Lajme Zone
A e ka kaluar Kurti “vijën e kuqe” në marrëdhëniet me BE-në?
PolitikëPamfleti

A e ka kaluar Kurti “vijën e kuqe” në marrëdhëniet me BE-në?

Prishja e fundit e ndërtesave në pronësi të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit në veri të Kosovës ka shtuar fërkimet në marrëdhëniet mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Bashkimit Evropian.

Prishjet e fundit të objekteve pranë liqenit të Ujmanit kanë dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Analistët vlerësojnë se këto veprime po e vështirësojnë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian në një periudhë politike shumë të ndjeshme. Prishja e fundit e ndërtesave në pronësi të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit në veri të Kosovës ka shtuar fërkimet në marrëdhëniet mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Bashkimit Evropian.

Analistët shprehen për European Western Balkans (EWB), theksojnë se këto masa të njëanshme zbatimi, të ndërmarra nga Prishtina, vijnë në një moment shumë të ndjeshëm, pasi nuk është e sigurt nëse Kosova do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme deri në fund të vitit.

Vala më e madhe e prishjeve ndodhi më 21 korrik, e ndjekur nga prishja e hotelit “Jezero”

më 30 korrik. Bashkimi Evropian shprehu shqetësim të thellë për këto zhvillime, të cilat u zbatuan pavarësisht shqyrtimeve gjyqësore në vazhdim.

BE-ja i kërkoi gjithashtu Prishtinës të ndalojë veprimet e mëtejshme. Brukseli vuri në dukje

se ecja përpara me veprime të pakthyeshme ndërkohë që çështjet janë nën shqyrtim gjyqësor përbën shkelje të garancive të duhura administrative dhe të procesit të rregullt ligjor.

Për më tepër, BE-ja u bëri thirrje institucioneve të Kosovës të koordinohen në mënyrë transparente me autoritetet lokale dhe banorët e prekur për të gjetur marrëveshje të qëndrueshme dhe të ligjshme.

Në krahun tjetër, zyrtarët në Prishtinë e kanë përshkruar vazhdimisht nismën si një veprim mjedisor dhe të zbatimit ligjor, që synon mbrojtjen e pronës publike dhe të një prej burimeve ujore më të rëndësishme të Kosovës.

“Prishjet pranë Liqenit të Ujmanit/Gazivodës, kanë prekur tashmë marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, kryesisht duke shkaktuar një dëm në imazh dhe duke dobësuar më tej besimin politik. Çështja kryesore nuk është nëse qeveria e Kosovës ka autoritetin për të zbatuar ligjet e planifikimit dhe për të mbrojtur pronën publike, por nëse veprime të tilla kryhen me proces të rregullt, proporcionalitet dhe qasje në mjete juridike efektive”, deklaron për EWB Ramadan Ilazi, Drejtor Kërkimor në Qendrën e Kosovës për Studime të Sigurisë (QKSS).

Sipas Donika Eminit, hulumtuese në Universitetin e Grazit dhe anëtare e Grupit Këshillimor të Politikave të Ballkanit në Evropë (BiEPAG), “situata e sigurisë në veri do të mbetet gjithmonë e ndjeshme, dhe ajo ka qenë burim mosmarrëveshjeje mes qeverisë së Kosovës dhe BE-së”.

“Megjithatë, prishjet e fundit pranë Liqenit të Ujmanit e vendosin BE-në në një pozicion disi të vështirë. Nga perspektiva e qeverisë së Kosovës, këto ndërhyrje mund të arsyetohen mbi baza mjedisore dhe të sundimit të ligjit.

Ujmani është një burim i rëndësishëm i ujit të pijshëm, ndërtimi në zona të mbrojtura është i kufizuar, dhe përpjekje të ngjashme për të ndërtuar pranë liqeneve të Batllavës dhe Badovcit gjithashtu janë ballafaquar me kundërshtime nga ambientalistët.

Kështu, në letër qeveria mund të argumentojë se thjesht po zbaton të njëjtat rregulla që vlejnë kudo tjetër në Kosovë,” vëren Emini për EWB.

Aleksandar Šljuka, hulumtues në organizatën “Iniciativa e Re Sociale” me seli në Mitrovicë, deklaron për EWB se “përgjigja e BE-së. varet gjithashtu në masë të madhe nga zhvillimet në terren, si dhe nga reagimet e aktorëve të tjerë politikë”.

“Për momentin, s’ka ndonjë përshkallëzim serioz të sigurisë, dhe reagimet e Beogradit nuk ishin aq të forta sa kemi parë në kriza të mëparshme. Kjo tregon se dinamika e përgjithshme e marrëdhënieve ka ndryshuar, pra në krahasim me ngjarjet e viteve 2022 dhe 2024. Prandaj, nuk jam i sigurt se ky rast do të çojë në një ndryshim rrënjësor të qasjes së Brukselit”, vlerëson Šljuka.

