Lajme Zone
Turizmi nxit konsumin, tregtia rritet 6.8%, shitjet e karburanteve shtohen 8.4%
EkonomiEuronews Albania

Turizmi nxit konsumin, tregtia rritet 6.8%, shitjet e karburanteve shtohen 8.4%

Tregtia me pakicë ka shënuar një rritje prej 6.8% në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2025-ës. Rritjen më të madhe e kanë dhënë artikujt jo-ushqimorë, hidrokarburet dhe produktet ushqimore, duke konfirmuar një ecuri pozitive të shitjeve me pakicë.

Tregtia me pakicë ka shënuar një rritje prej 6.8% në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2025-ës. Rritjen më të madhe e kanë dhënë artikujt jo-ushqimorë, hidrokarburet dhe produktet ushqimore, duke konfirmuar një ecuri pozitive të shitjeve me pakicë. Tregtia me pakicë ka vijuar rritjen gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, me volumin e shitjeve plus 6.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave të INSTAT, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë arriti në 125 pikë. Edhe në raport me tremujorin e parë të vitit, pas përshtatjes sezonale, volumi i shitjeve shënoi një rritje prej 1.6%. Rritja është shënuar si në shitjet e karburanteve, ashtu edhe në aktivitetet e tjera të tregtisë me pakicë. Pa përfshirë hidrokarburet, volumi i shitjeve u rrit me 6.3% në terma vjetorë, ndërsa tregtia e hidrokarbureve në njësi të specializuara u rrit me 8.4%. Kontributin më të madh në rritjen e përgjithshme e kanë dhënë artikujt jo-ushqimorë, me 2.7 pikë përqindje. Pas tyre renditen hidrokarburet, me 2.1 pikë përqindje, ndërsa ushqimet, pijet dhe duhani kanë kontribuar me 2 pikë përqindje. Në bazë të kategorive, shitjet e ushqimeve, pijeve dhe duhanit u rritën me 6%, ndërsa artikujt jo-ushqimorë shënuan një rritje prej 6.4% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025. Edhe në terma tremujorë, tregtia me pakicë ka vijuar të zgjerohet. Artikujt jo-ushqimorë u rritën me 1.9%, ndërsa shitjet e hidrokarbureve me 2.1% krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti. Të dhënat e INSTAT tregojnë kështu një ecuri pozitive të konsumit dhe aktivitetit të shitjeve me pakicë gjatë pjesës së parë të vitit 2026.