Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku, ka vendosur t'i japë zyrtarisht fund karrierës si futbollist profesionist.
Vendimin e tij 35-vjeçari e konfirmoi përmes një mesazhi tejet prekës në rrjetet sociale. "Faleminderit, futboll. Do të më mungosh", shkroi ish-sulmuesi kuqezi në videon e tij përshëndetëse.
Pavarësisht varjes së këpucëve në gozhdë, ai do të vazhdojë kontributin te klubi zviceran i Bellinzonës në rolin e drejtorit sportiv. Njoftimi zyrtar për pozicionin e tij të ri u publikua vetëm tri ditë më parë nga vetë drejtuesit e klubit.
Sadiku mbetet një nga emrat më të spikatur në historinë e përfaqësueses shqiptare me 12 gola të realizuar në 38 ndeshje. Emri i tij do të mbetet i shkruar me shkronja të arta për golin historik ndaj Rumanisë në Kampionatin Europian të vitit 2016.
Ky realizim i paharrueshëm i siguroi Shqipërisë fitoren e parë dhe të vetme në fazën finale të një Europiani. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