Autoritetet e Kosovës, konkretisht Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i shoqëruar nga Policia e Kosovës, prishën 11 vila pranë Liqenit të Ujmanit në komunën e Zubin Potokut.

Veprimi u krye më 21 korrik, me kërkesën e ndërmarrjes publike hidro-ekonomike “Ibër-Lepenc”. Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, deklaroi se shpreh keqardhje për prishjen, e cila ndodhi ndërkohë që banorët e prekur kishin nisur procedurat gjyqësore brenda afatit prej 15 ditësh të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc” për lirimin dhe pastrimin e tokës.

“BE-ja është e shqetësuar për mungesën e një procesi të rregullt ligjor në këtë dhe disa raste të tjera të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti. Ajo bën thirrje për një ndalim të menjëhershëm të çdo prishjeje të mëtejshme, dëbimi me dhunë ose marrjeje në pronësi derisa shqetësimet lidhur me procesin e rregullt, proporcionalitetin, të drejtat e pronësisë, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë adekuate” , thuhet në komunikatën për mediat.

Sipas Zyrës së BE-së, “autoritetet duhet të angazhohen pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë marrëveshje të ligjshme”. Këto veprime të njëanshme u dënuan gjithashtu nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe nga ambasadat e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe në Prishtinë.

Pavarësisht paralajmërimeve nga misionet ndërkombëtare, më 30 korrik hoteli “Jezero” u prish. Kjo u bë një ditë para skadimit të afatit të dhënë nga kompania “Ibar-Lepenac” pronarëve për të liruar pronën.

Pronarët pretendojnë se prona e tyre ishte uzurpuar, por para prishjes ata i hoqën të gjitha orenditë nga ndërtesa, raportoi Vreme. Duke komentuar këto zhvillime, Ramadan Ilazi vë në dukje se vazhdimi i masave të pakthyeshme ndërkohë që procedurat gjyqësore ishin në pritje, dhe pasi BE-ja kishte bërë thirrje publike për ndalim, krijoi përshtypjen se shqetësimet e BE-së mund të merreshin parasysh, por në praktikë u shpërfillën.

“Alternativa Qytetare e Kosovës reagoi publikisht ndaj zhvillimeve në Liqenin e Ujmanit, sepse autoriteti shtetëror duhet të ushtrohet përmes procedurave të parashikueshme dhe transparente, si dhe standardeve të barabarta për çdo komunitet.

Sovraniteti dhe sundimi i ligjit përforcojnë njëri-tjetrin, kur zbatimi respekton të drejtat e pronësisë, shqyrtimin gjyqësor dhe angazhimin kushtetues të Kosovës për multietnicitetin. Pasoja e menjëhershme mund të mbetet më shumë diplomatike dhe reputacionale sesa një ndryshim formal i politikës së BE-së. Por episode të përsëritura të këtij lloji, mund të zvogëlojnë gradualisht kapitalin politik të Kosovës dhe ta bëjnë më të vështirë që ajo të shihet si partner racional, edhe për shkak se këto veprime mbartin pasoja të mundshme sigurie,” thotë Ilazi.

Ai nënvizon se këto ngjarje vijnë në një moment veçanërisht të vështirë për Kosovën.

“Sjellja e partive politike të Kosovës në Kuvend dhe dështimi i tyre i zgjatur për të përmbushur përgjegjësinë për të krijuar institucione funksionale, po e dëmtojnë besueshmërinë e vendit.

Komisioni Evropian e ka lidhur bllokadën politike me mungesën e vullnetit politik, ndërsa BE-ja ka theksuar në mënyrë të përsëritur se Kosovës i duhen institucione funksionale dhe progres i prekshëm në reforma”, përfn Ramadan Ilazi.

Ndërkohë, Donika Emini nënvizon se problemi është se veriu nuk mund të shikohet përmes një lenteje thjesht ligjore apo mjedisore. “Çdo ndërhyrje atje mbart një dimension ndëretnik dhe politik, dhe pikërisht këtu hyjnë shqetësimet e BE-së. Prandaj, pres që kjo çështje të gjenerojë tensione, por nuk do ta shihja domosdoshmërisht si një pikë kthese të madhe në marrëdhëniet Kosovë-BE në vete.

Të dyja palët kanë qenë mjaft të kujdesshme në zgjedhjen e betejave të tyre, dhe gjatë vitit të kaluar, ka pasur edhe fusha ku Kosova ka treguar njëfarë fleksibiliteti ndaj BE-së, përfshirë edhe zbatimin e ligjit për të huajt”, vëren Emini.

Sipas saj, për BE-në “vijat e kuqe” më të ndjeshme ka të ngjarë të mbeten çështje të tilla si Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, veçanërisht nëse Kosova ecën përpara me integrimin e sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit, të cilët janë të lidhur ngushtë me Asociacionin”.

