Irani po përpiqet të sigurojë sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore nga Rusia, në një kohë kur Teherani synon të rindërtojë kapacitetet e tij ushtarake pas sulmeve amerikane dhe izraelite. Sipas një raportimi të gazetës britanike “The Telegraph”, në qendër të negociatave mes dy vendeve janë sistemet ruse S-400, të cilat Irani ka kërkuar t’i blejë prej vitesh, por deri më tani nuk ka arritur të sigurojë dorëzimin e tyre.
Një zyrtar i lartë iranian i ka thënë medias britanike se Teherani është tashmë “optimist” se presidenti rus Vladimir Putin do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së tij të kahershme. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, dërgoi të enjten në Kremlin shefin e tij të sigurisë, Mohsen Rezaei, me një letër personale drejtuar presidentit rus.
Sipas zyrtarit iranian, kërkesa kryesore e përcjellë përmes kësaj letre lidhej me furnizimin e Iranit me sisteme specifike armësh.
Gjatë takimit në Moskë, Rezaei konfirmoi se me Putinin u diskutuan çështje të rëndësishme të sigurisë rajonale, zhvillimet që pritet të përcaktojnë periudhën e pasluftës, si dhe marrëveshjet e mundshme të sigurisë në rajon. Në agjendë ishte gjithashtu edhe ndërtimi i një tubacioni të ri gazi që do të lidhë Rusinë me Iranin.
Këto negociata vijnë në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar publikisht se Rusia nuk po e ndihmon Iranin “aspak”.
S-400, prioritet për rindërtimin e mbrojtjes iraniane
Blerja e sistemeve ruse S-400 konsiderohet një nga prioritetet kryesore të Teheranit, pasi sulmet amerikane dhe izraelite kanë shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të kapaciteteve të mbrojtjes ajrore të vendit.
Goditjet kanë nxjerrë në pah dobësitë e Iranit në mbrojtjen e hapësirës së tij ajrore, objekteve bërthamore dhe drejtuesve të lartë të regjimit. Gjatë luftës u vra edhe ish-udhëheqësi suprem Ali Khamenei.
Megjithatë, Rusia ka treguar kujdes për vite me radhë në lidhje me furnizimin e Iranit me sistemet S-400. Sipas analistëve dhe zyrtarëve rajonalë, Moska ka shmangur deri më tani përfundimin e një marrëveshjeje të tillë, për të mos rrezikuar marrëdhëniet me Izraelin dhe vende të tjera të rajonit.
Një tjetër pengesë mund të jetë edhe situata ushtarake e vetë Rusisë. Moska po përballet me presion të vazhdueshëm nga sulmet ukrainase me raketa dhe dronë me rreze të gjatë veprimi ndaj rafinerive, bazave ajrore dhe objekteve të tjera. Kjo mund të kufizojë rezervat e saj dhe mundësinë për të përmbushur kërkesat iraniane.
Dokumentet zbulojnë prodhimin e pajisjeve ushtarake ruse për Iranin
Ndërkohë, dokumente të industrisë ruse të mbrojtjes, të publikuara së fundmi, tregojnë se Rusia ka nisur prodhimin e pajisjeve për raketa të lëshuara nga helikopterët, të cilat janë destinuar për Iranin.
Sipas “The Telegraph”, fabrikat shtetërore ruse po prodhojnë lëshues të specializuar raketash në kuadër të një kontrate eksporti me emrin e koduar “K-10”. Një prej dokumenteve specifikon se ky kod i referohet Iranit.
Pajisjet përfshijnë sisteme lëshimi për raketën precize LMUR, e njohur edhe si Produkti 305. Një plan dorëzimi i vitit 2024 parashikonte furnizimin e një fabrike ruse me njësi fuqie për 90 lëshues të dyfishtë, me Iranin të përcaktuar si marrësi përfundimtar dhe me afat dorëzimi deri në dhjetor 2025.
