Ulaj-Rama-Luca Pas 12 vitesh në pushtet, kryeministri pranoi se ka një çarje mes qeverisë dhe qytetarëve. Por nuk tha asnjë fjalë për korrupsionin, për oligarkët, për ministrat që kanë përfunduar në dosje dhe për modelin e pushtetit që ka ndërtuar vetë. Shqipërisë nuk i mungon "Besa". I mungon shteti. Në politikë ka momente kur një fjalim mund të ndryshojë gjithçka. Mund të jetë momenti kur një lider pranon gabimet, merr përgjegjësi, shpall një kthesë dhe bind qytetarët se e ka kuptuar mesazhin.
Edi Rama kishte pikërisht një mundësi të tillë të premten.
Pas 56 ditësh protesta, pas një zemërimi qytetar që nuk shuhet, pas një serie skandalesh që kanë tronditur administratën dhe Partinë Socialiste, ai kishte shansin të dilte përpara shqiptarëve dhe të thoshte: "Po, kemi gabuar. Po, pushteti është larguar nga njerëzit. Po, ka ardhur koha të ndryshojmë."
Nuk e bëri.
Në vend të një pakete reformash, zgjodhi një slogan.
Në vend të përgjegjësisë, zgjodhi "Besën".
Në vend të autokritikës, një letër të bardhë.
Është paradoksale. Vetë Rama pranoi se ekziston një hendek mes qeverisjes dhe opinionit publik, madje tha se kjo çarje ka prodhuar revoltë. Pra, pranoi diagnozën. Por nuk pati guximin të fliste për shkakun e sëmundjes.
Sepse shqiptarët nuk kanë dalë në rrugë se nuk kanë dëgjuar mjaftueshëm fjalime.
Ata nuk po protestojnë sepse u mungon një koncept moral.
Ata nuk janë lodhur nga mungesa e "Besës".
Ata janë lodhur nga një qeverisje që për dymbëdhjetë vjet ka prodhuar pafund skandale, ka parë ministra të saj të përfjnë para drejtësisë, kryetarë bashkish me dosje penale, drejtorë të arrestuar, tenderë të kontestuar, koncesione që kanë rënduar mbi buxhetin e shtetit dhe një administratë ku korrupsioni nuk perceptohet më si përjashtim, por si pjesë e sistemit. “Besa” e kushtëzuar e Edi Ramës: Ndryshime pa mua s’do të ketë!
25 Korrik, 08:39 Vetëm pak ditë më parë opinioni publik u trondit nga skandali në Postën e Durrësit, ku sipas hetimeve u vodhën mbi 700 mijë euro. Një shumë marramendëse për një degë poste. Dhe pyetja që lind natyrshëm është kjo: nëse në një zyrë lokale mund të zhduken qindra mijëra euro, çfarë ndodh në ministritë që administrojnë qindra milionë euro çdo vit?
Kjo është pyetja që shqiptarët prisnin të dëgjonin nga kryeministri.
Por ai nuk foli për këtë.
Nuk foli as për faktin se sot pothuajse nuk ka institucion që të mos jetë prekur nga SPAK-u. Nuk foli për ish-ministrat e tij që janë nën hetim apo janë dënuar. Nuk foli për kryetarët e bashkive të arrestuar, të proceduar apo nën hetim. Nuk foli për përgjegjësinë politike të një qeverie që, pas tre mandatesh, ka prodhuar një numër rekord zyrtarësh të lartë në përballje me drejtësinë.
Në vend të kësaj, foli për "Besën".
Por besa nuk e zëvendëson përgjegjësinë.
Ajo nuk zëvendëson llogaridhënien.
Ajo nuk pastron korrupsionin.
Ajo nuk rikthen paratë e qytetarëve.
Dhe mbi të gjitha, nuk rikthen besimin.
Po aq e fortë ishte edhe heshtja për atë që qytetarët e konsiderojnë sot një nga plagët më të mëdha të vendit: lidhjen e pushtetit me oligarkët.
Në të gjithë fjalimin nuk pati asnjë premtim se do të rishikohen privilegjet që për vite me radhë u janë dhënë një grushti biznesmenësh. Nuk pati asnjë fjalë për koncesionet, për PPP-të, për statuset e investitorëve strategjikë, për pronat publike të dhëna me vendime qeverie apo për mënyrën se si është ndërtuar një model ekonomik ku gjithnjë e më shumë pasuri përqendrohen në duart e gjithnjë e më pak njerëzve.
Përkundrazi.
Vetëm pak ditë më parë, ndërsa debati publik ishte për projektin në Rrjoll, Edi Rama zgjodhi të dilte personalisht në mbrojtje të Bashkim Ulajt. Asnjë distancim. Asnjë reflektim. Asnjë sinjal se marrëdhënia mes pushtetit dhe biznesit të favorizuar do të ndryshojë.
