Ana Brnabiç, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç / A po shkon Serbia drejt një republikë presidenciale sipas modelit autoritarist turk? Ideja e hedhur në Beograd për të ndryshuar Kushtetutën dhe për t’i hapur Aleksandar Vuçiçit rrugën drejt një rikthimi në Presidencë shkon përtej Serbisë. Nëse Brukseli e toleron një precedent të tillë, tundimi mund të shfaqet edhe në vende të tjera të Ballkanit. Shqipëria e Edi Ramës, pas katër mandatesh dhe një pushteti gjithnjë e më të përqendruar, ka arsye ta ndjekë me vëmendje këtë histori. Deklarata e kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, se Kushtetuta mund të ndryshohet për t’i krijuar Aleksandar Vuçiçit mundësinë që, pasi të kalojë në postin e kryeministrit, të rikthehet më vonë në Presidencë, ka hapur një debat që nuk mbyllet brenda kufijve serbë.
Sipas Kushtetutës aktuale, presidenti i Serbisë mund të zgjidhet vetëm dy mandate. Mandati i dytë i Vuçiçit përfn në vitin 2027 dhe, me rregullat e sotme, një mandat i tretë nuk është i mundur. Këtu nis problemi.
Kushtetutat ndryshohen kur një shoqëri ka nevojë për institucione më funksionale, më shumë kontroll mbi pushtetin apo një organizim më të mirë të shtetit. Krejt tjetër kuptim merr ndryshimi kur rregullat preken për t’i zgjidhur një pengesë politike njeriut në pushtet.
Ndaj shtrohet pyetja: lideri i nënshtrohet Kushtetutës apo Kushtetuta përshtatet sipas nevojave të liderit?
Pikërisht këtu historia e Vuçiçit bëhet interesante edhe për Shqipërinë. Edi Rama nuk ka sot problemin kushtetues të presidentit serb. Kushtetuta shqiptare nuk ia kufizon numrin e mandateve kryeministrit. Ai mund të kandidojë sërish, për sa kohë arrin të fitojë shumicën e nevojshme për të qeverisur.
Rreziku që sjell precedenti serb është më i thellë: normalizimi i idesë se rregullat themelore të shtetit mund të rishkruhen kur arkitektura ekzistuese nuk i shërben më vazhdimësisë së një pushteti.
Nga Vuçiç te Rama, problemi është pushteti pa fund
Vuçiç ka qenë figura qendrore e Serbisë për më shumë se një dekadë. Kryeministër, president, drejtues i SNS-së dhe, edhe pas largimit formal nga kreu i partisë, njeriu rreth të cilit vazhdon të rrotullohet pushteti serb.
Largimi nga Presidenca, për këtë arsye, nuk do të thotë domosdoshmërisht largim nga pushteti.
Vetë Vuçiç ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit në qeverisje. Nëse pas zgjedhjeve bëhet kryeministër, Serbia mund të shohë një zhvendosje të qendrës së pushtetit nga Presidenca te qeveria pa ndryshuar domosdoshmërisht njeriun që e ushtron atë.
Deklarata e Brnabiç e çon skenarin një hap më tej: Vuçiç largohet nga Presidenca, kalon në Kryeministri, ndërkohë ndryshohet Kushtetuta dhe më pas krijohet mundësia që ai të rikthehet president.
Gjithçka mund të vishet me procedurë parlamentare. Pikërisht këtu qëndron rreziku.
Demokracia nuk garantohet vetëm nga fakti se një ndryshim votohet në Parlament. Shumicat demokratike kanë pushtet, por kanë edhe kufij. Përndryshe, çdo shumicë e mjaftueshme do të mund t’i ndryshonte rregullat sipas interesit të vet dhe më pas ta quante rezultatin demokratik vetëm se ka votat.
Në Shqipëri, kjo pyetje nuk është teorike sa duket.
Rama drejton qeverinë që prej vitit 2013. Partia Socialiste fitoi në vitin 2025 mandatin e katërt radhazi dhe kryeministri ka ndërtuar një epërsi politike që asnjë drejtues tjetër qeverie në Shqipërinë pluraliste nuk e ka pasur për një periudhë kaq të gjatë.
Sot nuk ka një projekt të shpallur për ta bërë Shqipërinë republikë presidenciale apo gjysmë-presidenciale. Nuk ka as prova se Rama po përgatit një lëvizje të tillë. Vetëm zëra ka në çarshitë e politikës së Tiranës.
Megjithatë, politika nuk gjykohet vetëm nga planet e shpallura. Ajo gjykohet edhe nga pushteti që një lider ka në dispozicion dhe nga precedentët që krijohen përreth tij.
Nëse në Serbi do të pranohej që Kushtetuta të ndryshohej për t’i hapur rrugë rikthimit të Vuçiçit, pse një shumicë tjetër e fuqishme në Ballkan të mos thej nesër të ndryshonte sistemin sipas interesave të veta?
