Lajme Zone
Taksa shtesë 85 mln euro për bizneset/ Tatimfitimi bëhet 17%, dividendi rritet në 15%, nga 8% sot
EkonomiCNA

Taksa shtesë 85 mln euro për bizneset/ Tatimfitimi bëhet 17%, dividendi rritet në 15%, nga 8% sot

Paketa e re fiskale parashikon një rritje të barrës tatimore për bizneset vitin e ardhshëm, përmes rritjes së tatimfitimit me 2 pikë përqindje në 17%, me një efekt në buxhet 5 miliardë lekë shtesë dhe pothuajse dyfishimit të normës së tatimit mbi të ardhurat nga dividend në 15% me efekt 3 miliardë lekë. Të dyja këto taksa do të rrisin barrën e bizneseve me rreth 8 miliardë lekë në vit, ose rreth 8

Paketa e re fiskale parashikon një rritje të barrës tatimore për bizneset vitin e ardhshëm, përmes rritjes së tatimfitimit me 2 pikë përqindje në 17%, me një efekt në buxhet 5 miliardë lekë shtesë dhe pothuajse dyfishimit të normës së tatimit mbi të ardhurat nga dividend në 15% me efekt 3 miliardë lekë.

Të dyja këto taksa do të rrisin barrën e bizneseve me rreth 8 miliardë lekë në vit, ose rreth 85 milionë euro, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave.

Tatim fitimi propozohet të rritet nga 15 në 17%

Në ndryshimet e propozuara në ligjin për tatimin mbi të ardhurat parashikohet rritja e normës standarde të tatimit mbi të ardhurat e korporatave nga 15% në 17%.

Sipas relacionit që shoqëron projektligjin ky ndryshim synon përshtatjen e politikës tatimore me objektivat afatmesëm të politikës fiskale, duke kontribuar në një shpërndarje më të balancuar të barrës tatimore ndërmjet kapitalit dhe punës dhe në forcimin e qëndrueshmërisë fiskale.

Kjo ndërhyrje legjislative, sipas relacionit mbështetet në argumentet e mëposhtme:

Rishikimi i kontributit fiskal të korporatave: Rritja e normës së tatimit mbi të ardhurat e korporatave nga 15% në 17% synon një shpërndarje më të balancuar të barrës tatimore, duke rritur kontributin e të ardhurave nga fitimi në raport me të ardhurat nga punësimi. Kjo masë vlerësohet të ketë një efekt pozitiv në të ardhurat buxhetore prej rreth 5 miliardë lekësh në vit.Mbrojtja e plotë e biznesit të vogël dhe e të vetëpunësuarve: Ky ndryshim prek vetëm subjektet e tatimit mbi të ardhurat e korporatave sipas nenit 41, ndërkohë që mbetet plotësisht në fuqi norma 0% deri më 31 dhjetor 2029 për të gjitha subjektet (individë tregtarë, të vetëpunësuar dhe entitete) me të ardhura bruto vjetore deri në 14 milionë lekë sipas nenit 69, pika 1, shkronja “dh” të ligjit, si dhe normat tatimore për individët tregtarë dhe të vetëpunësuar sipas nenit 24, pika 2. Po ashtu, norma 17% ruan një ekuilibër të plotë me konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe mbetet ndjeshëm nën mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian (rreth 21,5% në BE).

Tatimi mbi të ardhurat nga dividend bëhet 15%, nga 8% që është sot

Një tjetër ndryshim që rrit barrën për bizneset lidhet me rishikimin e normës së tatimit mbi të ardhurat nga dividendët, duke e rritur atë nga 8% në 15% në të tria dispozitat e ligjit nr. 29/2023 që rregullojnë taksimin e dividendit:

- në nenin 24, pika 3 (neni 2, pika 2 i projektligjit), ku shkronjat “a” (8% për dividendët) dhe “b” (15% për çdo zë tjetër të të ardhurave nga investimi) shkrihen në një dispozitë të vetme të unifikuar: “3. Të ardhurat nga investimi tatohen me normën 15%.”;

- në nenin 41 (neni 5 i projektligjit), ku norma tatimore për dividendët përcaktohet në 15%, pa zbritur asnjë kosto; dhe

- në nenin 59 (neni 7 i projektligjit), ku hiqet ndarja e mëparshme prej 8% për dividendët dhe unifikohet në një shkallë të vetme prej 15% norma e tatimit të mbajtur në burim për të gjitha të ardhurat dhe pagesat sipas nenit 58 të ligjit.

Kjo ndërhyrje legjislative, sipas relacionit shoqëruese mbështetet në argumentet e mëposhtme:

- Harmonizimi i plotë brenda sistemit të të ardhurave nga investimi dhe frenimi i arbitrazhit tatimor: Aktualisht, legjislacioni tatimor parashikon aplikimin e normës tatimore prej 8% për të ardhurat nga dividendët, ndërkohë që të gjitha kategoritë e tjera të të ardhurave nga investimet (interesat, qiratë, honoraret, fitimet kapitale nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme, titujve, instrumenteve financiare dhe kripto-aseteve) dhe pagesat objekt i tatimit në burim tatohen me normën 15%, ndërsa të ardhurat nga punësimi tatohen me normat progresive 13%, 23% dhe me këtë projektligj deri në 32%. Kjo diferencë e theksuar mund të krijojë stimul për arbitrazh tatimor përmes deklarimit të pagave të ulëta nga ortakët/drejtuesit dhe tërheqjes së fitimeve si dividendë me 8%, ose rikarakterizimit të pagesave të tjera në dividendë. Unifikimi i normës së dividendit në 15% me të gjitha të ardhurat e tjera nga investimi siguron një trajtim konsistent e neutral, eliminon dualitetin e normave në nenin 24(3) dhe nenin 59, si dhe ruan konkurrueshmërinë e plotë rajonale të Shqipërisë (në të njëjtin nivel me Serbinë dhe Malin e Zi që aplikojnë normën 15%).

- Stimulimi i riinvestimit të fitimeve: Rritja e tatimit mbi shpërndarjen e dividendit nga 8% në 15% dekurajon tërheqjen pasive të kapitalit për konsum dhe nxit shoqëritë tregtare që fitimet e realizuara t’i riinvestojnë në zgjerimin e aktivitetit, modernizimin teknologjik dhe hapjen e vendeve të reja të punës (pasi fitimi i pashpërndarë dhe i riinvestuar nuk i nënshtrohet tatimit mbi dividendin, ashtu siç mbetet në fuqi përjashtimi në pjesëmarrje sipas nenit 29 të ligjit).

- Efekti i rëndësishëm buxhetor: Bazuar në të dhënat e realizimit dhe parashikimit për vitin 2026, baza e tatueshme vjetore e të ardhurave nga dividendët dhe aksionet arrin në rreth 86,96 miliardë lekë (86 962 734 452 lekë), ku rritja e normës me 7 pikë përqindjeje (nga 8% në 15%) ka një potencial teorik prej 6 087,39 milionë lekësh. Duke marrë në konsideratë edhe ndikimin e rritjes së normës tatimore në vendimmarrjen e shoqërive për shpërndarjen dhe destinimin e fitimeve (prirjen për të mbajtur e riinvestuar një pjesë më të madhe të fitimit), efekti pozitiv neto në të ardhurat buxhetore vlerësohet në +3 043 695 706 lekë në vit (ose rreth +3,04 miliardë lekë në vit). /Monitor Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.