Karl Bergner Ambasadori gjerman Karl Bergner paralajmëron se rruga e Shqipërisë drejt BE-së kalon nga reforma reale, edhe kur ato prekin interesa të forta ekonomike. Ai kërkon zëvendësimin e ligjit për investimet strategjike dhe e cilëson pavarësinë e drejtësisë dhe luftën e papenguar ndaj korrupsionit të nivelit të lartë si kushte të panegociueshme për integrimin. Teksa kryeministri Edi Rama ka vendosur si objektiv mbylljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian brenda vitit 2027, nga Gjermania vjen një mesazh i qartë: afatet politike nuk mjaftojnë pa reforma të zbatuara në praktikë.
Në një intervistë për Deutsche Welle, ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, vendos theksin te tre çështje të ndjeshme: investimet strategjike, zbatimi real i reformave dhe pavarësia e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit.
Teksa qeveria shqiptare synon të përmbyllë kapitujt e negociatave brenda vitit të ardhshëm, diplomati gjerman e bën të qartë se shpejtësia e procesit do të varet nga gatishmëria e Shqipërisë për të ndërmarrë dhe zbatuar reforma, përfshirë ato që prekin interesa të rëndësishme ekonomike.
Një prej shembujve që Bergner veçon është pikërisht ligji për investimet strategjike. Ambasadori kërkon kalimin drejt një ligji të unifikuar për investimet, në vend të skemës aktuale, duke kujtuar se Shqipëria është angazhuar në Agjendën e Reformave ta realizojë këtë ndryshim deri në fund të vitit. Sipas tij, kjo do të garantonte më shumë transparencë dhe kushte të barabarta konkurrence për bizneset.
Por mesazhi më i fortë lidhet me drejtësinë. Në një moment kur marrëdhënia mes politikës dhe institucioneve të drejtësisë vijon të jetë në qendër të debatit publik, ambasadori gjerman e konsideron respektimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën e papenguar kundër korrupsionit, përfshirë korrupsionin në nivelet e larta, si kushte të panegociueshme për rrugën drejt BE-së.
Në këtë mënyrë, mesazhi i Berlinit për Tiranën shkon përtej kalendarit të integrimit: mbyllja e kapitujve deri në vitin 2027 kërkon rezultate konkrete, reforma që zbatohen edhe kur prekin interesa të forta ekonomike dhe një drejtësi që duhet të jetë e lirë të godasë korrupsionin edhe në nivelet më të larta.
-Zoti Ambasador, si do t’i përshkruanit marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Gjermanisë?
Karl Bergner: Shqipëria dhe Gjermania bashkëpunojnë ngushtë në fusha të ndryshme politike, përfshirë politikën e jashtme dhe sigurinë. Si vende evropiane dhe partnere në NATO, përballemi me të njëjtat sfida që burojnë nga ndryshimet në rendin botëror dhe nga kërcënimi që paraqet lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Një peshë të konsiderueshme ka edhe bashkëpunimi ekonomik. Gjermania është donatori më i madh dypalësh i Shqipërisë dhe synon të përmirësojë jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë përmes forcimit të infrastrukturës (furnizimit me ujë dhe energji, trajtimit të ujërave të ndotura dhe menaxhimit të mbetjeve) si dhe përmes mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në qytete dhe, në një masë edhe më të madhe, në zonat rurale. Gjithashtu, në kuadër të bashkëpunimit tonë dypalësh, punojmë për të luftuar ndryshimet klimatike përmes gjelbërimit të ekonomisë, si dhe për të mbështetur vendin në përshtatjen ndaj kushteve gjithnjë e më ekstreme të motit të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.
Në Gjermani po rritet interesi për Shqipërinë, veçanërisht si destinacion turistik. Në të njëjtën kohë, diaspora shqiptare në Gjermani po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe. Mes saj ka një numër sipërmarrësish krijues dhe të suksesshëm, të cilët po ndërtojnë ura të reja mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Të dyja këto prirje forcojnë lidhjet mes qytetarëve të dy vendeve tona dhe i japin një shtysë marrëdhënieve tona ekonomike dhe kulturore.
-A i mbështet Gjermania ambiciet e Shqipërisë dhe vendeve fqinje për t’u anëtarësuar në BE? Sa realist e konsideroni synimin e Shqipërisë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027?
Karl Bergner: Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë pjesë e familjes evropiane. Për këtë arsye, ne e mbështesim fuqimisht anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian.
