Lajme Zone
Turqia dhe Greqia trazojnë Mesdheun, nis 'lufta' për kufijtë detarë!
PolitikëPamfleti

Turqia dhe Greqia trazojnë Mesdheun, nis 'lufta' për kufijtë detarë!

Athina dhe Kajro kanë rënë dakord të nisin konsultimet për zgjerimin e marrëveshjes së vitit 2020 për delimitimin e Zonës Ekonomike Ekskluzive, një lëvizje që vjen pas ratifikimit të memorandumit detar turko-libian nga Dhoma e Përfaqësuesve e Libisë.

Foto ilustruese Greqia nis konsultimet me Egjiptin për zgjerimin e marrëveshjes së kufijve detarë, pas tensioneve me Turqinë dhe Libinë. Athina mund të shfrytëzojë këtë moment për të riaktivizuar negociatat me Shqipërinë, një proces ndaj të cilit Ankaraja ka shprehur më herët kundërshtime. Greqia po ndërmerr një ofensivë të re diplomatike për përcaktimin e kufijve detarë në Mesdheun Lindor, pas zhvillimeve të fundit që lidhen me marrëveshjen mes Turqisë dhe Libisë.

Athina dhe Kajro kanë rënë dakord të nisin konsultimet për zgjerimin e marrëveshjes së vitit 2020 për delimitimin e Zonës Ekonomike Ekskluzive, një lëvizje që vjen pas ratifikimit të memorandumit detar turko-libian nga Dhoma e Përfaqësuesve e Libisë.

Vendimi u mor gjatë një bisede telefonike mes ministrit të Jashtëm grek, George Gerapetritis, dhe homologut të tij egjiptian, Badr Abdelatty.

Sipas mediave greke, dy ministrat ranë dakord të shqyrtojnë zgjerimin gjeografik të marrëveshjes ekzistuese, duke u mbështetur në të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS).

Në qendër të përplasjes qëndron memorandumi i nënshkruar në vitin 2019 mes Turqisë dhe Qeverisë së Marrëveshjes Kombëtare të Libisë, për përcaktimin e juridiksioneve detare në Mesdhe.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Ankaraja dhe Tripoli përcaktuan një vijë ndarëse të zonave të tyre detare, duke pretenduar të drejta mbi hapësira të Mesdheut Lindor.

Greqia e kundërshtoi që në fillim marrëveshjen, pasi vija e përcaktuar nga Turqia dhe Libia nuk merr parasysh, sipas Athinës, të drejtat detare të ishujve grekë, përfshirë Kretën.

Athina argumenton se Turqia dhe Libia nuk kanë brigje përballë ose ngjitur që të justifikojnë një delimitim të tillë, duke e konsideruar memorandumin në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare të detit.

Nga ana tjetër, Turqia mbron qëndrimin se marrëveshja është e ligjshme dhe se ishujt nuk mund të kenë automatikisht të njëjtin ndikim si brigjet kontinentale në përcaktimin e kufijve detarë.

Ratifikimi i memorandumit nga Dhoma e Përfaqësuesve e Libisë ka rikthyer tensionet diplomatike, pasi Athina e sheh këtë zhvillim si një përpjekje për të forcuar pretendimet detare të Ankarasë në rajon.

Pse hyn Egjipti në këtë përplasje?

Egjipti është një nga partnerët kryesorë të Greqisë në Mesdheun Lindor. Në gusht të vitit 2020, Athina dhe Kajro nënshkruan një marrëveshje për delimitimin e pjesshëm të Zonës Ekonomike Ekskluzive, duke përcaktuar kufijtë detarë në një pjesë të hapësirës mes dy vendeve.

Marrëveshja u konsiderua nga Greqia si kundërpeshë ndaj memorandumit turko-libian, pasi të dyja marrëveshjet përfshijnë pretendime që mbivendosen në disa zona detare.

Megjithatë, marrëveshja greko-egjiptiane e vitit 2020 nuk mbulonte të gjithë hapësirën detare mes dy vendeve, duke lënë të hapur mundësinë e zgjerimit të saj.

Pikërisht këtë synojnë të diskutojnë tani Athina dhe Kajro. Nëse palët arrijnë një dakordësi të re, ajo mund të forcojë pozicionet e tyre diplomatike dhe juridike në mosmarrëveshjet për zonat detare të Mesdheut Lindor. Megjithatë, një marrëveshje dypalëshe nuk do t'i zgjidhte automatikisht pretendimet e shteteve të tjera në rajon.

