Lajme Zone
Tërmeti 6.8 ballë në Japoni, thellohet bilanci, shkon në 30 numri i viktimave
BotëTop Channel

Tërmeti 6.8 ballë në Japoni, thellohet bilanci, shkon në 30 numri i viktimave

Bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi jugperëndimin e Japonisë është rritur në 30, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja.

Bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi jugperëndimin e Japonisë është rritur në 30, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja. Tërmeti me magnitudë 6.8 ballë goditi të martën prefekturën Kumamoto, në ishullin Kyushu, duke shkaktuar dëme të mëdha në banesa, ndërtesa dhe rrjetin elektrik. Lajmin e konfirmoi kryeministrja japoneze Sanae Takaichi.

Disa nga viktimat humbën jetën pasi një pjesë e një qendre tregtare u shemb, ndërsa rreth një orë më vonë një shpërthim, që dyshohet të jetë shkaktuar nga rrjedhja e gazit, dëmtoi më tej godinën. Shkaku i shpërthimit mbetet ende nën hetim.

Rreth 9 mijë persona të zhvendosur po qëndrojnë në qendrat e evakuimit, ndërsa mbi 30 mijë familje vazhdojnë të jenë pa energji elektrike. Autoritetet kanë paralajmëruar se temperaturat në ditët në vijim mund të arrijnë deri në 39 gradë Celsius, duke rritur rrezikun e goditjeve nga i nxehti.

Për të përballuar situatën, Ministria japoneze e Mbrojtjes ka dërguar 300 kondicionerë në zonat e prekura, gjysma e të cilëve do të vendosen në qendrat e evakuimit.

Që nga tërmeti janë regjistruar më shumë se 100 lëkundje pasuese. Frika nga tërmete të tjera ka detyruar shumë banorë të kalojnë natën në automjetet e tyre.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë përqendruar te qendra tregtare Aeon në Kashima, ku një pjesë e katit të dytë u shemb, si dhe në një fabrikë të kompanisë Nippon Paper në qytetin Yatsushiro. Në fabrikë kanë humbur jetën të paktën pesë persona, ndërsa disa punonjës u bllokuan nën rrënoja. Deri tani, shtatë prej tyre janë nxjerrë të gjallë.

Tërmeti, me thellësi vetëm 10 kilometra, u ndje fuqishëm në të gjithë rajonin e Kumamotos. Banorët e përshkruan atë si një nga lëkundjet më të forta që kanë përjetuar ndonjëherë. Top Channel