Një denoncim i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ngre shqetësime për mënyrën se si u trajtuan dy turistë polakë gjatë pushimeve të tyre në bregdetin e Durrësit.
Sipas qytetarit që na ka kontaktuar, ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme në zonën e Plazhit. Ai tregon se djali dhe nusja e tij, të ardhur nga Polonia për pushime, kishin hyrë për t'u larë pranë një moli, pasi uji pranë vijës bregdetare ishte i turbullt.
Pak minuta më vonë, sipas denoncimit, një i ri iu afrua dhe filloi t'u kërkonte me ngulm të merrnin shezllone dhe çadër. Familjarët i shpjeguan se do të largoheshin pas pak minutash dhe se ndodheshin në det për t'u larë.
Në videon e dërguar në redaksinë tonë dëgjohet qartë i riu duke u thënë në anglisht "Go out", duke u kërkuar turistëve të largohen nga zona. Nga pamjet nuk evidentohet që ai të mbajë badge identifikimi apo ndonjë shenjë dalluese që ta identifikojë si punonjës të një subjekti privat apo person të autorizuar.
Denoncuesi, i cili thotë se jeton prej katër vitesh në Durrës, shprehet se turistët mbetën të habitur nga situata dhe nuk e kuptonin pse po u kërkohej të largoheshin nga deti.
"Tek unë kishin ardhur për vizitë djali dhe nusja ime nga Polonia. Ata po laheshin në det pranë molit, sepse pranë bregut uji ishte i turbullt. Një djalë i ri erdhi dhe filloi të na ofronte me ngulm çadrat dhe shezllonet. I thamë se do të largoheshim pas pesë minutash, por ai na tha: ose merrni çadër, ose largohuni. Për këtë arsye e regjistrova videon. Ai nuk kishte as badge dhe asnjë dokument që të tregonte se përfaqësonte ndonjë subjekt", shkruan denoncuesi.
Rasti ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si administrohen disa hapësira në plazhet publike dhe nëse qytetarëve apo turistëve mund t'u kërkohet të largohen nga deti në mungesë të një baze ligjore apo autorizimi të qartë.
JOQ Albania fton institucionet përgjegjëse të verifikojnë rastin dhe të sqarojnë nëse personi në fjalë ishte i autorizuar të ushtronte një kërkesë të tillë ndaj pushuesve, apo bëhet fjalë për një veprim arbitrar që cenon të drejtën e qytetarëve dhe turistëve për të shfrytëzuar lirshëm hapësirat publike bregdetare. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

