Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ndaj raportimeve se Kina mund t’i furnizojë Iranin me pajisje ushtarake për forcimin e mbrojtjes ajrore, duke deklaruar se do të ishte i zhgënjyer nëse një gjë e tillë do të ndodhte. Sipas një raportimi të Reuters, Irani pritet të marrë deri në 400 lëshues raketash të mbrojtjes ajrore me shpatull të prodhuara në Kinë. Bëhet fjalë për një marrëveshje që vlerësohet mes 60 dhe 70 milionë dollarë dhe që do të ishte një nga përpjekjet më të mëdha të Teheranit për të rritur kapacitetet e mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër veprimi.
I pyetur nga gazetarët në Zyrën Ovale për këtë çështje, Trump tha se presidenti kinez Xi Jinping e di që një zhvillim i tillë do ta zhgënjente. “Ai e di që unë do të zhgënjehesha shumë”, u shpreh Trump.
Më herët, sipas presidentit amerikan, Xi Jinping e kishte siguruar se Kina nuk do ta furnizonte Iranin me armë.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kinës ka mohuar raportimet, duke i cilësuar ato si të pabazuara. “Raportet përkatëse janë krejtësisht të pabaza. Kina ka luajtur vazhdimisht një rol në promovimin e paqes dhe përfundimin e konfliktit”, deklaroi Ministria e Jashtme kineze.
Raportimet për furnizime të mundshme ushtarake për Iranin vijnë në një kohë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe pas përshkallëzimit të përplasjeve mes Teheranit dhe Uashingtonit. Top Channel

