Emërimi i Andis Sallës në krye të Ministrisë së Bujqësisë duket se ka sjellë një kthesë të fortë për biznesin familjar. Firma "Salla" sh.p.k., me bazë në Katund të Ri në Elbasan dhe në pronësi të prindërve të tij, Gëzim dhe Merita Salla, ka zgjeruar me shpejtësi aktivitetin në tregtimin e pesticideve dhe plehrave kimike gjatë 9 muajve të fundit.
Sipas të dhënave, shoqëria "Salla" sh.p.k., me objekt importin dhe tregtimin e farërave, fidanëve dhe makinerive bujqësore, për rreth 30 vite ka operuar vetëm në nivel pakice me fitime minimale prej 4 deri në 15 mijë lekësh në muaj. Madje, për periudhën 2023-2025, bilancet e deklaruara nga prindërit e ministrit raportonin humbje financiare nga 3 deri në 4 milionë lekë të reja. Gjendja ka ndryshuar pas marrjes së postit ministror nga i biri. Subjekti i familjes Salla dyshohet se është përfshirë në tregtimin masiv të inputeve bujqësore përmes bashkëpunimit me kompani importuese monopol, duke shërbyer si ndërmjetës mes distributorëve të mëdhenj dhe tregtarëve rajonalë në zonën e Elbasanit e më gjerë.
Përveç ndërmjetësimit në tregun e pesticideve dhe plehrave kimike, ngrihen dyshime se prindërit e ministrit po luajnë rol ndërmjetësues edhe në procedurat administrative që mbulon Ministria e Bujqësisë. Ndër to përmenden tenderët publikë, fondet e financimit, projektet e investimeve, dhënia e tokave me koncesion dhe pajisja me licenca zyrtare.

