Një video tronditëse ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, duke ngritur shqetësime serioze për fenomenin në rritje të dhunës që jo vetëm ushtrohet, por edhe publikohet në rrjetet sociale për të fituar vëmendje dhe ndjekës.
Në pamjet e siguruara shihen dy ose më shumë persona që ndalojnë një individ në rrugë, i lidhin duart dhe më pas e dhunojnë. Viktima goditet në kokë me një kamxhik, ndërsa në sfond dëgjohen britmat e tij të dhimbjes, të shoqëruara me të qeshurat e personave që kryejnë aktin e dhunshëm.
Sipas materialit të dërguar, e gjithë skena është filmuar me telefon dhe dyshohet se është publikuar në rrjetet sociale për t'u paraqitur si "të fortë", në një tjetër rast ku dhuna përdoret si mjet për famë virtuale.
Deri në këtë moment nuk dihen motivet e ngjarjes, as identiteti i personave të përfshirë. Megjithatë, pamjet ngrenë pikëpyetje serioze mbi përhapjen e këtij fenomeni, ku agresioni shndërrohet në spektakël dhe shpërndahet pa asnjë ndjenjë përgjegjësie.
JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit të identifikojë autorët dhe të zbardhë sa më parë rrethanat e ngjarjes. Publikimi i akteve të tilla të dhunës në rrjetet sociale jo vetëm normalizon agresionin, por mund të nxisë edhe raste të tjera të ngjashme, duke e kthyer dhunën në një mjet për të kërkuar famë dhe ndikim në internet.

