Senati i Shteteve të Bashkuara i ka dhënë dritën jeshile emërimit të gjeneral-lejtnantit Eric Wendt në postin e ambasadorit amerikan në Shqipëri, duke miratuar kandidaturën e tij me 50 vota pro dhe 44 kundër.
Pas votimit në Senat, mbetet vetëm dekreti formal i Presidentit Donald Trump, i cili kishte propozuar më herët emrin e Wendt për të përfaqësuar Uashingtonin në Tiranë.
Diplomati i ardhshëm amerikan vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake, me më shumë se tre dekada shërbim në ushtrinë e SHBA-së. Ai ka qenë pjesë e forcave speciale "Green Beret", ndërsa ka drejtuar edhe Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s, duke mbajtur role kyçe në disa nga misionet më të rëndësishme të aleancës dhe të ushtrisë amerikane.
Me konfirmimin e Wendt, pritet të plotësohet posti i ambasadorit amerikan në Tiranë, i cili ka mbetur vakant prej vitit 2023, pas përfundimit të mandatit të Yuri Kim. Gjatë kësaj kohe, Ambasada e SHBA-së në Shqipëri është drejtuar nga të ngarkuar me punë, në pritje të emërimit të një ambasadori të ri./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

