Dy persona të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, janë ekstraduar nga Kolumbia dhe Italia. Sipas njoftimit zyrtar, në bashkëpunim me Interpol Bogotën dhe Interpol Romën, autoritetet shqiptare kanë mundësuar ekstradimin e shtetasit kolumbian Samir Rosales Rodriguez, 53 vjeç, dhe të shtetasit shqiptar Fadil Ternova, 38 vjeç.
53-vjeçari kolumbian ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi GJKKO i kishte caktuar në vitin 2022 masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka shoqëruar një kontejner me lëndë narkotike, i nisur nga porti Buenaventura në Kolumbi, i cili kaloi përmes portit të Pireut në Greqi dhe më pas në portin e Tivarit në Mal të Zi, me destinacion final Shqipërinë.
Hetimet kanë zbuluar se marrësi i ngarkesës ishte një shtetas shqiptar, ndërsa 53-vjeçari kishte ndjekur të gjithë itinerarin e transportit të drogës deri në mbërritjen në destinacion.
Në kuadër të të njëjtit operacion u ekstradua nga Italia edhe shtetasi Fadil Ternova, 38 vjeç, lindur në Bulqizë, i kërkuar për disa vepra penale.
Sipas Policisë, ndaj tij rëndojnë akuzat për tentativë vrasjeje me armë zjarri, armëmbajtje pa leje, goditje për shkak të detyrës, si dhe një dënim të mëparshëm për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
Hetimet tregojnë se në vitin 2024, në aksin rrugor Bulqizë-Tiranë, ai dyshohet se tentoi të vriste me armë automatike shtetasin A. P., pas një konflikti verbal për motive të dobëta.
Policia e Shtetit bën me dije se operacioni “The Wanted” vijon, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim lokalizimin dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Top Channel