Plani sekret i Teheranit për t’i bërë ballë një lufte me SHBA-në
Përtej marrëveshjeve konkrete të armëve, raportimi i gazetës britanike zbulon edhe një strategji më të gjerë të udhëheqjes iraniane për mbijetesën e regjimit në rast të një konflikti të madh ushtarak me Shtetet e Bashkuara.
“The Telegraph” pretendon se ka siguruar dokumente konfidenciale që përmbajnë propozime të paraqitura udhëheqjes iraniane për përballimin e një lufte të mundshme. Rekomandimet janë hartuar nga një komitet sekret i parlamentit iranian përpara nisjes së luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, në shkurtin e kaluar.
Dokumentet vendosin theks të veçantë te forcimi i marrëdhënieve ushtarake me Rusinë dhe Kinën, me synimin për të krijuar një kundërpeshë ndaj ndikimit amerikan.
Autorët rekomandojnë forcimin e mbrojtjes ajrore, zgjerimin e kapaciteteve raketore dhe zhvillimin e mjeteve ajrore pa pilot. Në të njëjtën kohë, kërkohet ndërtimi i marrëdhënieve strategjike me fuqi globale që nuk ndjekin politikën e Uashingtonit.
Memorandumi thekson se rezistenca e popullit iranian ndaj presionit të jashtëm gjatë katër dekadave të fundit ka treguar se strategjia e dobësimit të regjimit nga brenda nuk është e lehtë për t’u realizuar.
Ndër masat e propozuara përfshihen edhe forcimi i të ashtuquajturës “ekonomi e rezistencës”, ulja e varësisë nga të ardhurat prej naftës dhe zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik e ushtarak me Moskën dhe Pekinin.
Teherani synon gjithashtu të forcojë marrëdhëniet me vendet fqinje, për të parandaluar krijimin e një fronti të përbashkët kundër tij, si dhe të rrisë rolin e vet në organizata ndërkombëtare, përfshirë Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait.
Ngushtica e Hormuzit, një pikë kyçe në strategjinë iraniane
Një pjesë e rëndësishme e dokumenteve i kushtohet edhe rëndësisë strategjike të Lindjes së Mesme, veçanërisht kontrollit mbi rrugët kryesore të transportit të energjisë dhe tregtisë ndërkombëtare.
Sipas memorandumit, rajoni përmban rreth 60% të rezervave botërore të naftës dhe 40% të rezervave të gazit natyror. Në të ndodhen gjithashtu tri nga kalimet më të rëndësishme strategjike në botë: Ngushtica e Hormuzit, Ngushtica Bab el-Mandab dhe Kanali i Suezit.
Dokumenti vlerëson se rreth një e treta e tregtisë detare botërore të naftës dhe kontejnerëve kalon përmes këtyre korridoreve, duke i cilësuar ato si pika me rëndësi të jashtëzakonshme për ekonominë dhe sigurinë energjetike globale.
Pikërisht kjo rëndësi shpjegon, sipas analizës së publikuar nga “The Telegraph”, edhe vendimin e Iranit për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit në fund të shkurtit.
Në dokument thuhet se Uashingtoni e konsideron diplomacinë si rrugën përfundimtare për zgjidhjen e çështjes bërthamore iraniane, ndërsa strategjia amerikane synon gjithashtu forcimin e bashkëpunimit të Izraelit me vendet e tjera të rajonit.
Memorandumi ndalet edhe te ndikimi i sanksioneve ndërkombëtare, të cilat, sipas autorëve, kanë penguar zhvillimin e teknologjisë ushtarake iraniane dhe kanë vështirësuar blerjen e avionëve luftarakë dhe pjesëve rezervë.
Megjithatë, dokumenti argumenton se kufizimet kanë nxitur njëkohësisht zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes. Si shembuj përmenden sistemi iranian i mbrojtjes ajrore Bavar-373 dhe dronët Shahed-136 dhe Ababil.
Në këtë kontekst, përpjekjet për të siguruar sistemet S-400 nga Rusia shihen si pjesë e një strategjie më të gjerë të Teheranit për të rikthyer fuqinë ushtarake dhe për të rritur aftësinë e tij për t’i bërë ballë një konflikti të mundshëm me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre. Top Channel

