Miliona euro fitohen në Shqipëri, ndërsa miliona të tjera ngarkohen si “menaxhim”, garanci dhe interesa ndaj grupit në Estoni. Tatimet kanë hyrë në IuteCredit; tani duhet të tregojnë çfarë kontrolluan dhe pse faturat vazhdojnë të fryhen credits: Pamfleti IuteCredit Albania regjistroi vetëm gjatë vitit 2025 rreth 11.4 milionë euro shpenzime në marrëdhëniet me grupin që e kontrollon, ndërsa 6.3 milionë euro figurojnë vetëm si shërbime menaxhimi dhe 2.26 milionë euro të tjera si garanci. Në gjashtë vjet, menaxhimi, garancitë dhe interesat e regjistruara në marrëdhëniet me grupin kapin rreth 5.7 miliardë lekë. Tatimet e kanë kontrolluar kompaninë për tatim-fitimin e viteve 2020–2021, kur faturat nga mëma kishin arritur ndërkohë në miliona euro.
IuteCredit Albania ka ngritur në Shqipëri një biznes që prodhon miliona euro fitim, ndërsa një pjesë shumë e madhe e parave regjistrohet çdo vit si shpenzim ndaj grupit që e kontrollon. Bilanci i vitit 2025 tregon përmasat e këtij mekanizmi. Kompania regjistroi 605.5 milionë lekë, rreth 6.3 milionë euro, vetëm për shërbime menaxhimi, 218.9 milionë lekë ose rreth 2.26 milionë euro për garanci, ndërsa në tabelën e marrëdhënieve me kompanitë e grupit figurojnë edhe 274.3 milionë lekë, rreth 2.84 milionë euro, si interesa ndaj Iute Group.
Llogaria arrin në afro 1.1 miliardë lekë ose rreth 11.4 milionë euro brenda një viti. IuteCredit Albania ndërkohë deklaroi 421.8 milionë lekë fitim neto, rreth 4.36 milionë euro. Për çdo euro fitim neto që mbeti në bilancin shqiptar, rreth 2.6 euro figurojnë në këto tri kategori shpenzimesh me grupin.
Pesha më e madhe fshihet pas dy fjalëve të thjeshta, “shërbime menaxhimi”. Plot 605,551,819 lekë, rreth 6.3 milionë euro, janë regjistruar si kosto e menaxhimit që IuteCredit Albania merr nga grupi. Në të njëjtin vit, të gjithë punonjësit e kompanisë në Shqipëri kushtuan rreth 362 milionë lekë ose 3.74 milionë euro.
Pra IuteCredit Albania shpenzoi rreth 2.5 milionë euro më shumë për menaxhimin e marrë nga grupi sesa për të gjithë personelin e vet në Shqipëri.
Një faturë prej 6.3 milionë eurosh kërkon një llogari po aq të hollësishme. Çfarë shërbimesh ka marrë konkretisht kompania shqiptare për këtë shumë? Sa kushtoi teknologjia, sa administrimi, sa financa, sa marketingu, sa kontrolli i rrezikut dhe sa shërbimet e tjera që kryhen nga qendra e grupit në Estoni? Mbi çfarë baze është vendosur pjesa që duhet të paguajë Shqipëria dhe sa fitim i është shtuar kostos nga kompania mëmë?
Mbi 6.3 milionë eurot e menaxhimit vendosen edhe 218.9 milionë lekë, rreth 2.26 milionë euro, për “shërbime garancie”. Edhe kjo shumë kërkon të zbërthehet. Çfarë detyrimi ka garantuar Iute Group për kompaninë shqiptare, sa para janë garantuar, kujt i është dhënë garancia dhe çfarë rreziku ka marrë përsipër mëma për të faturuar mbi 2.2 milionë euro brenda një viti?
Vetëm këto dy zëra, menaxhimi dhe garancia, arrijnë në 824.5 milionë lekë ose rreth 8.5 milionë euro. Përballë tyre qëndrojnë rreth 4.36 milionë euro fitim neto të IuteCredit Albania. Fatura e menaxhimit dhe garancisë është pothuajse dyfishi i fitimit që kompania raportoi në Shqipëri.
Shifrat e viteve të mëparshme tregojnë se fluksi ka vite që vazhdon. Në 2020, vetëm shërbimet e menaxhimit kushtonin 214.5 milionë lekë. Një vit më vonë fatura kërceu në 687.7 milionë lekë. Në 2022 arriti 781.8 milionë lekë, në 2023 ishte 651.7 milionë, në 2024 rreth 523.3 milionë dhe vitin e kaluar u ngjit përsëri në 605.5 milionë lekë.
