Lajme Zone
Sulmi rus ndaj Ukrainës prek edhe Poloninë, një predhë shpërthen pranë kufirit
BotëTop Channel

Sulmi rus ndaj Ukrainës prek edhe Poloninë, një predhë shpërthen pranë kufirit

Një objekt i paidentifikuar ka rënë në territorin e Polonisë, duke shkaktuar një shpërthim pranë fshatit Tarnawa-Kolonia, rreth 95 kilometra nga kufiri me Ukrainën.

Një objekt i paidentifikuar ka rënë në territorin e Polonisë, duke shkaktuar një shpërthim pranë fshatit Tarnawa-Kolonia, rreth 95 kilometra nga kufiri me Ukrainën. Ngjarja ndodhi në të njëjtën kohë kur Rusia ndërmori një sulm masiv me raketa dhe dronë në disa rajone të Ukrainës.

Sipas autoriteteve polake, banorët raportuan një shpërthim të fuqishëm, ndërsa ushtria ka nisur hetimet për të përcaktuar origjinën e objektit. Më herët, Polonia kishte ngritur në ajër avionët luftarakë për shkak të sulmeve ruse pranë kufirit.

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se kreu një “sulm masiv” me raketa me rreze të gjatë veprimi dhe dronë ndaj bazave ushtarake në Ukrainë.

Bombardimet goditën disa qytete ukrainase, përfshirë Kievin, ku humbi jetën një person. Goditja më e rëndë u regjistrua në Krivyi Rih, ku një raketë balistike shkatërroi një banesë, duke vrarë gjashtë persona, mes tyre dy vajza të moshës 5 dhe 12 vjeç. Të paktën tetë persona të tjerë mbetën të plagosur.

Në qytetin e Lvivit, pranë kufirit me Poloninë, ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për persona të bllokuar nën rrënoja, ndërsa mbi dhjetë persona janë plagosur.

Sulmet ndodhën vetëm një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, të cilit i kërkoi sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore për Ukrainën.

Ndërkohë, Ukraina vijoi kundërsulmet brenda territorit rus. Një dron ukrainas goditi një depo të kompanisë Wildberries në rajonin e Penzës, duke shkaktuar zjarr. Sipas autoriteteve ruse, një person u plagos dhe rreth 200 të tjerë u evakuuan.

Autoritetet polake nuk kanë konfirmuar ende nëse objekti që shpërtheu në territorin e tyre ishte pjesë e sulmit rus apo një mjet tjetër fluturues, ndërsa hetimet vijojnë. Top Channel