Lajme Zone
“Delegacionet” e të moshuarve takuan Ramën/ Gazetari: Për PS-në, janë shtylla e pushtetit
PolitikëCNA

“Delegacionet” e të moshuarve takuan Ramën/ Gazetari: Për PS-në, janë shtylla e pushtetit

Gazetari Mentor Kikia komentoi sot pritjet e gjata dhe tak...

Gazetari Mentor Kikia komentoi sot pritjet e gjata dhe takimet e një grupi të moshuarish me kryeministrin Edi Rama në vilën qeveritare në Pogradec.

Në një postim në rrjetet e tij sociale, Kikia thekson se është e padrejtë që ata të komentohen për keq në rrjetet sociale për deklaratat e tyre se japin edhe jetën për Ramën.

Sipas tij, kjo grupmoshë është shtylla e pushtetit të PS-së, prandaj edhe kryesocialisti nuk e ka luksin ta “refuzojë” delegacionin e të moshuarve. "Që një grup pensionistësh, mbështetës të Partisë Socialiste, takojnë kryeministrin dhe kryetarin e partisë, kjo është një gjë mbase normale.

Por ajo që “pushtoi” rrjetin më pas ishin opinionet e tyre: “Tani që takova Ramën le të vdes” - tha njëri. “Jam kaq i lumtur tani, sa s’di ç’të them”- tha tjetri. Një gruaje i merrej goja nga emocionet, ndërsa tregonte sa e lumtur ishte. Një tjetër, që mezi mbahej në këmbë, thoshte se tani u mbush me shpresë për të ardhmen.

Një “sqarim” për ata që shpërthyen në sharje ndaj të moshuarve që adhurojnë Ramën: Nuk është se këta adhurojnë Edi Ramën personalisht. Këta adhurojnë “Kryetarin”, nuk ka rëndësi si e ka emrin. Është në ADN-në e tyre politike. Kështu do të vepronin, kushdo të ishte në krye të partisë.Këta ishin adhurues edhe më të zjarrtë të Fatos Nanos dhe sapo Rama “vrau mbretin”, ata thirrën “Rroftë mbreti”, dhe u vunë në rresht të parë në salla për të përqafuar Ramën, kur ai shkonte në takime.

Ata që e njohin Ramën, e dinë se ai personalisht ka qenë më i bezdisur se kushdo nga ky lloj adhurimi. Veçanërisht, nga ideja se PS është partia e ish-komunistëve të PPSH.

Madje, zyra e Ramës kujdesej që në kronikat televizive, imazhet e takimeve në salla me anëtarë të PS-së të pastroheshin sa të mundeshin nga këta pjesëmarrës, duke i dhënë prioritet vajzave me piercing dhe djemve me flokë të ngrirë me llak.

Por, për PS-në, këta janë shtylla e pushtetit. Ata janë votuesit më komodë në botë. Ata nuk kërkojnë kurrë llogari, nuk protestojnë kurrë, nuk e tradhtojnë kurrë partinë, ata nuk duan as ujë, as rritje pensioni (u sjellin fëmijët nga emigrimi para për bukë dhe ilaçe)…. dhe një takim me kryetarin është dita më e lumtur e jetës.

Sot, ose është plakur edhe Rama, ose ai nuk e ka luksin ta “refuzojë” delegacionin e të moshuarve.

Ata janë votues gjithsesi. Por problemi është që në epokën e IA-së, “Diellës” dhe “Pasqyrës”, pushtetin e përcakton pikërisht kjo gjeneratë",-shkruan Kikia./CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.