Katër raste në Itali brenda pak më shumë se një muaji tregojnë se si regjime jo demokratike si Turqia, Irani dhe Rusia po përdorin njoftimet e kuqe të Interpolit, të krijuara për të ndjekur kriminelët ndërkombëtarë, edhe kundër kundërshtarëve politikë që ndërkohë kanë fituar statusin e refugjatit ose janë bërë shtetas të vendeve europiane. Bilal Cinar është një refugjat politik turk dhe jeton në Zvicër. Kur mbërriti në Itali për pushime në Abruzzo, nuk do ta kishte imagjinuar kurrë se disa ditë më vonë do të përfnte në pranga.
Turqia kishte kërkuar arrestimin e tij përmes Interpolit, duke e akuzuar për terrorizëm.
Që kërkesa e Ankarasë mund të ishte një mënyrë për të vazhduar përndjekjen politike të Cinarit, e kuptoi edhe qeveria italiane, por vetëm pasi ai ishte arrestuar.
Kështu, një pushim i zakonshëm u kthye në burgosje. E njëjta gjë i ndodhi edhe Tural Mammadovit. Me origjinë nga Azerbajxhani, ku kishte mbajtur poste të larta në shërbimet e inteligjencës, ai u arrestua në Romë me kërkesë të vendit të tij të origjinës.
Akuza lidhej me një mashtrim që dyshohet se ishte kryer 10 vjet më parë. Arrestimi i tij ndodhi pavarësisht faktit se në Gjermani gëzonte një formë mbrojtjeje. Edhe për të, pushimet në Itali, u shndërruan në një proces të papritur dhe me burgim.
Një histori të ngjashme ka edhe një 33-vjeçare iraniane, emri i së cilës nuk bëhet publik për arsye sigurie. Ajo është refugjate në Angli, ku studion dhe punon, dhe kishte zgjedhur Italinë për të kaluar pushimet. Sapo mbërriti në Olbia, në Sardenjë, u arrestua me kërkesë të Iranit për një mashtrim të pretenduar.
Sipas saj, vepra penale nuk ekziston, ndërsa Teherani pretendon se ajo është kryer në vitin 2024. Rasti i katërt është ai i Deniz Pektasit. Më 17 gusht, në provincën e Ankonës, u arrestua ky kundërshtar politik komunist i Recep Tayyip Erdogan, i cili jeton në Gjermani dhe është shtetas gjerman.
Pektas po udhëtonte drejt Greqisë dhe ishte vetëm kalimthi në Itali. Ankaraja e akuzon për terrorizëm. Disa organizata europiane që merren me mbrojtjen e disidentëve turq, kanë bërë thirrje për lirimin e tij, duke theksuar se politika e represionit dhe survejimit të shtetit turk po shtrihet edhe përmes mekanizmit të Interpolit.
Të katërta rastet kanë ndodhur mes korrikut dhe gushtit. Katër persona në pak më shumë se një muaj, vetëm në Itali. Në të gjitha rastet, skema është thuajse e njëjtë. Regjime jo demokratike përdorin ‘njoftimet e kuqe’ të Interpolit, të krijuara për të identifikuar dhe ndaluar persona të kërkuar për krime ndërkombëtare, për të ndjekur kundërshtarët e tyre politikë.
Shpesh, këta persona kanë fituar ndërkohë statusin e refugjatit në një vend perëndimor ose janë bërë shtetas të një vendi europian. Problemi shfaqet në momentin kur ata përballen me një kontroll policor. Mund të ndodhë në aeroport, në rrugë ose edhe gjatë regjistrimit në një hotel.
Në sistemin policor shfaqet menjëherë ‘njoftimi i kuq’ i Interpolit, ndërsa statusi i refugjatit ose mbrojtja që gëzon personi mund të mos jetë i dukshëm. Kështu, policia mund të kryejë detyrën e saj dhe të arrestojë një person, që në fakt mbrohet nga e drejta ndërkombëtare.
Nuk është se njoftimi i Interpolit ka më shumë peshë se statusi i refugjatit. Problemi është se njëri shfaqet menjëherë në sistem, ndërsa tjetri jo. Paradoksi është i madh, sepse një mekanizëm i krijuar për të luftuar krimin ndërkombëtar në 196 vendet anëtare të Interpolit mund të kthehet në mjet përndjekjeje politike.
Në këto raste, përgjegjësia nuk bie domosdoshmërisht mbi policët që kryejnë arrestimin, por mbi autoritetet që kanë kërkuar ndalimin. “Rregullorja e Interpolit, parashikon që nuk duhet t’u jepet rrugë kërkesave me natyrë politike ose racore”, shpjegon Riccardo Noury i Amnesty International Italia.