Hija e Erdoganit mbi Ballkan
Turqia tregon se përqendrimi i pushtetit nuk ndodh medoemos me një goditje të vetme. Shpesh vjen ngadalë, përmes zgjedhjeve të fituara, shumicave parlamentare, kontrollit gjithnjë e më të madh politik dhe ndryshimeve institucionale që, secili më vete, mund të paraqitet si i ligjshëm.
Referendumi kushtetues i vitit 2017 dhe kalimi në sistemin presidencial në vitin 2018 e ndryshuan rrënjësisht arkitekturën politike turke, duke e zhvendosur pushtetin ekzekutiv drejt Presidencës së Recep Tayyip Erdoganit.
Serbia nuk është Turqi. As Shqipëria jo.
Mësimi që vjen nga Ankaraja, megjithatë, është i vlefshëm për të dyja: kur një lider qëndron gjatë në pushtet, debati nuk duhet të kufizohet te popullariteti i tij apo te zgjedhjet që ka fituar. Pyetja kryesore është nëse institucionet mbeten aq të forta sa të funksionojnë edhe pa të.
Këtu Shqipëria ka arsye të jetë vigjilente.
Një ndryshim i ardhshëm i sistemit politik, në vetvete, nuk do të ishte antidemokratik. Republikat presidenciale dhe gjysmë-presidenciale ekzistojnë në demokraci të konsoliduara. Alarmante do të bëhej situata nëse ndryshimi projektohej rreth fatit politik të një personi.
Nëse një ditë Rama apo çdo kryeministër tjetër do të propozonte kalimin drejt një sistemi presidencial pikërisht kur modeli aktual nuk i garanton më vazhdimësinë politike, Shqipëria do të gjendej përballë së njëjtës pyetje që sot po shtrohet në Serbi: po ndryshojmë shtetin për qytetarët apo po ndryshojmë shtetin për liderin?
Brukseli duhet të shohë përtej Beogradit
Këtu përgjegjësia e Bashkimit Evropian bëhet vendimtare. Nëse Brukseli e trajton me indiferencë një përpjekje eventuale për t’i hequr Vuçiçit pengesën kushtetuese, mesazhi nuk do të dëgjohet vetëm në Beograd. Do të dëgjohet në Tiranë, Shkup, Podgoricë, Banja Luka dhe kudo ku pushteti i gjatë ka krijuar liderë që e shohin veten gjithnjë e më pak si të përkohshëm.
Ballkani ka një traditë të keqe: liderët mësojnë shpejt nga njëri-tjetri, sidomos kur kuptojnë se Perëndimi është i gatshëm të tolerojë probleme demokratike në këmbim të stabilitetit.
Pikërisht kjo e bën çështjen Vuçiç një provë për BE-në.
Brukseli nuk ka pse t’i tregojë Serbisë se çfarë Kushtetute duhet të ketë. Duhet, ama, të bëjë të qartë se ndryshimi i rregullave për t’iu përshtatur jetëgjatësisë politike të një individi bie ndesh me frymën demokratike që kërkohet nga një vend kandidat.
Në të kundërt, precedenti do të jetë gati. Sot mund quhet Vuçiç. Nesër mund të ketë një emër tjetër.
Në Shqipëri mund të jetë Edi Rama, nëse një ditë shumica e tij do të kërkonte ta kthente epërsinë elektorale në një arkitekturë të re pushteti. Diku tjetër mund të jetë një tjetër lider që zbulon se Kushtetuta është më e lehtë për t’u ndryshuar sesa zakoni për të qeverisur. Këtu duhet vendosur kufiri.
Një demokraci e shëndetshme nuk matet vetëm me aftësinë e një lideri për të fituar zgjedhjet. Matet edhe me aftësinë e sistemit për të mbijetuar politikisht pa të.
Vuçiçi një ditë do të largohet. Edhe Rama. Kushtetutat jo, ato ekzistojnë edhe pasi liderët ikin./ Pamfletisot vuçiç neser rama loja me kushtetutën Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Berisha kritikon mbledhjen e Ramës në Pogradec: Aheng qeveritar, asnjë zgjidhje për problemet e qytetarëve 25 Gusht 2026, 14:2514:25Politike Ilir Alimehmeti kandidat për Bashkinë e Tiranës? Berisha: Gjithçka vendoset në javët e ardhshme 25 Gusht 2026, 12:4112:41Politike Rezerva arrin në 8 miliardë euro, Tabaku: Zhvlerësimi i monedhës europiane nuk buron nga ekonomia reale 25 Gusht 2026, 12:2512:25Politike “Më thonë, Tiranën ia ka premtuar filanit”, Braçe ‘mesazh’ Ramës: Do i shkoj deri në fund garës për bashkinë 25 Gusht 2026, 10:0410:04Politike ‘The Albanian Files’, marrëzitë në emër të pushtetit dhe fundi i Edi Ramës! 24 Gusht 2026, 22:4522:45Politike Pas asaj dixhitale, Rama prezanton “Shqipërinë Sociale”: Gati plani për çmimet! 24 Gusht 2026, 19:1919:19Politike

