Lajme Zone
Rusia godet Kievin me raketa balistike, një i vrarë dhe 10 të plagosur! Sulmohen universitete, banesa dhe spitale
BotëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Rusia godet Kievin me raketa balistike, një i vrarë dhe 10 të plagosur! Sulmohen universitete, banesa dhe spitale

Të paktën një person ka humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë plagosur si pasojë e një vale sulmesh me raketa balistike ruse ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev. Bombardimet kanë goditur zona të banuara, ndërtesa universitare dhe infrastrukturë civile, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që persona të tjerë të jenë bllokuar nën rrënoja.

Të paktën një person ka humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë plagosur si pasojë e një vale sulmesh me raketa balistike ruse ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev. Bombardimet kanë goditur zona të banuara, ndërtesa universitare dhe infrastrukturë civile, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që persona të tjerë të jenë bllokuar nën rrënoja. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi përmes një postimi në Telegram se një person u vra pranë një supermarketi, ndërsa dhjetë të tjerë mbetën të plagosur në zona të ndryshme të qytetit. Sipas tij, sulmet shkaktuan dëme në një konvikt studentor dhe një stacion metroje në rrethin Desnyanskyi, si dhe në dy objekte shëndetësore në rrethin Dnipro. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi përmes një postimi në platformën X, duke bërë të ditur se raketat ruse kishin goditur territorin e një universiteti në Kiev dhe zonat përreth, përfshirë kampusin universitar, Parkun e Kiotos, një stacion metroje dhe ndërtesa banimi. Zelensky theksoi se numri i saktë i viktimave ende nuk është përcaktuar, ndërsa paralajmëroi se bilanci mund të rëndohet për shkak të raportimeve për persona të bllokuar nën rrënoja. Në zonat e goditura janë mobilizuar ekipet e kërkim-shpëtimit dhe të gjitha shërbimet e emergjencës, të cilat po punojnë për të gjetur të mbijetuar dhe për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve.

Presidenti ukrainas akuzoi Rusinë se kishte shënjestruar qëllimisht zona me popullsi të dendur civile, ku, sipas tij, nuk ndodhen instalime ushtarake.

“Raketat goditën zona me popullsi të dendur dhe nuk ka asnjë objekt ushtarak aty pranë”, deklaroi Zelensky, duke e cilësuar bombardimin si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj qytetit dhe infrastrukturës së tij.

Kreu i shtetit ukrainas paralajmëroi gjithashtu se Rusia mund të ndërmarrë sulme të tjera në orët dhe ditët në vijim. Sipas tij, sulmet me dronë të tipit Shahed vijojnë jo vetëm kundër Kievit, por edhe ndaj qyteteve dhe komuniteteve të tjera ukrainase.

Në këtë situatë, Zelensky u bëri thirrje aleatëve ndërkombëtarë të përshpejtojnë dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, duke argumentuar se çdo vonesë rrit rrezikun për jetën e civilëve.

“Në kushte të tilla, kur kërcënimi është i vazhdueshëm, kur sulmet mund të ndodhin në çdo kohë dhe synojnë drejtpërdrejt qytetet dhe fshatrat, vonesat artificiale në ofrimin e mbrojtjes ajrore për Ukrainën ndihmojnë terrorizmin”, u shpreh presidenti ukrainas.

Ai kërkoi që marrëveshjet e arritura me partnerët ndërkombëtarë të mos mbeten vetëm angazhime politike, por të përkthehen sa më shpejt në mbështetje konkrete ushtarake.

Zelensky theksoi se Ukraina ka nevojë edhe për armë të afta të godasin lëshuesit e raketave balistike ruse, duke e konsideruar këtë një nga mënyrat më efektive për të parandaluar sulme të tjera.

“Është e rëndësishme që partnerët tanë të kuptojnë se Ukraina ka nevojë për mjetet e duhura për të shkatërruar lëshuesit e raketave balistike ruse. Kjo do të ishte mënyra më efektive për të shpëtuar jetë”, deklaroi ai.

Në reagimin e tij, presidenti ukrainas akuzoi Moskën se nuk ka treguar vullnet për t’i dhënë fund luftës dhe se po vazhdon operacionet ushtarake pavarësisht pasojave të rënda për popullsinë civile.

“Është e rëndësishme që bota të shohë se Rusia nuk tregon gjë tjetër veçse dëshirën për të vrarë dhe për të vazhduar luftën”, tha Zelensky.

Ai përfi duke u bërë thirrje qytetarëve ukrainas të tregojnë kujdes maksimal për sigurinë e tyre, ndërsa kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar të mos e lërë Ukrainën të vetme përballë sulmeve ruse.

“Të gjithë partnerët duhet të qëndrojnë pranë Ukrainës në përpjekjen për të mbrojtur jetët njerëzore”, theksoi presidenti ukrainas. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb