Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e ditës së djeshme në Pezë të Tiranës, ku si pasojë ka humbur jetën një 16-vjeçar dhe është plagosur shoku i tij 15-vjeçar. Sipas gazetares së Top Channel, Doriana Bezat, dy të miturit po udhëtonin me makinën e babait të 16-vjeçarit, kur ky i fundit i cili po e drejtonte mjetin, ka humbur kontrollin, është përplas me skarpatën anësore të rrugës, dhe më pas është përmbysur.
Aksidenti rezultoi fatal për 16-vjeçarin, ndërsa 15-vjeçari mbeti i plagosur dhe u transportua në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Dyshohet se 16-vjeçari e kishte marrë mjetin e të atit pa dijeninë e tij.
Njoftimi i policisë:
Më datë 29.09.2026, rreth orës 22:10, në Pezë-Helmes, shtetasi i mitur 15 vjeç, duke drejtuar pa leje një automjet, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe për pasojë automjeti është përplasur me skarpatën anësore të rrugës, dhe më pas është përmbysur.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit ka humbur jetën, ndërsa pasagjeri, 16 vjeç, është dëmtuar dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Vijon puna për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit. Top Channel

