Lajme Zone
Trump po humbet durimin në luftën me Iranin, rrezikon të fusë në kaos Lindjen e Mesme
PolitikëPamfleti

Trump po humbet durimin në luftën me Iranin, rrezikon të fusë në kaos Lindjen e Mesme

Sipas një personi që ka dëgjuar komentet e tij gjatë një takimi të fundit në Zyrën Ovale, Trump shpërtheu në akuza kundër udhëheqësve iranianë, duke i quajtur ata "llum" dhe "të çmendur", ndërsa përdori edhe një sërë ofendimesh.

Donald Trump Burime pranë administratës amerikane thonë se presidenti amerikan po humbet besimin tek negociatat dhe po anon gjithnjë e më shumë drejt vazhdimit të operacioneve ushtarake. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po shfaq gjithnjë e më shumë frustrim për luftën me Iranin, e cila ka hyrë në muajin e pestë, ndërsa konflikti që ai kishte menduar se do të përfnte brenda pak javësh vazhdon pa një fund të dukshëm. Kështu raporton The Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë të administratës dhe persona të afërt me presidentin.

Sipas një personi që ka dëgjuar komentet e tij gjatë një takimi të fundit në Zyrën Ovale, Trump shpërtheu në akuza kundër udhëheqësve iranianë, duke i quajtur ata "llum" dhe "të çmendur", ndërsa përdori edhe një sërë ofendimesh.

Burime të administratës thonë se presidenti është gjithnjë e më i irrituar nga fakti se konflikti vazhdon të rëndojë mbi presidencën e tij. Lufta ka sjellë rritje të çmimeve, rënie të mbështetjes publike dhe vdekjen e më shumë se dhjetra ushtarakëve amerikanë, ndërsa disa këshilltarë të tij druhen se kjo situatë po dëmton edhe perspektivat e Partisë Republikane në zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit.

Trump ka tentuar prej muajsh ta mbyllë konfliktin. Në prill ai shpalli një armëpushim pasi kishte kërcënuar se do t'i jepte fund "gjithë qytetërimit" të Iranit. Në qershor ai njoftoi se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kishin nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, periudhat e qeta rezultuan jetëshkurtra dhe luftimet rifilluan shpejt.

Sipas personave të njohur me zhvillimet, ditët e fundit Trump është bërë gjithnjë e më skeptik se negociatat mund të sjellin një paqe të qëndrueshme. Një zyrtar i lartë i administratës tha se presidenti beson se Irani kupton vetëm forcën ushtarake dhe se ndodhet në një "fazë hakmarrjeje" ndaj Teheranit. Sipas të njëjtit burim, Trump nuk sheh shumë alternativa përveç vazhdimit të sulmeve.

Gjatë dy javëve të fundit, SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer sulme, duke e përshkallëzuar konfliktin pasi armëpushimi i brishtë u shpërbë. Të mërkurën, militantët Houthi sulmuan dy cisterna saudite në Detin e Kuq, duke shkaktuar rritje të fortë të çmimeve të naftës. Pas këtij incidenti, Trump paralajmëroi Iranin me "ndëshkim të madh ushtarak" nëse sulmet e Houthive vazhdojnë.

Ndërkohë, Uashingtoni po dërgon forca shtesë, personel mjekësor dhe armatime në Lindjen e Mesme për t'i dhënë presidentit më shumë alternativa ushtarake në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm. Megjithatë, zyrtarë amerikanë pranojnë se Irani ka arritur t'u mbijetojë valëve të mëparshme të bombardimeve dhe se një fushatë e gjatë ushtarake mund të pakësojë rezervat amerikane të municioneve dhe të dobësojë mbështetjen e opinionit publik.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se Irani kishte shkelur memorandumin e mirëkuptimit me SHBA-në, kishte sulmuar anije tregtare dhe kishte vrarë ushtarë amerikanë.

"Presidenti Trump nuk do të qëndrojë duarkryq përballë këtij sjelljeje terroriste. Irani po paguan dhe do të vazhdojë të paguajë derisa të ulet në tryezën e negociatave në mënyrën që presidenti e konsideron kuptimplotë", tha ajo.

Sipas raportimit, lufta ka krijuar tensione edhe në marrëdhëniet mes Trumpit dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, një prej aleatëve të tij më të afërt në këtë konflikt.

Një zyrtar i lartë i administratës tha se Trump ka shprehur disa herë pakënaqësi ndaj Netanyahut, madje u ka thënë bashkëpunëtorëve se nuk dëshiron të bisedojë apo të takohet me të. Sipas të njëjtit burim, pala izraelite ka kërkuar organizimin e një takimi mes dy liderëve, por deri tani nuk është marrë një vendim përfundimtar. Ambasada izraelite në Uashington nuk pranoi të komentojë.

Konflikti ka sjellë pasoja edhe në aspektin e sigurisë personale të presidentit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Sipas personave të njohur me çështjen, disa këshilltarë të lartë janë paralajmëruar nga agjencitë amerikane të inteligjencës se Irani mund të jetë duke planifikuar atentate ndaj tyre dhe u është rekomanduar të shmangin përdorimin e shërbimeve civile të transportit.

Gjatë pjesëmarrjes së Trump në një samit ndërkombëtar në Turqi, ai u informua për të dhëna të inteligjencës izraelite që flisnin për një plan të ri iranian për ta vrarë. Një pjesë e zyrtarëve amerikanë e cilësuan këtë informacion si jo të besueshëm, ndërsa të tjerë thanë se bëhej fjalë për një kërcënim më shumë teorik sesa operacional. Megjithatë, ky informacion ndikoi në vendimin e presidentit për të përdorur një version më të vjetër të avionit presidencial Air Force One gjatë largimit nga Turqia.

