Lajme Zone
FOTO/ Europa vishet me drita dhe dekorime, 10 qytetet ku Krishtlindjet nisin më herët këtë vit
KulturëGazeta Tema

FOTO/ Europa vishet me drita dhe dekorime, 10 qytetet ku Krishtlindjet nisin më herët këtë vit

Edhe pse Krishtlindjet janë ende disa javë larg, atmosfera festive ka nisur të pushtojë qytetet europiane. Rrugët po ndriçohen nga mijëra drita, sheshet historike po mbushen me shtëpiza prej druri, ndërsa tregjet tradicionale po mirëpresin vizitorët e parë.

Edhe pse Krishtlindjet janë ende disa javë larg, atmosfera festive ka nisur të pushtojë qytetet europiane. Rrugët po ndriçohen nga mijëra drita, sheshet historike po mbushen me shtëpiza prej druri, ndërsa tregjet tradicionale po mirëpresin vizitorët e parë.

E përditshmja britanike “The Independent” ka përzgjedhur 10 nga tregjet më të bukura të Krishtlindjeve në Europë për vitin 2026, duke përfshirë destinacione që çdo dimër tërheqin mijëra turistë.

Disa prej tyre i kanë hapur tashmë dyert, ndërsa të tjerat do të nisin festimet gjatë javëve në vijim.

Birmingham, Britani – 5 nëntor

Birmingham është ndër qytetet e para që ka nisur festimet. Tregu i famshëm “Frankfurt Christmas Market” shndërron sheshin Victoria në një cep të Gjermanisë, me gatime tradicionale, verë të ngrohtë dhe dhurata artizanale. Ai do të qëndrojë i hapur deri më 24 dhjetor.

Vjena, Austri – 6 nëntor

Kryeqyteti austriak është një nga destinacionet më magjike gjatë festave. Tregu përpara pallatit Schönbrunn mirëpret vizitorët mes dekorimeve, produkteve artizanale dhe specialiteteve tradicionale. Aktivitetet festive do të vazhdojnë deri më 6 janar 2027.

Kopenhaga, Danimarkë – 13 nëntor

Kopshtet e famshme Tivoli shndërrohen në një peizazh përrallor me mijëra drita, stenda festive dhe aktivitete dimërore. Një prej momenteve më të veçanta është parada e kajakëve të ndriçuar në kanalet e qytetit, më 13 dhjetor.

Budapest, Hungari – 13 nëntor

Budapesti mirëpret sezonin festiv me tregjet në sheshin Vörösmarty dhe përpara Bazilikës së Shën Stefanit. Përveç dhuratave artizanale dhe ushqimeve tradicionale, vizitorët mund të shijojnë edhe ëmbëlsirat e famshme hungareze “chimney cakes”.

Lille, Francë – 19 nëntor

Në veri të Francës, Lille ofron një atmosferë të veçantë Krishtlindjesh. Sheshi Rihour mbushet me shtëpiza prej druri, lodra, dhurata dhe specialitete franceze, ndërsa në Grand-Place spikat rrota gjigante panoramike.

Bruges, Belgjikë – 20 nëntor

Qyteti mesjetar i Bruges duket sikur del nga një kartolinë Krishtlindjesh. Në kuadër të aktivitetit “Winter Glow”, ndërtesat historike dhe rrugicat ndriçohen nga dekorimet festive, ndërsa sheshet mbushen me tregje, produkte artizanale dhe ushqime tradicionale.

Berlini, Gjermani – 23 nëntor

Me më shumë se 80 tregje Krishtlindjesh, Berlini është një prej destinacioneve më të pasura me aktivitete festive. Tregjet në Gendarmenmarkt dhe Alexanderplatz ofrojnë përvoja të ndryshme, nga atmosfera tradicionale gjermane deri te panairet me tematikë mesjetare.

Bazeli, Zvicër – 26 nëntor

Në Bazel, rreth 155 stenda festive vendosen në sheshet Münsterplatz dhe Barfüsserplatz. Vizitorët mund të shijojnë specialitete zvicerane, si raclette, të blejnë zbukurime artizanale dhe të shijojnë pamjen e qytetit të ndriçuar.

Strasburgu, Francë – 27 nëntor

I njohur si “Kryeqyteti i Krishtlindjeve”, Strasburgu është një prej destinacioneve më të famshme për tregjet festive. Rreth 100 stenda vendosen në sheshin Broglie dhe pranë katedrales, duke ofruar produkte artizanale dhe specialitete tradicionale të rajonit të Alsasës.

Zagrebi, Kroaci – 28 nëntor

Kryeqyteti kroat e mbyll listën me një festë të madhe që përfshin të paktën 12 tregje të shpërndara në sheshe, parqe dhe rrugë këmbësore. Aktivitetet do të vazhdojnë deri më 7 janar 2027, duke e kthyer qytetin në një destinacion tërheqës për pushimet dimërore.