Paralelisht me kontaktet me Egjiptin, Athina ka ngritur çështjen e memorandumit turko-libian edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Me kërkesë të ministrit të Jashtëm George Gerapetritis, përfaqësuesja e përhershme e Greqisë në OKB, Aglaia Balta, e paraqiti çështjen gjatë konsultimeve me dyer të mbyllura.

Pala greke paralajmëroi se ratifikimi i memorandumit mund të krijojë rreziqe për stabilitetin dhe sigurinë në Mesdheun Lindor.

Sipas burimeve diplomatike greke, Athina theksoi se ratifikimi nga Parlamenti libian nuk e ndryshon statusin juridik të marrëveshjes, të cilën Greqia vazhdon ta konsiderojë të pavlefshme.

Mesazhi i diplomacisë greke u përmblodh në shprehjen "Gjeografia nuk ndryshon", me të cilën Athina kërkon të theksojë se vendimet politike nuk mund të ndryshojnë realitetin gjeografik dhe rregullat e së drejtës ndërkombëtare të detit.

Kufiri me Shqipërinë

Përplasja e re diplomatike mes Greqisë dhe Turqisë për kufijtë detarë mund të sjellë zhvillime edhe në marrëdhëniet mes Athinës dhe Tiranës. Nuk përjashtohet mundësia që Greqia të përpiqet ta shfrytëzojë këtë moment për të vënë sërish në lëvizje procesin e negociatave për kufirin detar me Shqipërinë, një çështje që vazhdon të mbetet e pazgjidhur.

Vetëm pak muaj më parë, në prill, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ndodheshin në Athinë, ku u diskutua edhe çështja e delimitimit të hapësirave detare. Pas takimeve, Hoxha konfirmoi dakordësinë për të ecur përpara me çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve.

Por në këtë histori ekziston edhe një element tjetër i rëndësishëm: qëndrimi i Turqisë, e cila në të kaluarën ka qenë kritike ndaj marrëveshjes detare mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Në një intervistë për EURACTIV në dhjetor të vitit 2022, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se Turqia kishte ndërhyrë fuqishëm kundër marrëveshjes së kufirit detar të nënshkruar nga Tirana dhe Athina në vitin 2009. Sipas tij, Ankaraja nuk kishte qenë e interesuar që dy vendet të arrinin një marrëveshje të tillë.

Marrëveshja e vitit 2009 u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ndërsa në vitin 2020 Tirana dhe Athina arritën dakordësinë politike për t'ia referuar mosmarrëveshjen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Tashmë, ndërsa Turqia po përpiqet të forcojë pozicionin e saj në Mesdhe përmes memorandumit me Libinë dhe Greqia po kërkon zgjerimin e marrëveshjes detare me Egjiptin, nuk do të ishte çudi që Athina të tentonte të aktivizonte edhe frontin diplomatik me Shqipërinë.

Për Greqinë, avancimi i procesit me Tiranën do të përbënte një tjetër hap drejt zgjidhjes së çështjeve të hapura të delimitimit detar me vendet fqinje, në një kohë kur rivaliteti me Ankaranë për hapësirat detare është rikthyer në qendër të diplomacisë rajonale./Pamfletikufiri detar Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Strategjia e tensionit: Si e yshtin dhunën Sali Berisha dhe Taulant Balla 22 Tetor 2026, 15:1315:13Politike “Vuçiç po mbron vëllain e vet, Edi Ramën", Shehaj reagon ashpër: Autokratëve u ka ardhur fundi! 22 Tetor 2026, 14:5014:50Politike Meta tregon çfarë ndodhi sot në GJKKO: U shfaq një prokuror që s’ka lidhje me çështjen, lexoi vetëm kërkesën e 3 kolegëve! 22 Tetor 2026, 14:2514:25Politike Vuçiç i del në mbrojtje Ramës: Është pasuri e Shqipërisë, por shumë të vështirë të fitojë zgjedhjet 22 Tetor 2026, 14:1914:19Politike 10 ditë protesta në Tiranë, Zegjine Çaushi 'u jep leksion' studentëve: Pranoni dialogun me Ramën 22 Tetor 2026, 14:0214:02Politike Kancelari Merz i kujtoi 'detyrat e shtëpisë', Rama bën paradë fotosh me liderët e BE-së në Mal të Zi 22 Tetor 2026, 13:4113:41Politike