Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur lagjen “Çlirimi” në Elbasan, ku shënjestër ka qenë banesa e një 69-vjeçari.
Lënda plasëse dyshohet se është vendosur pranë hyrjes së banesës së Shefki Frakullit, duke shkaktuar dëmtime në derën e jashtme të rrethimit. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar dhe dëmet e shkaktuara janë vetëm materiale.
Pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, i cili ka nisur mbledhjen e provave dhe dokumentimin e plotë të rrethanave. Aktualisht po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Në banesë jeton çifti Frakulli, ndërsa dy djemtë e familjes prej vitesh jetojnë dhe punojnë në emigracion, respektivisht në Angli dhe Itali.
Një nga pistat që po verifikohet është ajo e një akti intimidues apo mesazhi kërcënues ndaj familjes. Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka të dhëna zyrtare që të përcaktojnë motivin e shpërthimit apo që ta lidhin ngjarjen me aktivitetin e djemve të familjes jashtë vendit.
Hetuesit pritet të analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, gjurmët e gjetura në vendngjarje dhe çdo konflikt të mundshëm që mund të hedhë dritë mbi autorësinë dhe motivin e kësaj ngjarjeje.