Vetëm shërbimet e menaxhimit arrijnë kështu në rreth 3.46 miliardë lekë gjatë gjashtë viteve, mbi 30 milionë euro po të merret parasysh kursi i këmbimit në secilin vit. Kur llogarisim edhe garancitë dhe interesat e regjistruara në marrëdhëniet me grupin, shuma shkon në rreth 5.7 miliardë lekë, dhjetëra milionë euro që kanë kaluar në bilanc si kosto të lidhura me kompanitë e së njëjtës pronësi.
Këtu hyn në lojë tatim-fitimi. Shqipëria e taton fitimin e kompanive me 15 për qind. Çdo shpenzim që njihet si kosto zbritet përpara se të llogaritet fitimi mbi të cilin paguhet tatimi. Sa më e madhe kostoja e njohur, aq më e vogël shuma që mbetet për t'u tatuar.
Mjafton të shohësh 605.5 milionë lekët e menaxhimit të vitit 2025 për të kuptuar peshën fiskale. Pesëmbëdhjetë për qind e kësaj shume janë rreth 90.8 milionë lekë ose afro 940 mijë euro. Nëse llogaria zgjerohet edhe te 218.9 milionë lekët e garancisë, dy zërat së bashku arrijnë 824.5 milionë lekë dhe 15 për qind e kësaj shume janë rreth 123.7 milionë lekë, afro 1.28 milionë euro.
Për këtë arsye ligji shqiptar u kërkon kompanive që bëjnë transaksione me pronarin ose me shoqëritë e së njëjtës pronësi të justifikojnë çmimet. Fatura duhet të jetë e krahasueshme me atë që do të paguhej mes dy kompanive të pavarura. Pragu për deklarimin e këtyre transaksioneve është 50 milionë lekë. Vetëm fatura vjetore e menaxhimit të IuteCredit Albania e kalon këtë prag më shumë se 12 herë.
Në këtë histori Tatimet shqiptare kanë qenë brenda kompanisë. Pasqyrat financiare të Iute tregojnë se gjatë vitit 2023 administrata tatimore kontrolloi tatim-fitimin për vitet 2020 dhe 2021. Pikërisht në këto dy vite, vetëm shërbimet e menaxhimit kishin arritur në rreth 902 milionë lekë, mbi 7 milionë euro sipas kurseve të periudhës. Bashkë me garancitë, faturat kalonin 1.2 miliardë lekë.
Pra Tatimet kishin përpara syve një volum të madh faturash mes kompanisë shqiptare dhe grupit që e kontrollon.
A u hapën kontratat që qëndronin pas tyre? A u kontrollua sa kishte shpenzuar realisht qendra e Iute në Estoni për shërbimet e ofruara në Shqipëri? A u verifikua mënyra se si këto shpenzime ishin ndarë mes filialeve? A u kontrollua fitimi që mëma i shtonte faturës? A u krahasua çmimi me atë që do të kërkonte një kompani e pavarur për të njëjtin shërbim?
Përgjigjet janë të rëndësishme edhe për një arsye tjetër. IuteCredit Albania ka strukturën e vet në Shqipëri dhe paguan rreth 3.74 milionë euro në vit për personelin vendas. Ndërkohë nga Estonia i vjen edhe një faturë prej 6.3 milionë eurosh për menaxhim. Tatimet duhet të kenë parë nëse shërbimet e paguara në Estoni plotësojnë punën e bërë në Shqipëri apo në faturë janë përfshirë funksione që kompania shqiptare i kryen ndërkohë me njerëzit e saj. /Pamfletiiute credit albania iute iutecredit estoni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Ekonomi Nafta e shtrenjtë nuk frenon konsumin, shitjet rriten edhe me 200 lekë litri 15 Shtator 2026, 15:5815:58Ekonomi Delina Ibrahimaj: Bonusi mujor për pensionistët do të dyfishohet nga 1 janari 2027 15 Shtator 2026, 13:2613:26Ekonomi Nafta “djeg” xhepat e shqiptarëve/ Më e shtrenjta në Europë në raport me të ardhurat 15 Shtator 2026, 07:4007:40Ekonomi Euro dhe paundi të dobët përballë lekut, mësoni me sa shiten e blihen monedhat e huaja sot 15 Shtator 2026, 07:1907:19Ekonomi Pompa e shtrenjtë shqiptare, nafta 45 për qind mbi rajonin; shkak taksat 14 Shtator 2026, 19:3319:33Ekonomi Nafta mbi 100 dollarë, tregjet po hyjnë në zonën e rrezikut 14 Shtator 2026, 15:2915:29Ekonomi

