Tragjedia në Plaka të Athinës ka lënë pas dhimbje të thellë te familjarët dhe miqtë e viktimave, ku 4 prej tyre ishin shqiptarë. Nicoletta Gioni, një mikeshe e familjeve, ka folur për Newsbomb, duke ndarë disa detaje për dy çiftet që humbën jetën tragjikisht pas shembjes së ndërtesës. Mes viktimave ishte Florida Hoxha, e cila sapo ishte martuar me Ian Alexander Kirkpatrick. Gioni e përshkroi Floridën si një grua të jashtëzakonshme, një avokate të shkëlqyer dhe një person plot jetë. “Ajo ishte një person i mrekullueshëm. Një avokate e shkëlqyer. Plot jetë”, tha ajo, duke shprehur tronditjen për humbjen e saj. “Ende nuk mund ta besoj që kjo ndodhi”, u shpreh mikesha e familjes, teksa foli për përmasat e tragjedisë që tronditi të afërmit dhe njerëzit që njihnin viktimat. Çifti priste fëmijën e parë
Veçanërisht prekëse është historia e çiftit tjetër, Florin Hoxha dhe Erisa Cani. Të sapomartuar, ata kishin udhëtuar drejt Greqisë për muajin e mjaltit, ndërsa po përjetonin një nga periudhat më të lumtura të jetës së tyre. Sipas mikes së familjes, çifti ishte veçanërisht i emocionuar pasi priste fëmijën e parë. “Florin dhe Eris ishin shumë të emocionuar sepse prisnin fëmijën e tyre të parë”, tha ajo. Më tej, ajo zbuloi se Erisa ishte shtatzënë me një vajzë. “Eris ishte shtatzënë me vajzën e tyre”, tha Gioni me emocion. Ajo e cilësoi humbjen e dy çifteve si “një tragjedi të madhe”, ndërsa shprehu dhimbjen e familjeve dhe miqve që i njihnin viktimat. Florida Hoxha dhe bashkëshorti i saj Ian Alexander Kirkpatrick, 37 vjeç, ndodheshin në katin e parë të ndërtesës, ku ishte rezervuar një apartament përmes Airbnb. Në të njëjtin kat qëndronin edhe Erisa Cani dhe Florin Hoxha. Operacioni i kërkim-shpëtimit vijoi për orë të tëra pas shembjes së ndërtesës. Në orët e para të mëngjesit të së shtunës u gjet trupi i një gruaje, ndërsa disa orë më vonë u nxor edhe trupi i një burri. Ata ishin çifti i të moshuarve që jetonte në katin e dytë. Pak para orës 13:00 u zbuluan edhe dy trupa të tjerë, që u përkisnin turistëve amerikanë që qëndronin në katin e parë. Pak pas orës 13:30 u gjetën edhe dy viktimat e fundit, të cilat kishin mbetur nën rrënoja. Me nxjerrjen e tyre përfi operacioni i shërbimeve zjarrfikëse, ndërsa bilanci tragjik i shembjes së ndërtesës shkoi në gjashtë viktima. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Greqi shqiptaret VDESIN

