Real Madrid ka nisur procedurat ligjore për të rikuperuar shpenzimet e projektit të Superligës Evropiane, duke u kërkuar klubeve angleze një shumë prej 80 milionë eurosh.
Sipas raportimeve të mediave britanike, kjo shumë financiare lidhet me kostot fillestare të promovimit të kompeticionit i cili nuk arriti të realizohej.
Klubi spanjoll, nën drejtimin e presidentit Florentino Perez, ishte një nga mbështetësit kryesorë të projektit, së bashku me Barcelonën dhe Juventusin. Nisma e re u prezantua në prill të vitit 2021 me synimin për të krijuar një alternativë ndaj Ligës së Kampioneve.
Megjithatë, ky projekt u përball menjëherë me kundërshtime të forta nga tifozët dhe i gjithë komuniteti i futbollit. Në mesin e klubeve angleze që iu bashkuan fillimisht projektit ishin Arsenali, Liverpool, Chelsea, Manchester United, Manchester City dhe Tottenham.
Për shkak të presionit të madh, në më pak se 3 ditë nga njoftimi, 9 prej 12 klubeve themeluese u tërhoqën zyrtarisht nga marrëveshja.
Tashmë mbetet për t’u përcaktuar ligjërisht nëse kontratat e nënshkruara me kompaninë spanjolle "European Super League Company" parashikojnë detyrimin për të mbuluar shpenzimet edhe pas tërheqjes. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