Ndërkohë, emra si Gjergj Luca vazhdojnë të përfitojnë prona shtetërore dhe madje Rama shkoi aty sa kontaktoi Google për të shpëtuar bizneset e ‘trafikantit peshkatar’.
Atëherë lind pyetja: kujt i kërkohet "Besa"?
Qytetarëve apo oligarkëve?
Sepse deri tani, besnikëria më e madhe e kësaj qeverie nuk ka qenë ndaj qytetarëve, por ndaj modelit ekonomik që ka krijuar.
Nuk është rastësi që sipas sondazhit të International Republican Institute, shumica e shqiptarëve besojnë se vendi qeveriset në interes të një grupi të vogël njerëzish dhe jo në interes të qytetarëve. Ky nuk është thjesht një perceptim. Është treguesi më dramatik i humbjes së besimit ndaj shtetit.
Kur shumica mendon se pushteti punon për pakicën, atëherë demokracia hyn në krizë.
Dhe kjo krizë nuk zgjidhet me marketing politik.
Kontrasti bëhet edhe më i madh kur sheh çfarë ndodh jashtë Shqipërisë.
Në Hungari, Péter Magyar ka vendosur në qendër të debatit kufizimin e mandateve të kryeministrit, reformën kushtetuese, forcimin e institucioneve të pavarura dhe goditjen e korrupsionit politik. Mund të mos pajtohesh me çdo propozim të tij, por ai po u thotë qytetarëve një gjë të thjeshtë: pushteti duhet kufizuar, jo forcuar.
Në Shqipëri ndodhi e kundërta.
Pas dymbëdhjetë vitesh në zyrën e kryeministrit, Edi Rama nuk propozoi asnjë kufizim për pushtetin e tij. Nuk tha se mandatet duhet të kenë një tavan. Nuk tha se kryeministri duhet të ketë më pak kompetenca. Nuk tha se do të ndryshojë mënyrën si emërohen drejtuesit e institucioneve. Nuk tha se do të shkëpusë qeverinë nga interesat e biznesit të madh.
Tha vetëm se duhet "Besa".
Por problemi i Shqipërisë nuk është se qytetarët nuk i besojnë më Edi Ramës.
Problemi është se pas dymbëdhjetë vitesh, gjithnjë e më shumë shqiptarë nuk i besojnë më mënyrës se si funksionon shteti.
Dhe këtë nuk e rregullon as një fjalim, as një letër e bardhë, as një slogan i ri.
Sepse besimi nuk lind nga fjalët.
Besimi lind kur pushteti pranon kufijtë e vet, ndëshkon korrupsionin pa bërë dallime, shkëputet nga oligarkët dhe e vendos interesin publik mbi interesat e një grushti njerëzish.
Deri atëherë, "Besa" do të mbetet vetëm fjala më e bukur e përdorur për të shmangur pyetjen që shqiptarët po bëjnë çdo ditë: Kush mban përgjegjësi për Shqipërinë e këtyre 12 viteve? /Pamfletirama oligarket 1 Komente S Socialisti qe ende beson tek PS 25 Korrik 2026, 18:38 Besa eshte kontrate morale, eshte ligj i pashkruar dhe lidhet shpirterisht midis paleve, dhe jo pacavure si ajo e Edit shkruar me boj ete kuqe. Edi ka ikur per lesh, por per lesh po iken dhe gjithe PS nese vazhdon keshtu. Me ben pershtypje nje gje: si nuk paska patur nje burre apo nje grua burrneshe kjo PS qe t'i thote Edi Rames arrogant , "JO", "mjaft me!" Përgjigjjuni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Dosja e zezë ‘Tano Karidi’ i Mjekësisë luftë me letra anonime, Xheladin Draçini nis "gjuetinë e shtrigave" ndaj Prof. Edit Xhajankës 25 Korrik 2026, 16:1616:16Dosja e zezë Padia që godet themelet e karrierës së Ols Dados: A u emërua prokurori i SPAK jashtë ligjit? 24 Korrik 2026, 12:2212:22Dosja e zezë Nuk kanë fund haraçet që po paguan Edi Rama për Erdoganin: Sulltani sjell bankën shtetërore turke në Tiranë 23 Korrik 2026, 09:0809:08Dosja e zezë SPAK zbarkon në AZHT dhe KKT, dosja "Aruba" çon hetuesit te lejet e kullave dhe investimet strategjike 22 Korrik 2026, 15:5715:57Dosja e zezë SPAK-u nën survejim, kompania 'G37 Chambers', kliente e Ramës lexon dosjet e hetuesve, 11.2 milionë euro për 'konsulencë' pa garë 22 Korrik 2026, 11:1411:14Dosja e zezë Pasi i vuri në dispozicion policinë, Rama mbron Bashkim Ulajn dhe mashtron hapur për dosjen e Rrjollit 21 Korrik 2026, 17:2817:28Dosja e zezë

