Pedagogët e universiteteve publike dhe private iu bashkuan studentëve në protestën pranë Parlamentit, ndërsa kundërshtuan deklaratën e Sali Berishës se qindra prej tyre janë të lidhur me Partinë Demokratike. Akademikët deklaruan se organizimi i tyre është i pavarur dhe se kauza e studentëve nuk drejtohet vetëm kundër qeverisë, por kundër gjithë klasës politike, përfshirë edhe opozitën.
Për të tretën ditë radhazi, pedagogët u mblodhën fillimisht në Universitetin Politeknik, ndërsa në universitete vijon bojkoti i mësimit. Ata e cilësuan sheshin e protestës “auditorin më të madh të demokracisë”, përpara se të ndërprisnin fjalimet dhe të niseshin drejt studentëve që protestonin pranë Parlamentit.
Mimoza Manxhari tha se qeveria po përpiqet ta delegjitimojë protestën duke e paraqitur si një tubim të dhunshëm.
“Qeveria përpiqet ta delegjitimojë këtë protestë duke e paraqitur si protestë huliganësh. Jo, kjo është një protestë qytetarësh që kërkojnë të rikthejnë besimin te vota dhe te mundësia reale për të ndryshuar qeverisjen nëpërmjet zgjedhjeve”, tha Manxhari.
Ndërsa Ervin Goci kërkoi një rol më të madh të pedagogëve në protestë
“Mendoj që pedagogët duhet të luanin një rol akoma më drejtues, më udhëheqës. U bëj thirrje që të jenë më shumë”, tha ai.
Pedagogët marshuan përgjatë Rrugës së Elbasanit dhe më pas Unazës së Vogël për t’iu bashkuar studentëve, të cilët i gjetën përballë Akademisë së Shkencave.
Pas mbërritjes së pedagogëve, një pjesë e protestuesve çanë kordonin metalik dhe iu afruan efektivëve të policisë. Tensioni zgjati vetëm pak minuta.
Nga protesta, pedagogët iu përgjigjën edhe deklaratës së një dite më parë të kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili tha se “qindra pedagogët, të lidhur me Partinë Demokratike, janë sot krahas të tjerëve në protestë”.
Pedagogët kundërshtuan këtë përcaktim, duke deklaruar se vendimi për t’iu bashkuar protestës është marrë në mënyrë të pavarur dhe se kauza përfshin të gjithë klasën politike.
“Të dyja forcat politike, PD dhe PS, po përpiqen ta minojnë, secila në formën e saj. Kështu që kjo është një formë minimi, por duhet të kuptojnë që politika vetëm rininë nuk e minon dot”, tha Enkeleda Olldashi.
Maksim Meço tha se kërkesat e studentëve përfshijnë edhe opozitën dhe kreun e saj.
“Ne mbështesim kauzën e studentëve dhe kauza e studentëve përfshin gjithë klasën politike dhe një riformatim të sistemit, ku përfshihet edhe kreu i opozitës. Ai bën punën e vet, ndoshta ai kërkon ta përvetësojë këtë”, deklaroi Meço.
Edhe Ermal Hasimja mohoi që vendimi i pedagogëve të jetë marrë nën ndikimin e ndonjë force apo figure politike.
“Vendimin e kanë marrë pedagogët, nuk e ka marrë as Partia Demokratike, as Lapaj, as Shehaj, askush”, tha Hasimja.
Një pjesë e pedagogëve vijuan të qëndrojnë më pas krah studentëve dhe protestuesve të tjerë pranë Parlamentit. Top Channel