Qëndrimi i kahershëm i Gjermanisë është se anëtarësimi në BE i të gjitha vendeve kandidate duhet të bazohet në meritë. Për rrjedhojë, afatet varen nga shpejtësia dhe tërësia e reformave të tyre. Në këtë kontekst, ne e njohim ambicien e Shqipërisë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027. Në rrugën drejt anëtarësimit të plotë, vendi ka bërë përparim të prekshëm, ndërkohë që mbeten ende detyra të rëndësishme.
Përveç përmirësimit të jetës së përditshme të shumë shqiptarëve, asistenca e gjerë teknike dhe financiare e përmendur më sipër synon gjithmonë të mbështesë edhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kjo shtrihet nga financimi i ndërtimit të impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në një sërë qytetesh shqiptare (si parakusht për kapitujt që lidhen me mjedisin) deri te mbështetja e ministrive të ndryshme për përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së. Por, në fund, vendimtare është vendosmëria e Shqipërisë për t’i ndërmarrë dhe zbatuar këto reforma, edhe kur ato janë të vështira apo prekin interesa të rëndësishme ekonomike.
Një shembull është miratimi i një ligji të unifikuar për investimet, në vend të ligjit aktual për investimet strategjike. Shqipëria është zotuar në Agjendën e saj të Reformave që ta bëjë këtë deri në fund të këtij viti, ndërsa Parlamenti Evropian, në rezolutën e tij të fundit, ka përsëritur kërkesat e mëparshme të BE-së. Sipas meje, ky do të ishte një hap shumë i rëndësishëm për të garantuar transparencën dhe kushte të barabarta konkurrence për të gjitha bizneset.
Arritja e objektivit të anëtarësimit në BE varet gjithashtu nga aftësia e administratës publike, por edhe e komunitetit të biznesit, për të përvetësuar standardet e BE-së. Fakti që Gjermania është donatori më i madh dypalësh i Shqipërisë tregon edhe njëherë për angazhimin tonë të fuqishëm për të ndihmuar Shqipërinë në çdo hap të rrugëtimit.
-Reforma në drejtësi ka hyrë në një fazë vendimtare. Cilat janë pritshmëritë konkrete të Gjermanisë nga institucionet e drejtësisë në Shqipëri për dy vitet e ardhshme?
Karl Bergner: Një shtet i fortë i së drejtës, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë në themel të vlerave evropiane. Respektimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe përpjekjet e papenguara kundër korrupsionit, përfshirë rastet e korrupsionit në nivele të larta, janë parakushte të panegociueshme për përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE.
Në këtë drejtim, reforma në drejtësi ka qenë një faktor kyç që ka mundësuar avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Për të ardhmen, Shqipëria është zotuar për reforma të mëtejshme që lidhen me shtetin e së drejtës. Ky ka qenë fokusi kryesor i Gjermanisë në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE prej shumë vitesh dhe i tillë do të mbetet. Ne besojmë se Shqipëria do të vazhdojë dhe do të shtojë përpjekjet për të forcuar shtetin e së drejtës dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të përmendur disa nga fushat më të rëndësishme. Ndryshimi i ligjeve nuk mjafton: si BE-ja, ashtu edhe qytetarët shqiptarë presin të shohin ndryshime reale dhe të prekshme në praktikë, si dhe krijimin e kapaciteteve të nevojshme në administratën publike dhe institucionet e pavarura.karl bergner gjermania Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Nga 4 mijë në 10 mijë euro në muaj/ Thellohet lufta për pagat, qeveria zbulon sa para kërkojnë gjyqtarët 10 Shtator 2026, 19:0119:01Politike Islami dhe islamistët: Ku mbaron feja dhe ku nis ideologjia politike 10 Shtator 2026, 18:2118:21Politike Përplasja me protestueset, Iris Luarasi: Dorëzoj mandatin e deputetes nëse kam bërë kallëzim në polici 10 Shtator 2026, 16:2916:29Politike Rama-Berisha, dyshja që mban peng Shqipërinë! 10 Shtator 2026, 16:0416:04Politike Audiopërgjimet e publikuara nga Ahmetaj, Bardhi: Pazar në emër të Ramës, SPAK të hetojë pa vonesë 10 Shtator 2026, 14:4514:45Politike Ngërçi në Bashkinë e Tiranës, paralajmëron Rama: Eksperiment i rëndë, shumë shpejt do t’i japim fund! 10 Shtator 2026, 14:3514:35Politike

