Remitancat e emigrantëve kanë shënuar një tjetër rekord, duke arritur në 621 milionë euro në gjashtë muajt e parë të vitit. Por forcimi i lekut ndaj euros po zbeh vlerën e këtyre dërgesave për familjet shqiptare që i këmbejnë në monedhën vendase. Paratë që shqiptarët jashtë vendit u dërgojnë familjeve në Shqipëri kanë shënuar një tjetër rekord. Në gjashtë muajt e parë të vitit, emigrantët kanë sjellë në vend 621.4 milionë euro, me një rritje 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm në tremujorin e dytë, dërgesat arritën në 347 milionë euro, rreth 24% më shumë se një vit më parë. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar për një gjashtëmujor që prej vitit 2008. Brenda vetëm një viti, ekonomisë shqiptare i janë shtuar kështu rreth 89 milionë euro më shumë nga remitancat. Rritja e dërgesave lidhet edhe me ndryshimin e destinacioneve të emigracionit. Përveç Italisë dhe Greqisë, që vijojnë të kenë komunitetet më të mëdha shqiptare, vitet e fundit emigrantët janë zhvendosur drejt vendeve si Gjermania dhe Britania e Madhe, ku pagat më të larta krijojnë më shumë mundësi për të mbështetur familjet në Shqipëri. Rekordi i këtij viti vjen pas një tjetër viti rekord. Në 2025-n, remitancat arritën në rreth 1.12 miliardë euro, duke kaluar për herë të parë ndjeshëm 1 miliardin. Por, pavarësisht rritjes së parave të dërguara, efekti i tyre në ekonominë shqiptare po zbehet nga forcimi i lekut. Euro ka vijuar të humbasë vlerë përballë monedhës vendase, duke zbritur nga rreth 96.6 lekë në janar, në 94.8 lekë në qershor. Kjo do të thotë se e njëjta shumë eurosh, kur këmbehet në Shqipëri, sjell më pak lekë për familjet përfituese.