“Në të njëjtën kohë, Kosova po kalon aktualisht një krizë të rëndë politike dhe nuk ka një qeveri plotësisht legjitime, çka e bën më të ndërlikuar hapësirën e angazhimit të BE-së. Kështu, situatën aktuale do ta përshkruaja më tepër si një lojë balancimi delikat, sesa si një konfrontim të ri të drejtpërdrejtë.

Sigurisht, do të ketë sigurisht reagime nga BE-ja, por nëse prishjet do të bëhen një pikë e rëndësishme mosmarrëveshjeje, kjo do të varet kryesisht nga mënyra se sa gradualisht do të veprojnë autoritetet e Kosovës dhe se sa fleksibilitet është e gatshme të tregojë BE-ja”, përfn Emini.

Nga ana e tij, Aleksandar Šljuka nënvizon se, kur bëhet fjalë për integrimin evropian të Kosovës, pasojat e caktuara (të prishjeve të fundit) janë të mundshme, por ato nuk duhet të shihen të izoluara.

“Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE që në dhjetor të vitit 2022, por Këshilli nuk e ka shqyrtuar këtë aplikim deri më sot. Ajo mbetet i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor me statusin e kandidatit të mundshëm. Megjithatë, kjo nuk ndikohet vetëm nga qëndrimi ndaj komunitetit serb, por edhe nga çështje më të gjera të sundimit të ligjit, zbatimit të reformave, si dhe nga faktorë të caktuar të jashtëm”, sqaron Šljuka.

Albin Kurti vizitoi digën te Liqeni i Ujmanit më 4 gusht, duke e cilësuar atë si një “aset të jashtëzakonshëm për Republikën e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj”. Ai e vizitoi vendin i shoqëruar nga Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanoli, dhe Faruk Mujka, Drejtor i ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc”.

Gjatë vizitës, zyrtarët e Kosovës theksuan se kjo ndërmarrje ka qenë duke realizuar fitim për herë të parë që nga fundi i luftës së vitit 1999. “Është interesante sesi Albin Kurti nuk bëri shumë komente publike për prishjet e fundit, e as nuk ishte në plan të parë të komunikimit. Kjo nuk është ndonjë çudi, pasi kryeministri nuk është formalisht drejtpërdrejt përgjegjës për aktivitete të tilla. Prandaj në qendër të vëmendjes, ishin drejtori i ndërmarrjes publike Ibar-Lepenac dhe Ministri i Mjedisit, duke e paraqitur të gjithë procedurën si punë të rregullt të institucioneve kompetente.

Megjithatë, është e vështirë t'i shohësh këto lëvizje të ndara nga qasja më e gjerë që institucionet e Kosovës kanë mbajtur ndaj komunitetit serb që kur Kurti erdhi në pushtet”, vë re Aleksandar Šljuka.

Sipas tij, “si rezultat i kësaj qasjeje, në disa institucione të BE-së dhe ndër disa partnerë ndërkombëtarë, këto zhvillime ka të ngjarë të shihen si vazhdimësi e lëvizjeve të mëparshme të njëanshme, gjë që forcon më tej perceptimin e Kurtit si një partner jo bashkëpunues”.

“Nëse kjo do të çojë në një përgjigje më konkrete, kjo është një tjetër çështje. Përvoja e deritanishme tregon se masat kufizuese të vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës në vitin 2023, nuk prodhuan rezultatet e pritshme”, përfn Šljuka.

Më 10 gusht, presidenti serb, Aleksandar Vuçicc tha se Beogradi zyrtar po shqyrton ndryshimin e rrjedhës së Lumit Ibër brenda Serbisë para se ai të derdhet në Kosovë, gjë që nxiti reagime të ashpra nga Prishtina./ Përshtati "Pamfleti Nga “European Western Balkans”albin kurit marta kos Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kosova Dy rastet e spiunazhit të zbuluara nga Prishtina; pse shërbimi sekret serb interesohet për “qarqet islamiste” në Kosovë? 19 Gusht 2026, 10:3410:34Kosova Çfarë ndodh nëse presidenti i Kosovës nuk zgjidhet deri më 4 tetor? 18 Gusht 2026, 17:4417:44Kosova Presidenti i ri, Kurti takohet me Abdixhikun; Vjosa Osmani e pranishme 18 Gusht 2026, 17:0317:03Kosova Haxhiu pas takimit me partitë: Të gjendet një president konsensual, Kurti së shpejti takim me LDK 18 Gusht 2026, 11:0511:05Kosova Opozita bojkoton takimin e Haxhiut për presidentin, PDK, LDK dhe AAK refuzojnë ftesën 18 Gusht 2026, 09:2909:29Kosova A është veriu i Kosovës gati për një reduktimin e KFOR-it? 17 Gusht 2026, 08:2008:20Kosova