Por në praktikë, thotë ai, gjërat janë më të ndërlikuara. Hulumtimet kanë dokumentuar abuzime me njoftimet e kuqe nga regjime jo demokratike. Në krye të listës është Rusia, e ndjekur nga vende të tjera të hapësirës ish-sovjetike, por raste të tilla janë konstatuar edhe në Turqi dhe Iran.
Amnesty International e ka analizuar këtë problem në një raport të publikuar në janar të këtij viti. Sipas organizatës, në vendet që monitoron, raste të tilla shfaqen të paktën 10 herë në vit.
Edhe UNHCR e ndjek prej kohësh këtë çështje dhe në nëntor 2025 paralajmëroi për përdorimin e njoftimeve të kuqe të Interpolit nga El Salvadori. Katër rastet e fundit në Itali kanë pasur përfundime të ndryshme.
Cinar, i mbrojtur nga avokati Nicola Canestrini, i cili përfaqëson edhe Pektasin, u lirua disa ditë pas arrestimit me kërkesë të Ministrit italian të Drejtësisë, Carlo Nordio. Në një vendim prej dy faqesh, Nordio argumentoi se Cinar, si refugjat politik, gëzon parimin e moskthimit dhe për këtë arsye nuk mund të ekstradohet.
Ministri kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm. Mammadov, i mbrojtur nga avokati Alexandro Tirelli, ndodhet ende në burg, ndërsa mbrojtja shpreson që masa ndaj tij të zëvendësohet me arrest shtëpie. Gruaja iraniane u lirua pasi avokatja e saj, Maria Grazia Sanna, i paraqiti gjykatës materiale të Amnesty International mbi represionin në Iran.
Për Pektas pritet seanca gjyqësore më 20 gusht. Interpoli është përpjekur herë pas here të kufizojë abuzimet me sistemin e njoftimeve të kuqe, por pa rezultate të mjaftueshme. Sipas një hetimi të organizatës franceze Disclose, të publikuar po në janar disa vendeve u është kërkuar të ndryshojnë mënyrën se si përdorin këtë mekanizëm. Në listë përfshihen Rusia, Bjellorusia, Siria, Afganistani, Mianmari dhe Jemeni.
Turqia nuk është pjesë e saj, edhe pse që prej vitit 2021 është vënë nën vëzhgim për shkak të përndjekjes së aktivistëve, disidentëve dhe gazetarëve. Sipas një raporti të brendshëm të Interpolit, të cituar nga Disclose në vitin 2025, vetë organizata ka pranuar se kërkesat e Ankarasë “vazhdojnë të përbëjnë një sfidë”.
Boshllëku i sistemit është i qartë. Sipas avokatëve dhe organizatave që merren me këto raste, zgjidhja nuk mund t’u lihet vetëm procedurave administrative të Interpolit. “Një refugjat politik, i njohur si i tillë nga një shtet europian, u arrestua në Itali para fëmijëve të tij dhe kaloi katër ditë në burg”, thotë avokati Canestrini, duke iu referuar rastit të Cinar.
“Kjo ndodhi sepse njoftimi i Interpolit zbatohet automatikisht, pa u verifikuar nëse kemi të bëjmë me abuzim apo kush është personi që po arrestohet. Nuk është një gabim. Është mënyra se si funksionon sistemi dhe nevojitet ndërhyrje ligjore që kjo të ndryshojë”, thekson ai.
Fakti që nuk bëhet fjalë për raste të izoluara e tregon edhe një tjetër histori, ajo e Mahdi Rahimianit. Vitin e kaluar, iraniani, refugjat në Holandë, u ndalua në Sardenjë për shkak të një njoftimi të kuq të Interpolit dhe një akuze të përgjithshme për mashtrim.
Edhe ai mendonte se statusi i refugjatit e mbronte. Por kaloi disa net në qeli, derisa autoritetet italiane kuptuan se bëhej fjalë për një person që gëzonte mbrojtje ndërkombëtare dhe e liruan.
Një rast tjetër i ngjashëm kishte ndodhur në Napoli në vitin 2023. Një shtetas venezuelian ishte arrestuar me kërkesë të Venezuelës, e cila e akuzonte si kriminel dhe kërkonte ekstradimin e tij. Por Cordero Mendez nuk ishte kriminel. Ai ishte gjyqtar dhe kundërshtar i regjimit të Nicolás Maduro-s.
