Kryeministri Edi Rama ka publikuar foton familjare të liderëve pjesëmarrës në samitin që mbahet ditën e sotme në Budva të Malit të Zi. Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur sot në Miloçer të Malit të Zi, në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit, ku po diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik, sigurinë rajonale dhe integrimin evropian.
Në takim marrin pjesë përfaqësuesit e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, si dhe përfaqësues të vendeve dhe institucioneve evropiane. Në qendër të diskutimeve do të jenë zhvillimi ekonomik i rajonit, rritja e konkurrueshmërisë dhe forcimi i lidhjeve ndërmjet gjashtë vendeve, me synimin për të përshpejtuar afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.
Rëndësi e veçantë pritet t’i kushtohet bashkëpunimit ekonomik ndërkufitar, lehtësimit të tregtisë dhe krijimit të mundësive të reja për investime. Një tjetër temë e diskutimeve do të jetë siguria rajonale dhe nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për përballimin e sfidave të përbashkëta. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

