Lajme Zone
Fund misterit të zhdukjes! Zbulohen mbetjet e turistit belg në zonën kufitare Shqipëri–Maqedoni e Veriut
BotëJOQ Albania

Fund misterit të zhdukjes! Zbulohen mbetjet e turistit belg në zonën kufitare Shqipëri–Maqedoni e Veriut

Pas rreth dy vitesh kërkimesh intensive, misteri i zhdukjes së Mark Joris, 72-vjeçarit nga qyteti belg i Mortsel, duket se ka gjetur më në fund një përgjigje.

Pas rreth dy vitesh kërkimesh intensive, misteri i zhdukjes së Mark Joris, 72-vjeçarit nga qyteti belg i Mortsel, duket se ka gjetur më në fund një përgjigje.

Mbetjet mortore dhe sendet personale të tij janë zbuluar gjatë fundjavës në një terren të thyer malor, në zonën kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ndonëse konfirmimi zyrtar përmes analizës së ADN-së mbetet për t'u mbyllur, autoritetet dhe familjarët shprehen se ka bindje të plotë se bëhet fjalë për turistit e zhdukur.

Mark Joris, një pensionist dhe alpinist amator me pasion të madh për natyrën, kishte nisur aventurën e tij më 11 shtator 2024 nga qyteti i Peshkopisë. Ai kishte planifikuar të përshkonte High Scardus Trail, shtegun e njohur malor që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Më 15 shtator, teksa ndodhej në etapën e 19-të dhe njëherazi të fundit të këtij udhëtimi, 72-vjeçari humbi kontaktet dhe u zhduk pa lënë gjurmë.

Trupi dhe sendet e tij u lokalizuan rastësisht nga Policia Kufitare e Maqedonisë së Veriut gjatë një operacioni tjetër në terren. Zbulimi u bë në një zonë të thepisur mes pikës kufitare E33 (Black Stone) dhe liqenit të Podgoreçkos. Pranë vendit ku u gjendën mbetjet mortore, autoritetet sekuestruan edhe sendet e tij personale: Çantën e shpinës dhe tendën e kampimit; Thes-gjumi dhe një këpucë për ecje malore; Një kapele dhe dy aparate celulare.

Lieselotte Claessens, përfaqësuese e Prokurorisë së Antverpit, u shpreh se pavarësisht se testet e ADN-së janë ende në proces, provat e mbledhura lënë pak hapësirë për dyshime. Identifikimi u mbështet ndër të tjera edhe te njëri prej celularëve, numri IMEI i të cilit përputhej me pajisjen e 72-vjeçarit belg.

Pas zhdukjes së tij në vitin 2024, u organizuan operacione të gjera shpëtimi ku u përfshinë shërbimet e emergjencës, ndërsa miqtë dhe familjarët udhëtuan personalisht drejt Shqipërisë për t'i ardhur në ndihmë kërkimeve. Ironikisht, të dhënat tregojnë se gjatë fushatave të mëparshme të kërkimit, ekipet kishin kaluar shumë pranë vendit ku fatkeqësisht u gjetën gjurmët e tij.

Përtej pasionit për malet, Mark Joris ishte një figurë e njohur në botën e artit në Belgjikë. Përpara se të dilnte në pension, ai ka qenë për shumë vite trombonist në Orkestrën Filarmonike të Brukselit. Gjithashtu, ai kishte drejtuar Orkestrën Harmonike të Edegem dhe kishte dhënë kontributin e tij muzikor në bandën 't Akkoord në Borgerhout.