Shqipëria ka dënuar sulmin e fundit të grupit Huthi ndaj Mbretërisë së Arabisë Saudite, i cili ka shkaktuar viktima, duke shprehur solidaritet me popullin dhe autoritetet saudite. Reagimi është bërë nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, përmes një postimi në rrjetin social X. Ai e cilësoi sulmin si të papranueshëm dhe paralajmëroi për pasojat që veprimet e përsëritura të rebelëve Huthi kanë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. “Shqipëria dënon në termat më të fortë sulmin e fundit me pasoja në jetë njerëzish të grupit Huthi kundër Mbretërisë së Arabisë Saudite”, shkruan Hoxha. Kryediplomati shqiptar theksoi se sulmet e përsëritura nga rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin e rajonit, rrezikojnë jetën e civilëve dhe pengojnë përpjekjet për paqe dhe siguri. Hoxha nënvizoi gjithashtu se sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile nuk mund të justifikohen, duke kërkuar që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi. Në përfundim të reagimit, ministri shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe solidaritetin e Shqipërisë me popullin dhe autoritetet e Arabisë Saudite.
