SPAK ka zgjeruar veprimet hetimore në kuadër të çështjes KAYO, duke ushtruar kontrolle në banesën dhe ambientet e biznesit të Arjeta Pucës, CEO e kompanisë TIMAK.
TIMAK, e themeluar në vitin 2016, është e specializuar në prodhimin dhe modifikimin e automjeteve ushtarake, ambulancave dhe mjeteve zjarrfikëse. Në kuadër të hetimit, agjentët e SPAK kanë sekuestruar gjithashtu telefonin e Ardi Veliut, administratorit të ndërmarrjes shtetërore KAYO, e cila merret me prodhimin e municioneve dhe pajisjeve luftarake.
Veprimet e hetuesve vijnë pas publikimit të disa audiopërgjimeve nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ku përmendet edhe biznesmeni izraelito-amerikan Ron Yeffet. Edhe banesa e Yeffet është kontrolluar nga hetuesit në kuadër të këtyre zhvillimeve.
Në materialet audio ngrihen pretendime për një skemë të trafikut të armëve dhe municioneve përmes Shqipërisë, ku përmenden KAYO dhe TIMAK. Sipas të dhënave të bëra publike, Yeffet zotëron 49% të TIMAK, ndërsa 51% i përkasin Arjeta Pucës.

