Dy persona kanë humbur jetën pas rrëzimit të një avioni të vogël në një zonë të banuar në qytetin Limburgerhof, në jugperëndim të Gjermanisë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 16 maj, rreth orës 11:30 sipas kohës lokale. Sipas raportimeve të transmetuesit publik gjerman SWR, avioni dyshohet se shpërtheu në ajër përpara se të përplasej në zonën e banuar.
Zëdhënësi i policisë, Thorsten Mischler, konfirmoi se dy personat që ndodheshin në bord humbën jetën nga aksidenti. Ndërkohë, sipas raportimit të SWR-së, të paktën një person tjetër mbeti i plagosur.
Dëshmitarët okularë kanë deklaruar se avioni preku një banesë përpara se të rrëzohej. Mbetjet e tij u shpërndanë në një zonë të gjerë përreth vendit të ngjarjes. Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie dhe ekipe emergjence, ndërsa zona u rrethua për të lehtësuar hetimet.
Një helikopter i policisë kreu fotografime ajrore për dokumentimin e vendit të aksidentit. Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit të avionit. Top Channel

