Lajme Zone
“Sorosi po përgatitet të zbarkojë në Sazan”/ Ish-deputeti: Karavidheve nuk po u shkojnë punët mirë
PolitikëCNA

“Sorosi po përgatitet të zbarkojë në Sazan”/ Ish-deputeti: Karavidheve nuk po u shkojnë punët mirë

Ish-nënkryetari dhe ish-deputeti i PD-së, Edmond Spaho ka ...

Ish-nënkryetari dhe ish-deputeti i PD-së, Edmond Spaho ka bërë një reagim në rrjetet sociale lidhur me raportimet për nisjen e Flotiljes Globale Sumud nga porti i Brindisit drejt ishullit të Sazanit.

Spaho shprehet se Soros dhe “ushtria liberale” e tij po i bashkohet protestës në Tiranë, për shkak se “Revolucioni Flamingo” është krijuar nga vetë ata për të shkaktuar kaos politik në Shqipëri, nëpërmjet kundërshtimit të investimeve në Sazan dhe Zvërnec.

Ai shprehet se “Revolucioni Flamingo” u krijua kur qeveria e majtë shqiptare braktisi linjën e mbështetjes së Sorosit, ndërsa shton se iu bashkuan partitë e reja të majta e të djathta shqiptare, duke menduar se u erdhi rasti për të zgjeruar bazën e tyre elektorale. “Me Revolucionin Flamingo sorosian u bashkua edhe PD-ja e Sali Berishës, antisorosistja më e madhe në Europë, por që, për interesat e saj më të vogla, ka borxh të rishtrihet në krevat me Alex Sorosin, sikurse Berisha veproi në fillim të viteve ’90 apo në fillim të viteve ’00 me babain e tij. Me të djathtët dhe të majtët e Tiranës janë përzier fort edhe e majta marksiste e Prishtinës, si dhe callmat e ferexhetë e VLEN-it në Tetovë. Për inerci, revolucionit po i japin një dorë edhe sivëllezërit e tyre në Tiranë dhe sponsorët ndërkombëtarë të së njëjtës frymë ideologjike e fetare”, shkruan ndër të tjera ish-deputeti. Spaho thotë po ashtu revolucioni është përçarë dhe se pjesëmarrësit kanë filluar të përplasen me njëri-tjetrin. Ai thekson se integrimi europian i vendit vlen shumë më shumë se axhendat e “Revolucionit Flamingo”.

Reagimi i plotë:

Sikurse shkruan media, Sorosi dhe ushtria e tij liberale nëpër Europë po përgatiten të zbarkojnë me flotilje në Sazan.

Ka plot që habiten, që të akuzojnë për teori konspiracioni, kur u thua që Revolucioni Flamingo është një monstër e së majtës ndërkombëtare, e financuar nga Fondacioni Soros dhe aleatët e tij, për të shkaktuar kaos politik në Shqipëri, nëpërmjet kundërshtimit të investimeve në Sazan dhe Zvërnec, me objektiv rrëzimin e qeverisë legjitime të Shqipërisë dhe krijimin e një të majte të re, jashtë komandës së Edi Ramës.

Ky operacion sharlatanësh ndërkombëtarë, alias Revolucioni Flamingo, filloi kur u pa qartë se qeveria e majtë shqiptare braktisi linjën e mbështetjes së Sorosit dhe filloi të flirtojë me rrethet e Trumpit.

Sorosi kuptoi se, pas Hungarisë, po humbiste edhe bastionin e vetëm që i kishte mbetur, qeverinë e majtë të Shqipërisë.

Me operacionin politiko-social, alias Revolucioni Flamingo, u bashkuan partitë e reja të majta e të djathta shqiptare, duke menduar se u erdhi rasti i artë për të zgjeruar bazën e tyre elektorale.

Me Revolucionin Flamingo sorosian u bashkua edhe PD-ja e Sali Berishës, antisorosistja më e madhe në Europë, por që, për interesat e saj më të vogla, ka borxh të rishtrihet në krevat me Alex Sorosin, sikurse Berisha veproi në fillim të viteve ’90 apo në fillim të viteve ’00 me babain e tij.

Me të djathtët dhe të majtët e Tiranës janë përzier fort edhe e majta marksiste e Prishtinës, si dhe callmat e ferexhetë e VLEN-it në Tetovë. Për inerci, revolucionit po i japin një dorë edhe sivëllezërit e tyre në Tiranë dhe sponsorët ndërkombëtarë të së njëjtës frymë ideologjike e fetare.

Detashmenti më i fortë dhe ideologët e Revolucionit Flamingo janë ish-ët e PS-së, ish-deputetë, ish-ministra, ish-zëvendësministra, ish-kryetarë bashkish, ish-funksionarë të lartë të Fatos Nanos, të cilëve, megjithëse u ka perënduar koha, kanë filluar t’u shfaqen në ëndërr jo vetëm dorëheqja e Ramës, por veçanërisht katapultimi i tyre në poste qeveritare edhe më të larta se ato që kishin dikur.

Kaq të forta i kanë ëndrrat dhe kaq shumë besojnë në to, sa nuk lënë njeri pa sulmuar, nga ata që kundërshtojnë Revolucionin Flamingo.

Detashmentit të mësipërm i janë bashkëngjitur shqiptarë të majtë, femra e meshkuj, me karriera të konsoliduara në Perëndim, pjesë e së majtës globale, artistë, filozofë, ekonomistë, të cilët rrinë në gatishmëri për të shpërthyer në momentin e përshtatshëm si udhëheqja sipërore e Revolucionit Flamingo dhe e partisë që do të krijohet, për të lënë me gisht në gojë “organizatorët” në Tiranë.

Pjesa më komike që i bashkohet Revolucionit Flamingo janë organizatat europiane që mbështesin çështjen palestineze.

Të paafta të sfidojnë Izraelin me iniciativat që kanë ndërmarrë, përpiqen të krijojnë kauza me pushtime izraelite në Zvërnec, ku një “fitore”, qoftë edhe e vockël, të shërbejë si justifikim për fondet që gllabërojnë si lubi e nuk japin llogari askund.

Deri më sot, me përjashtim të disa ditëve në muajin qershor, karavidheve nuk duket se punët po u shkojnë sipas parashikimit.

Revolucioni është zgrapsur nga flamingo në zog të vogël korbi dhe bijtë e revolucionit kanë filluar të hanë njëri-tjetrin për ushqime, veshmbathje dhe para.

I nxehti i verës mund të ketë disa ditë të ngjashme edhe në vjeshtë, por qytetarët shqiptarë kanë kuptuar se me urrejtje, intolerancë, imponim dhe gjuhë vulgare, teza marksiste, rrugën e forcës për kapjen e institucioneve, gijotina e varje në litar, Shqipëria e Re do të jetë po aq e vjetër sa Shqipëria e Enver Hoxhës, se integrimi europian i vendit vlen shumë më shumë se axhendat e Revolucionit Flamingo. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.