Tetë vite pas zhdukjes së 24-vjeçarit Elvis Troqe, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë e ka shpallur zyrtarisht të zhdukur të riun, duke formalizuar një status që familja e tij e ka përjetuar prej vitesh në pasiguri të plotë.
Troqe humbi kontaktet me familjarët mbrëmjen e 17 korrikut 2018 dhe që prej asaj dite nuk është kthyer më në shtëpi. Vendimi i gjykatës është marrë më 15 qershor 2026 dhe është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare. Në të, nëna e tij, Marsela Troqe, është caktuar kujdestare për administrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të djalit të saj.
Por vendimi gjyqësor nuk sjell përgjigjen kryesore që familja ka pritur prej tetë vitesh: çfarë ndodhi me Elvis Troqen pas mbrëmjes së 17 korrikut?
Në atë kohë, 24-vjeçari sapo ishte kthyer nga Italia, ku, sipas materialeve të bëra publike për çështjen, kishte përfunduar një dënim për trafikim të lëndëve narkotike.
Ironia e dhimbshme është se ajo ditë ishte edhe ditëlindja e nënës së tij. Familja priste që të mblidhej për darkë dhe Elvisi kishte planifikuar t’i prezantonte nënës së tij edhe të dashurën.
Rreth orës 18:00, i riu doli nga banesa për të takuar një mik në barin “Havana”. Por qëndrimi aty zgjati vetëm pak minuta. Pasi porositi një kafe dhe një ujë, ai u ngrit nga tavolina dhe i tha mikut se do të takonte për rreth dy minuta një person tjetër, përpara se të kthehej.
Nuk u kthye më.
Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimit, në rrugën kryesore e priste një automjet tip “Mercedes-Benz”, ngjyrë gri. Elvis Troqe është parë duke përshëndetur drejtuesin dhe më pas duke hipur në automjet, ku raportohej se ndodheshin edhe dy persona.
Makina është ndjekur në drejtim të Lungomares dhe më pas pranë zonës së njohur si “Kryqëzimi i shtatë pallateve”, duke vijuar drejt hotel “Rexhina”. Gjurmët e saj humbnin më tej pranë kompleksit Oslo, zonë e influencuar në atë kohë nga Edison Faqedjeguri.
Nga ai moment, edhe gjurmët e Elvis Troqes humbën.
I shqetësuar nga mungesa e të birit, babai i tij, Krenar Troqei cili sot nuk jeton më, nisi ta kërkonte në lokalet e qytetit. Pasi nuk mori asnjë informacion, po atë natë iu drejtua Policisë dhe denoncoi zhdukjen.
Hetimi ngriti dyshime se rasti mund të mos kishte të bënte me një largim të zakonshëm. Në atë kohë, Prokuroria e Vlorës deklaroi se në materialet e referuara ishin konstatuar elemente të veprës penale të rrëmbimit të personit.
Hetuesit kryen gjithashtu veprime të tjera hetimore, përfshirë verifikime në banesën e Inez Hajrullës, i cili u gjet me paterica dhe me një këmbë të dëmtuar. Ai deklaroi se atë pasdite kishte dalë për fizioterapi dhe se nuk kishte njohje me Elvis Troqen.

