupi i pajetë i burrit u dërgua në Shërbimin e Mjekësisë Ligjore të Spitalit Universitar të Heraklionit. Kërkimet vijuan edhe në orët e para të mëngjesit të së hënës (9/11), kur një anije shpëtimi e Rojës Bregdetare lokalizoi gomonen rreth 10 milje detare në perëndim-jugperëndim të Kalon Limenon. Brenda saj ndodheshin edhe shtatë trupa të pajetë. Me ndihmën e anijes së shpëtimit dhe të mjetit lundrues “Archangelos”, gomonia u transportua në portin e Kalon Limenon, ku trupat u morën për t'u dërguar në Shërbimin e Mjekësisë Ligjore të Spitalit Universitar të Heraklionit. Kështu, bilanci i kësaj ngjarjeje arriti në tetë viktima, ndërsa dy persona të tjerë vijojnë të rezultojnë të zhdukur. Paralelisht, janë në zhvillim e sipër edhe dy operacione të tjera për lokalizimin dhe shpëtimin e emigrantëve në zonën detare në jug të Kalon Limenonit. Në rastin e parë, një mjet ajror i Frontex-it lokalizoi një gomone me rreth 47 të huaj në bord, në një distancë prej 30 miljesh detare në jug të Kalon Limenonit. Emigrantët u morën nga një anije e Frontex-it dhe pritet të transportohen në portin e Kalon Limenonit. Në rastin e dytë, një mjet ajror pa pilot i Frontex-it lokalizoi një gomone me rreth 40 emigrantë, 31 milje detare në juglindje të Kalon Limenonit. Edhe në këtë rast, një anije e forcës evropiane zhvilloi një operacion për marrjen e personave në bord, me destinacion të njëjtin port. Në total, gjatë tre operacioneve të së hënës janë shpëtuar rreth 105 emigrantë, ndërsa janë gjetur 12 persona të vdekur. Sipas dëshmive të personave të shpëtuar nga ngjarja e së shtunës, gomonia ishte nisur nga Libia në mëngjesin e datës 3 ose 4 nëntor, me destinacion Greqinë. Për këtë udhëtim, secili prej tyre kishte paguar nga 12.000 deri në 16.000 dinarë libianë. Ata deklaruan se pasditen e 6 nëntorit, dy nga personat që ndodheshin në bord ranë në det, në një vendndodhje të panjohur, dhe që prej asaj kohe rezultojnë të zhdukur. Në kuadër të hetimeve paraprake të kryera nga Drejtoria Qendrore Portuale e Heraklionit, u arrestuan dy sudanezë, përkatësisht 28 dhe 16 vjeç, të cilët u identifikuan nga personat e tjerë të shpëtuar si trafikantët që kishin organizuar kalimin e tyre. Ndaj tyre është ngritur dosje penale për hyrje të paligjshme në vend, lehtësim të hyrjes së paligjshme, krijim të një organizate kriminale dhe ekspozim që ka sjellë vdekjen./Protothema P.J P.J Shqiptarja.com TAG: emigrante krete greqi Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

3 Nëntor, 11:50

Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap? Ramën 48% Veliajn 17.1% Asnjërin 35% Vota total: 2202 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 3 Nëntor, 11:50 Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap?