Lajme Zone
Sky ECC, sfida e re në gjykata: ‘Beteja’ SPAK-avokatë dhe efekti në dosjen “Aruba”
PolitikëPamfleti

Sky ECC, sfida e re në gjykata: ‘Beteja’ SPAK-avokatë dhe efekti në dosjen “Aruba”

Për prokuroritë e shumë shteteve, përfshirë ato shqiptare, ky material ka hapur dyer që më parë ishin të mbyllura, ka bërë të mundur hetime që në kushte normale do të mbeteshin të paplota, dhe ka çuar BKH në dyer që askush nuk mendonte se do trokitej.

Foto ilustruese Faza e dytë e debatit mbi Sky ECC! Sfidat mes avokatëve dhe SPAK. Si gjykatat ndërkombëtare po korrigjojnë mangësitë e mbrojtjes në pikën më kritike. Efektet në dosjen “Aruba” dhe jo vetëm Operacioni Vanilla mbetet për mua, padyshim një nga sukseset më të rralla dhe më të thella të bashkëpunimit policor e gjyqësor evropian. Infiltrimi i platformës Sky ECC, dekodimi i qindra milionë mesazheve dhe identifikimi i rrjeteve të krimit të organizuar që vepronin njëkohësisht në disa kontinente, përbëjnë një thesar të vërtetë informativ.

Për prokuroritë e shumë shteteve, përfshirë ato shqiptare, ky material ka hapur dyer që më parë ishin të mbyllura, ka bërë të mundur hetime që në kushte normale do të mbeteshin të paplota, dhe ka çuar BKH në dyer që askush nuk mendonte se do trokitej.

Unë e kam analizuar më herët këtë operacion dhe kam mbështetur qasjen e SPAK-ut në përdorimin e tij. Deri në momentin kur u ngritën pyetje serioze mbi përgjimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, përmbajtja e të cilave mbetet ende mister për publikun, por jo për mua. Në atë pikë, kufiri mes nevojës së hetimit dhe respektimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor u bë i qartë dhe i pashmangshëm. Padyshim i kritikueshëm!

Por debati mbi Sky ECC nuk përfn aty. Sot ai po hyn në një fazë të dytë, më të thellë dhe më procedurale.

Për gati pesë vite debati është zhvilluar pothuajse ekskluzivisht rreth një pyetjeje: a janë të ligjshme përgjimet dhe materialet e dekoduara?

Avokatët, në Shqipëri dhe jo vetëm, kanë kundërshtuar kryesisht autorizimet, kompetencën e autoriteteve franceze, përdorimin e Urdhrit Evropian të Hetimit, zinxhirin e ruajtjes së provës dhe besueshmërinë teknike të materialit. Në shumicën dërrmuese të rasteve këto kundërshtime nuk kanë rezultuar të suksesshme.

Por ndërkohë, një pikë shumë më delikate ka mbetur pothuajse jashtë debatit: Jo mënyra si u mblodh prova, por: a ka realisht mundësi mbrojtja ta kundërshtojë atë në shtetin ku është krijuar?

Kjo është pyetja kritike që sot po dominon gjykatat evropiane.

Vendimi i fundit i Corte di Cassazione në Itali nuk rrëzon provat Sky ECC, por ama shton një element që ndryshon thellësisht analizën procedurale: gjykata pranon se mbrojtjes duhet t’i jepet mundësia të aktivizojë një OEI të ri drejt Francës, me qëllim ruajtjen e dokumentacionit të operacionit dhe ushtrimin e të drejtave procedurale që ofron sistemi francez.

Me fjalë të tjera, problemi nuk është vetëm prova. Problemi është e drejta për ta kontrolluar provën.

Nëse lexohet me kujdes ky vendim, krijohet përshtypja se gjykatat po korrigjojnë një dobësi që vetë avokatët nuk e kishin ngritur në mënyrë të plotë në vitet e para. Energjia është përqendruar tek ligjshmëria e operacionit, ndërsa shumë më pak është diskutuar një pyetje tjetër: çfarë ndodh me të drejtën e mbrojtjes kur prova prodhohet në një shtet, ndërsa procesi zhvillohet në një shtet tjetër?

Nuk mjafton që prova të transferohet përmes një OEI. Duhet të ekzistojë edhe mundësia reale që mbrojtja të kërkojë dokumentacionin origjinal, të verifikojë integritetin e tij dhe, nëse është e nevojshme, ta kundërshtojë atë në juridiksionin ku është krijuar. Pikërisht këtë po kërkojnë sot gjykatat.

Këtu lind paradoksi dhe pika kritike e kësaj faze të dytë.

Franca prodhon provën. Italia, Belgjika, Holanda, Shqipëria dhe shumë shtete të tjera e përdorin atë. Por personi që gjykohet jashtë Francës mund të mos ketë një mjet procedural efektiv për ta kundërshtuar pikërisht në Francë.

Ky paradoks është bërë tashmë objekt i referimit paraprak nga Cour de cassation franceze në çështjen C-625/25 pranë Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian.

Pyetja është themelore: a është i pajtueshëm me të drejtën e BE-së një sistem ku prova prodhohet në një shtet, por personi i gjykuar në një shtet tjetër nuk ka një mjet efektiv për ta kundërshtuar atë?

Përgjigjja e kësaj çështjeje mund të ndikojë në të gjitha procedimet që mbështeten mbi Sky ECC.

Dosja “Aruba” dhe realiteti shqiptar

Edhe në Shqipëri një pjesë e rëndësishme e procedimeve të SPAK-ut mbështetet mbi të njëjtin material të ardhur nga Operacioni Vanilla dhe nga hetime të lidhura të autoriteteve franceze, spanjolle e belge.

Dosja “Aruba” është shembulli më i fundit. Komunikimet e zbërthyera në Sky ECC kanë shërbyer si bazë për të lidhur takime të dyshuara (në Aruba, Mallorca, Belgjikë e gjetkë) me skema të pastrimit të parave në tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme. Sipas materialit hetimor, këto biseda kanë orientuar dyshimet drejt investimeve në kulla në Tiranë dhe në leje ndërtimi e investime strategjike. Në vazhdim të këtyre të dhënave, SPAK ka kryer kontrolle dhe ka sekuestruar dosje pranë Këshillit Kombëtar të Territorit.

Materiali Sky ECC në këtë dosje nuk është prodhuar në Shqipëri. Ai vjen nga operacione të kryera jashtë vendit dhe është transferuar përmes kanaleve të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Deri tani, në praktikën shqiptare, ky material është trajtuar shpesh si i gatshëm për t’u përdorur. Por zhvillimet e fundit në Catanzaro, Imperia dhe në Spanjë tregojnë se kjo qasje nuk është më e mjaftueshme.

Nëse standardi evropian fillon të kërkojë qasje në dokumentacionin origjinal, në materialin e papërpunuar, në zinxhirin e ruajtjes së provës dhe, mbi të gjitha, në ekzistencën e një mjeti efektiv mbrojtjeje në Francë, atëherë edhe gjykatat shqiptare do të përballen me të njëjtat pyetje. Dhe kjo nuk prek vetëm dosjen “Aruba”. Ajo prek të gjithë linjën e hetimeve që janë ndërtuar mbi të njëjtin material.

Faza e parë e debatit ishte: a është e ligjshme prova?

Faza e dytë duket se po bëhet: a ka pasur mbrojtja mundësi reale ta kundërshtojë atë?

Ky ndryshim është shumë më i rëndësishëm sesa mund të duket. Sepse nuk sulmon operacionin policor. Nuk vë në diskutim luftën kundër krimit të organizuar. Ai kërkon vetëm që edhe prova më e fortë të kalojë të njëjtin standard kontrolli që kërkon çdo shtet i së drejtës.

Sfidat mes avokatëve dhe SPAK nuk janë mbyllur. Ato sapo kanë hyrë në një dimension të ri, që ka nxjerrë në pah dobësitë e sistemit të mbrojtjes dhe kufirin mes proporcionalitetit të luftës ndaj krimit të organizuar dhe të drejtës së mbrojtjes për të kundërshtuar provat në vendin e origjinës së tyre.sjy ecc aruba Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Binjakët e Serbisë 25 Korrik 2026, 17:4817:48Forum Kur qytetarët humbin besimin te vota, demokracia nis të shembet 25 Korrik 2026, 16:4416:44Forum Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përballë eksperimentit të rrezikshëm të unitarizmit! 25 Korrik 2026, 15:3615:36Forum Rama shpik ‘BESËN’ për të shpëtuar qeverisjen, gjen fajtorin te administrata, por jo te qeveria 25 Korrik 2026, 09:3809:38Forum “Flamingot” i kanë prishur rehatinë jo vetëm Ramës në Tiranë, por edhe disave në Bruksel 25 Korrik 2026, 08:5608:56Forum Projekti i padukshëm i spastrimit etnik nëpërmjet inxhinierisë së identitetit 25 Korrik 2026, 08:3208:32Forum