Një ngjarje e rëndë ka tronditur Greqinë. Një 52-vjeçare, e akuzuar për abuzim seksual dhe shfrytëzim të vajzës së saj 9-vjeçare, është dënuar me 15 vite burg pa mundësi lirimi me kusht. Gjykata e Përzier e Krimeve të Rënda në Larisa nuk i njohu asnjë rrethanë lehtësuese. Rasti u zbulua në korrik të vitit 2025, kur gruaja u arrestua dhe u la në paraburgim. Gjatë procesit gjyqësor, ajo pranoi akuzat, duke pretenduar se kishte vepruar nën ndikimin e një personi të tretë dhe se e kishte bërë këtë për shkak të vështirësive financiare. Sipas mediave greke, vajza përballej me probleme serioze shëndetësore dhe jetonte në kushte të mjerueshme. Në banesën ku qëndronte nuk kishte as energji elektrike dhe as ujë, ndërsa nëna nuk arrinte t’i siguronte as ushqimin e nevojshëm. Në vitin 2022, 52-vjeçarja e kishte dërguar të bijën në një institucion, pasi kishte deklaruar se nuk mund të kujdesej më për të. Më pas, organizata bamirëse mblodhën fonde që fëmija të rikthehej në shtëpi. Sipas të dhënave të çështjes, pikërisht pas këtij momenti vajza nisi të përjetonte abuzimin. Në një deklaratë për mediat greke në janar 2022, gruaja kishte folur për vështirësitë ekonomike, duke përmendur borxhe prej 10 mijë eurosh ndaj kompanisë së energjisë elektrike dhe 2 650 eurosh ndaj ndërmarrjes së ujësjellësit. Ajo ishte shprehur se mund të punonte si rrobaqepëse nga shtëpia, në mënyrë që të kujdesej njëkohësisht për vajzën. Sipas dosjes gjyqësore, nëna kishte kryer akte seksuale me të bijën, ndërsa i filmonte dhe më pas shiste materialet pornografike. Gjatë hetimeve, në posedimin e saj u gjetën të paktën 17 fotografi me përmbajtje seksuale eksplicite, ku shfaqeshin fytyrat e të dyjave.
52-vjeçarja akuzohej për prodhimin, shpërndarjen, ofrimin, sigurimin dhe posedimin e materialeve pornografike me fëmijë, si dhe për akte seksuale me të mitur nën moshën 12 vjeç dhe marrëdhënie seksuale mes të afërmve në vijë të drejtpërdrejtë. Sipas akuzës, veprimet ishin kryer në mënyrë të përsëritur. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

