Lajme Zone
Tirana digjet, arka mbushet/ Ku shkuan miliardat e betonit?
PolitikëCNA

Tirana digjet, arka mbushet/ Ku shkuan miliardat e betonit?

Ekspertja e politikës, Ilda Zhulal, ka bërë një reagim në ...

Ekspertja e politikës, Ilda Zhulal, ka bërë një reagim në rrjetet sociale lidhur me situatën e zjarreve në kryeqytet dhe punën e Bashkisë Tiranë për menaxhimin e tyre.

Zhulali shprehet se sipas një raporti të Bashkisë Tiranë gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti janë vjelë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë 12.47 miliardë lekë, kundrejt 5.3 miliardë lekë të planifikuara, pra 235% mbi plan.

Ajo shton më tej se nga kjo shumë, bashkia ka investuar në qytet vetëm 11% të planit vjetor, konkretisht vetëm 2 miliardë lekë nga 18.9 miliardë të premtuara.

Zhulali thotë se ajo që e bën situatën edhe më skandaloze është fakti se fondi i kushtëzuar i emergjencave civile, që duhet të financojë masat parandaluese e rehabilituese kundër zjarreve, përmbytjeve e fatkeqësive, nuk është përdorur fare në 6 muajt e parë të 2026-s.

Sipas saj kjo bashki “gjen kohë për të lëshuar leje ndërtimi me shpejtësi rekord, por nuk gjen kohë e as para për të mbrojtur qytetin nga zjarri”.

Postimi i plotë: TIRANA DIGJET, ARKA MBUSHET! KU SHKUAN MILIARDAT E BETONIT?!

Raporti i Bashkisë Tiranë thotë se gjatë janar-qershor 2026 janë vjelë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë (taksa që paguajnë zhvilluesit për çdo pallat e kullë të re) 12.47 miliardë lekë, kundrejt 5.3 miliardë lekë të planifikuara. Pra 235% mbi plan! Krahasuar me 6-mujorin e 2025, rritja shkon në 362%!!!

Kjo është dëshmi shifrore e asaj që të gjithë e shohim, se si Tirana po mbytet nga betoni. Lejet e ndërtimit po jepen si karamele, kulla mbi kulla, pa plan, pa fre, pa asnjë kriter urbanistik.

Dhe nga këto miliarda që po grumbullohen mbi kurrizin e këtij kaosi urban, Bashkia ka investuar në qytet vetëm 11% të planit vjetor. Vetëm 2 miliardë lekë nga 18.9 miliardë të premtuara. Krahasuar me vitin e kaluar, investimet U ULËN me 21%!

Thënë thjesht, Bashkia po mbush arkën me paratë e betonizimit të pafre, dhe në vend që t'i kthejë në rrugë, kanalizime, shkolla, kopshte, hapësira të gjelbra, i mban në sirtar apo i shpërndan kushedi ku, ndërsa Tirana po humbet frymëmarrjen e saj të fundit.

Edhe më skandaloz është fakti se fondi i kushtëzuar i emergjencave civile, që duhet të financojë masat parandaluese e rehabilituese kundër zjarreve, përmbytjeve e fatkeqësive, NUK ËSHTË PËRDORUR FARE në 6 muajt e parë të 2026-s. Zero lekë!!!

Kështu që kur shohim flakët të përpijnë kodrat përreth qytetit, tymin që mbulon qiellin e Tiranës dhe familje që humbin çati mbi kokë, mos u habitni pse s'kishte asnjë masë parandaluese, asnjë investim në pajisje apo kapacitete zjarrfikëse përpara se të niste sezoni i verës. Paratë ishin aty, buxheti i miratuar, por NUK u përdorën!

E njëjta Bashki që mbrëmë komunikoi me banorët vetëm në orën 11 të natës, përmes një çerekpostimi nga Anuela Ristani, gjen kohë e burime për të lëshuar leje ndërtimi me shpejtësi rekord, por nuk gjen kohë e as para për të mbrojtur qytetin nga zjarri.

Kur bashkia çmon më shumë lejet se jetën, e ka treguar vetë se kujt i shërben. Tirana po e paguan atë zgjedhje sot, me shtëpi që digjen dhe qytet që po zhuritet. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.