Për shkak të qëndrimit të tij politik, ishte detyruar të largohej nga Venezuela. Përdorimi i ‘njoftimeve të kuqe’ për qëllime politike nuk është një praktikë e re. Në vitin 2015 bëri bujë rasti i Rachid Meslit, avokatit algjerian dhe mbrojtësit të të drejtave të njeriut, i cili u arrestua në kufirin mes Italisë dhe Zvicrës.
Çështja e tij u zgjidh vetëm pas një beteje të gjatë ligjore. Mesli fillimisht u vendos në arrest shtëpie, më pas u lirua dhe kërkesa për ekstradimin e tij u refuzua. Më shumë se 10 vjet më vonë, problemi vazhdon ende.
Sistemi i ‘njoftimeve të kuqe’ të Interpolit mbetet i ekspozuar ndaj abuzimeve dhe një mekanizëm i krijuar për të luftuar krimin mund të përdoret ende kundër njerëzve që kanë kërkuar strehim nga regjimet e tyre. Për Nouryn, një nga zgjidhjet do të ishte që nga bazat e të dhënave të Interpolit të hiqeshin personat që kanë fituar azil politik dhe të pezulloheshin njoftimet për ata që kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare.
Sot, një person që zbulon se ndaj tij është lëshuar padrejtësisht një njoftim i Interpolit mund të kërkojë anulimin e tij. Por procedura është e gjatë, e ndërlikuar dhe zhvillohet përmes kanaleve administrative. Kjo nuk mjafton për të parandaluar arrestimin e refugjatëve.
Për më tepër, është një rrugë që mund ta ndjekin vetëm ata që kanë njohuritë, paratë dhe mbështetjen ligjore të nevojshme. Një fshirje automatike e njoftimeve për personat që kanë fituar azil, siç propozon Amnesty International, do të kishte një efekt shumë më të gjerë.
Një tjetër mundësi, sipas Nouryt, do të ishte ndjekja e shembullit të Sirisë disa vite më parë: një vend mund të përjashtohet nga Interpoli kur qeveria e tij përdor sistemin për të përndjekur disidentët.
Edhe avokati Tirelli mendon se anëtarësimi në Interpol duhet të rishikohet kur një vend largohet nga demokracia dhe shndërrohet në një regjim autoritar. “Do të ishte e dobishme të përcaktohej, se nëse një qytetar ka fituar mbrojtje në një vend të BE-së ose në një shtet që ka marrëveshje me BE-në në këtë fushë, ai nuk mund të arrestohet brenda territorit europian”, thotë ai.
Për avokatin e Mammadovit, në Itali nevojitet edhe më shumë trajnim për autoritetet.
“Ka shumë ndryshime nga një gjykatë apeli te tjetra. Jo të gjitha kanë të njëjtin nivel përgatitjeje për çështjet e ekstradimit dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Duhet më shumë ndërgjegjësim dhe një njohje më e thellë e kësaj fushe nga profesionistët që merren me të”, shprehet ai.
Në fund, problemi është më i madh se sa një gabim procedural apo një arrestim i gabuar. Kur një shtet autoritar mund të përdorë një mekanizëm ndërkombëtar për të ndjekur një kundërshtar edhe pasi ai ka gjetur strehim në Evropë, kufiri mes luftës kundër krimit dhe përndjekjes politike bëhet shumë i hollë./ Përshtati "Pamfleti" nga "Huffington Post Italia".itali regjime jodemokratike turqia irani rusia Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Trump tërhiqet përkohësisht nga tarifat 50% ndaj Kanadasë: Kemi arritur një marrëveshje 19 Gusht 2026, 19:4019:40Rajoni dhe Bota Portugalia shpall “ligjin e burkës”/ Ndalohen fytyrat e mbuluara në hapësirat publike 19 Gusht 2026, 19:2519:25Rajoni dhe Bota “Ka 57 armë bërthamore”, Trump njofton se do të takohet me Kim Jong Un 19 Gusht 2026, 18:5918:59Rajoni dhe Bota Shkundet presidenca ukrainase, arrestohet zëvendësja e Zelenskyt 19 Gusht 2026, 19:1019:10Rajoni dhe Bota Greqia në 'gatishmëri lufte', gati të zhvendosë në Kretë raketat Patriot 19 Gusht 2026, 17:2217:22Rajoni dhe Bota Vala e të nxehtit godet Europën, zjarre në Spanjë; Franca dhe Italia nën alarm 19 Gusht 2026, 16:2116:21Rajoni dhe Bota

