Çmimet globale të ushqimeve pritet të rriten me 11.8% këtë vit dhe me 4.8% në 2027, sipas Oxford Economics. Rritja më e madhe pritet te drithërat, frutat, perimet dhe produktet e qumështit.
Thatësirat dhe temperaturat ekstreme në Europë kanë dëmtuar prodhimet bujqësore, ndërsa kostot e larta të naftës, gazit dhe plehrave kimike po shtojnë presionin mbi fermerët. Konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë kanë përkeqësuar më tej situatën.
Pas valës së të nxehtit, Coceral uli parashikimin për prodhimin e drithërave në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar në 286.6 milionë tonë, nga 295.5 milionë tonë. Në Gjermani, prodhimi pritet të bjerë me 7%, në 41.9 milionë tonë.
Sipas Oxford Economics, çmimi i dizelit u rrit me 36% në korrik në krahasim me një vit më parë, ndërsa plehrat kimike pritet të shtrenjtohen me 22% gjatë këtij viti.
Edhe lufta në Ukrainë mbetet faktor kyç. Rusia dhe Ukraina përbëjnë së bashku rreth 30% të eksporteve botërore të grurit dhe mbi 10% të misrit. Ndërprerjet në portet dhe rrugët e eksportit mund të ndikojnë në furnizimin global me dhjetëra milionë tonë drithëra.
Cilat ushqime pritet të shtrenjtohen më shumë?
Gruri është ndër produktet më të ekspozuara ndaj rritjes së kostove. Çmimi i tij pritet të rritet me 36% në terma vjetorë gjatë tremujorit të tretë të 2026-s. Kjo mund të reflektohet te buka, makaronat, biskotat dhe produkte të tjera të përpunuara.
Frutat dhe perimet pritet të preken më shpejt, me efektin në çmimet e konsumit që mund të shfaqet brenda 2–3 muajsh. Për ushqimet e përpunuara, ndikimi pritet të jetë më i vonuar, rreth 6–9 muaj.
Kjo do të thotë se rritjet te ushqimet e freskëta mund të bëhen më të dukshme nga tetori-nëntori 2026, ndërsa ndikimi te produktet e përpunuara mund të ndihet më fort nga shkurti deri në maj 2027.
Ekspertët paralajmërojnë se goditja mund të jetë edhe më e madhe nëse ndërprerjet e furnizimit në Detin e Zi përkeqësohen ose kushtet klimatike dëmtojnë prodhimet në rajone të tjera të botës. Megjithatë, çmimet më të larta mund të nxisin përdorimin e rrugëve alternative të eksportit, duke zbutur pjesërisht mungesat.