Sipas The Wall Street Journal, Trump reagoi me zemërim pasi The New York Times publikoi arsyet e ndryshimit të avionit, duke e konsideruar rrjedhjen e informacionit si një rrezik serioz për sigurinë kombëtare. Disa zyrtarëve të administratës u është kërkuar të dorëzojnë telefonat e tyre ndërsa po zhvillohet një hetim për identifikimin e personit që zbuloi informacionin.

Ndërsa lufta vazhdon, presidenti është bërë gjithnjë e më pak optimist se mund të arrihet një marrëveshje diplomatike me Iranin. Burime pranë administratës thonë se ai u është ankuar këshilltarëve se është e vështirë të kuptohet se kush flet në emër të udhëheqjes iraniane dhe se sa herë që Uashingtoni beson se ka bërë përparim në negociata, Irani vazhdon sulmet.

Muajin e kaluar, Trump kishte shfaqur optimizëm për memorandumin e mirëkuptimit lidhur me Ngushticën e Hormuzit dhe kishte minimizuar paralajmërimet e disa aleatëve republikanë që besonin se Teherani nuk do ta respektonte marrëveshjen. Sipas një zyrtari të administratës, presidenti thjesht dëshironte që konflikti të merrte fund.

Dy negociatorët kryesorë të Trumpit, Jared Kushner dhe i dërguari special Steve Witkoff, vazhdojnë të besojnë se një marrëveshje me Iranin është ende e mundur. Megjithatë, këshilltarë të tjerë të presidentit janë shumë më skeptikë për mundësinë e arritjes së paqes.

Lufta ka thelluar gjithashtu ndarjet brenda kampit konservator amerikan. Disa republikanë pranë Shtëpisë së Bardhë druhen se konflikti mund të ketë pasoja të rënda politike në zgjedhjet e mesmandatit. Edhe figura të njohura konservatore, si moderatorja e Fox News Laura Ingraham, kanë shprehur publikisht shqetësime për ndikimin që lufta mund të ketë mbi republikanët.

Steve Bannon, ish-këshilltar i Trumpit, deklaroi: "Netanyahu na ka futur në një konflikt të tmerrshëm të mbushur me gënjeshtra. Njerëzit po e shohin vetë se çfarë po ndodh."

Ndërkohë, drejtuesit kryesorë të Shtëpisë së Bardhë po përpiqen ta zhvendosin vëmendjen drejt ekonomisë. Këtë javë Trump mori pjesë në ceremoninë mortore për katër ushtarakët amerikanë të vrarë së fundmi në Lindjen e Mesme dhe më pas udhëtoi në shtetin e Xhorxhias, ku promovoi iniciativa ekonomike dhe premtoi masa për uljen e kostos së jetesës.

"Nëse po paguani pak më shumë, një pjesë e mirë e çmimeve tashmë ka filluar të bjerë dhe do t'i ulim shumë shpejt", u tha Trump pjesëmarrësve në një shkollë të mesme në Xhorxhia.

Sipas personave të njohur me diskutimet në Shtëpinë e Bardhë, gjatë një takimi në Zyrën Ovale presidenti u ka kërkuar këshilltarëve të ushtrojnë presion ndaj kompanive të naftës dhe pikave të shitjes së karburanteve për të ulur çmimet, duke argumentuar se kompanitë duhet ta bëjnë këtë për shkak të mbështetjes që administrata e tij u ka dhënë.

Burimet thonë se ndihmësit e presidentit kanë zhvilluar një seri takimesh për të gjetur mënyra për uljen e çmimeve të karburanteve para zgjedhjeve të mesmandatit. Megjithatë, sipas tyre, vetë Trump është më pak i shqetësuar për pasojat elektorale të luftës sesa këshilltarët e tij dhe republikanët në Kongres.

Pavarësisht vështirësive, Trump vazhdon të mbetet i bindur, si në publik ashtu edhe në biseda private, se Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore. Sipas një personi të njohur me qëndrimet e tij, presidenti beson se një fushatë intensive bombardimesh mund ta detyrojë Teheranin të dorëzohet.

"Për mendimin tim, ai beson se i dha një shans paqes. Tani po rikthehet te Plani A, që është operacioni ushtarak", tha kongresmeni republikan Michael McCaul, një nga anëtarët më të lartë të Komisionit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve./Përshtatur nga “The Wall Street Journal”trump lufta me iranin kaos lindjen e mesme Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Rrjeti "The Com", kërcënimi i ri global që synon fëmijët dhe adoleshentët në internet 24 Korrik 2026, 17:3317:33Rajoni dhe Bota Zjarret masive në Francë dhe Spanjë, evakuohen dhjetëra mijëra banorë e turistë 24 Korrik 2026, 17:2917:29Rajoni dhe Bota Cili do të jetë fati i luftës? Trump thërret Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë 24 Korrik 2026, 17:2917:29Rajoni dhe Bota Jepet alarmi, çmimi i naftës mund të thyejë rekorde 24 Korrik 2026, 16:4016:40Rajoni dhe Bota BE godet bankat ruse, kursen Raiffeisen Bank që mban në këmbë makinerinë e luftës 24 Korrik 2026, 16:1216:12Rajoni dhe Bota Si e përmbysi Trump marrëveshjen bërthamore saudite brenda 24 orëve pas nënshkrimit të saj 24 Korrik 2026, 14:4614:46Rajoni dhe Bota