Një skenë që ngjan me një film ka qenë ajo e mbijetesës së Lazër Bashit, i cili mbeti i plagosur në pritën e armatosur në Dukagjin, ku u vranë babë e bir, Prelë dhe Lekë Gjoni. Bashi ka treguar përpara grupit hetimor se ndodhej rastësisht në makinë me viktimat dhe ishte në pjesën e pasme të fuoristradës kur autorët hapën zjarr me breshëri nga dy armë të ndryshme. Mes dhjetëra plumbave, ai arriti të shpëtojë duke u shtrirë në automjet, por një plumb e kapi në shpatull.
Pasi autorët u larguan, ai ka pritur për disa minuta dhe më pas ka dalë nga fuoristrada. Ai ka treguar se ka marrë me vete telefonin dhe, me plagën në shpatull e duke humbur gjak, Bashi ka ecur në këmbë për rreth 40 minuta, për afro 2 kilometra, derisa mbërriti pranë një lokali, në zonën ku kryqëzohet rruga e Pultit me atë të Shoshit, ku kishte valë telefonike.
I plagosuri ka dëshmuar se ka ndaluar pastaj pranë një çezme, ku ka pastruar gjakun që i rridhte nga plaga dhe ka pritur transportin drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës.
Për shkak të humbjes së konsiderueshme të gjakut dhe nevojës për trajtim të specializuar, ai është transportuar më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria e Shkodrës vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Deri tani nuk ka një person të identifikuar si autor i dyshuar, ndërsa disa persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje. Deri tani po hetohet nëse babë e bir, Prelë dhe Lekë Gjoni, kanë ndonjë konflikt të mundshëm, por ata nuk njiheshin si persona problematikë. Lekë Gjoni punonte me një kamion, duke transportuar materiale ndërtimi, dhe kishte një eskavator në zonën e Dukagjinit. Top Channel

