Lajme Zone
Vdekja e turistes së huaj në Himarë, Policia reagon pas raportimit të JOQ
PolitikëJOQ Albania

Vdekja e turistes së huaj në Himarë, Policia reagon pas raportimit të JOQ

Pas publikimit të lajmit nga JOQ Albania dhe interesimit për një reagim zyrtar lidhur me vdekjen e një turisteje të huaj në Himarë, ka reaguar Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, duke sqaruar rrethanat paraprake të ngjarjes.

Pas publikimit të lajmit nga JOQ Albania dhe interesimit për një reagim zyrtar lidhur me vdekjen e një turisteje të huaj në Himarë, ka reaguar Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, duke sqaruar rrethanat paraprake të ngjarjes.

Sipas policisë, rreth orës 11:45 të datës 30 korrik, Stacioni i Policisë Dhërmi është njoftuar nga Qendra Shëndetësore e Palasës se në ambientet e saj ishte transportuar një shtetase gjermane, M. S., 33 vjeçe, e cila kishte shfaqur probleme shëndetësore.

Autoritetet bëjnë me dije se, pavarësisht ndihmës së menjëhershme mjekësore, 33-vjeçarja nuk ka mundur të mbijetojë.

Nga veprimet paraprake hetimore, dyshohet se bëhet fjalë për një vdekje natyrale, pasi turistja dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e një arresti kardiak.

Policia sqaron se menjëherë pas marrjes së njoftimit janë kryer të gjitha veprimet procedurale në bashkëpunim me grupin hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa materialet i janë referuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme.

Reagimi i policisë vjen pasi më herët JOQ Albania publikoi shqetësimin e qytetarëve për mungesën e një informacioni zyrtar mbi ngjarjen, çka kishte ngritur pikëpyetje mbi rrethanat e vdekjes së turistes.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë

Nisur nga një lajm i publikuar në media në lidhje me humbjen e jetës së një shtetaseje të huaj në Palasë, sqarojmë opinionin publik se:

Rreth orës 11:45, të datës 30.07.2026, Stacioni i Policisë Dhërmi u njoftua nga Qendra Shëndetësore e Palasës se në ambientet e saj ishte dërguar shtetasja gjermane M. S., 33 vjeçe, e cila kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe, pavarësisht ndihmës së menjëhershme mjekësore, humbi jetën.

Nga veprimet e kryera paraprakisht, dyshohet se bëhet fjalë për vdekje natyrale, pasi shtetasja gjermane dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e arrestit kardiak.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kryen të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje, në bashkëpunim me grupin hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë.

Pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë kompetente për veprime të mëtejshme.

Në lidhje me këtë rast, nga ana e Policisë janë kryer të gjitha veprimet në përputhje me procedurat standarde të punës dhe legjislacionin në fuqi.